E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi për heqjen e vizave për shqiptarët do të merret para qershorit

Reagojnë ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian. Apel ndaj Edi Ramës për të hyrë në Parlament


Shefat e diplomacisë evropiane shprehin keqardhje për bojkotin e opozitës në një moment jo të përshtatshëm për Shqipërinë, por shprehen ata, kjo nuk mund ta kushtëzojë hyrjen e vendit në hapësirën e lëvizjes së lirë “Schengen”. Megjithatë, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian presin që situata politike në Shqipëri të përmirësohet përpara përpilimit të opinionit nga Komisioni Evropian mbi statusin kandidat. Kësisoj, ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zbogar deklaron gjatë një prononcimi për mediat se zgjidhja e shpejtë e situatës është një ogur i mirë për aspiratat e integrimit të Shqipërisë siç është liberalizimi i vizave brenda verës 2010 dhe marrja e statusit kandidat. “Para se gjithash, të gjithë ne shpresojmë që situata politike në Shqipëri të kthehet në vendin e duhur, që opozita të hyjë në parlament. E kuptoj që presidenti po drejton bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje dhe shpresojmë që ai ta gjejë zgjidhjen sepse kjo do të ishte në të mirë të vetë Shqipërisë në radhë të parë, për sa i takon statusit kandidat. Ne shpresojmë që të punojmë së shpejti mbi këtë aplikim në Këshillin e Ministrave të Jashtëm. Shqipëria tani po përgatitet ndaj pyetësorit. Pas kësaj çështja i kthehet Komisionit i cili merr ca kohë për përgatitjen e opinionit. Gjatë kësaj kohe të gjitha problemet në Shqipëri shpresoj të jenë zgjidhur”, është shprehur ministri i Jashtem slloven Samuel Zbogar. Ministri portugez për çështje europiane, Pedro Lourtie theksoi se “stabiliteti politik është i rëndësishëm dhe po ashtu dhe konsolidimi i institucioneve demokratike”. “Ekziston një proces i cili duhet ndjekur e kritere që duhen përmbushur, ndaj negociatat do të ndiqen deri në fund”, tha ai. Ndërsa ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt pohoi se “kjo është çështje e brendshme e Shqipërisë, por na vjen keq dhe i kërkojmë opozitës të kthehet në Kuvend dhe që për këtë të ketë një dialog që ta zgjidhë këtë çështje në veçanti. E sigurisht që shpresoj që situata aktuale të zgjidhet shumë më përpara opinionit të Komisionit për Shqipërinë”, u shpreha ai. Alexandër Stubb, ministër i Jashtëm i Finlandes, pohon se “është shumë e vështirë që të gjykosh për këtë, pasi të gjitha vendet e Ballkanit kanë një proces politik e disa prej vendeve janë më shumë problematike sesa të tjerët, kështu që duhet parë efekti përfundimtar”. Për sa i takon liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, Sllovenia shpreson që të paktën politikisht të jepet një mesazh pozitiv në qershor për dy vendet e prapambetura, por gjithçka varet nga vlerësimi i komisionit për plotësimin e kritereve të kërkuara. “Ne po punojmë që të ndodhë gjatë qershorit, ndaj shpresojmë shumë që të bëhet nga qershori. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të përcjellim këtë mesazh ndaj qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjes gjatë presidencës spanjolle. Ne, Sllovenia, po punojmë për arritjen e këtij synimi, por natyrisht që varet shumë nga mënyra sesi secili prej këtyre dy vendeve do të jetë përgatitur, varet nga vlerësimi që do të përgatisë Komisioni”, deklaroi Zgobar. Ndërsa Bildt vuri në dukje se “ne do të votojmë ‘pro’ kur të vijë momenti”. “Mendoj se Komisioni, siç na ka thënë, po vlerëson Shqipërinë dhe Bosnjen dhe ne presim që fillimisht një raport për këtë të paraqitet në Këshillin e Ministrave të Brendshëm e më pas tek ne. Nëse merr dritën e gjelbër atje, natyrisht do të gëzojë dhe mbështetjen tonë. Ata nuk ia mbërritën që t’i plotësonin kushtet, çfarë supozohej se duhet t’i kishin përmbushur. Për mendimin tim kjo gjë duhet të ishte bërë dje, nëse bëhet sot mirë, por nëse nuk bëhet deri nesër, më vjen keq, por varet nga vetë këto dy vende”. Menjëherë pas ardhjes në pushtet, kryeministri grek Papandreu propozoi në Bruksel, 2014-ën si datë synuese për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit. “Nuk dua të jap asnjë datë në këtë fazë, e rëndësishme është që gjërat të vijojnë me Serbinë, Maqedoninë, dhe me vendet e tjera që janë në rrugën e duhur për t’u anëtarësuar”, deklaroi Stubb. Ndërsa për Lourtie, “tani është e vështirë që të thuash një datë për anëtarësimin sepse më shumë e rëndësishme është që këto vende të përmbushin kriteret e më pas, mund të hyjnë në BE. është një datë motivimi për të motivuar vendet e rajonit që të bëjnë reformat e tyre, që të shpejtojnë dhe që BE po ashtu t’i vëzhgojë, por duhet të shohim. Mendoj se është shumë herët që të vendosim një datë anëtarësimi. Por është mirë të pasurit të një date motivuese që i motivon këto vende për të ecur përpara”, theksoi Zgobar. Ndërkohë që Bildt shtoi se, “më duket se unë e kam mbrojtur idenë e 2014-ës në mes të viteve 90, kur ende mund të kishte qenë datë reale, e kishim shpejtësinë e duhur për këtë. Tani mendoj se do të jetë shumë e vështirë që të fusim gjithsecilin nga vendet e rajonit në 2014, por vlerësoj ambicien për të bërë presion ndaj të gjitha vendeve për të ecur sa më shpejt që të mundin”, u shpreh ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt. Pavarësisht se ende nuk ka një datë të qartë reale, anëtarësimi i Ballkanit në BE konsiderohet si hapi i radhës në politiken e zgjerimit të unionit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›