Svoboda: PS të hyjë në parlament, rruga më e drejtë është thyerja e bojkotit

“Pretendimet e saj, thotë Svoboda, PS duhet t’i kërkojë në Kuvend”
Nënkryetar i grupit Socialist në Parlamentin Evropian, Hannes Svoboda, u shpreh pak miuta më parë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kreun e opozitës, Edi Rama, se PS është votuar nga qytetarët për të qenë prezente në parlament dhe se rruga më e drejtë në kushtet aktuale është thyerja e bojkotit.
Në prani edhe të kryebojkotuesit Edi Rama, europarlamentari socialist u shpreh se PS duhet të rikthehet në parlament, pasi është kjo parti që njerëzit kanë votuar. Ai vuri në dukje se, PS duhet t’i shtrijë në mënyrë institucionale pretendimet e saj.
“Anëtarët e delegacionit të Këshillit të Evropës mbështesin rekomandimet e rezolutës. PS duhet të shkojë në parlament dhe të rimarrë punën e saj. Të paraqesë një propozim konkret për transparencë të zgjedhjeve. Duhet të arrihet një kompromis nga të dyja palët. Kjo është një çështje e të ardhmes së vendit. Ne jemi vërtet kolegë, por puna jonë nuk është të ndërhyjmë në punët e brendshme, puna jonë është që të nxisim demokracinë. Ka 18 vjet që ne zhvillojmë takime me përfaqësues të Shqipërisë dhe problemi i zgjedhjeve ka qenë gjithmonë, kjo duhet të ndryshojë”, u shpreh nënkryetari i grupit socialist në Parlamentin Evropian, Hannes Svoboda.
Lidhur me ngritjen e një komisioni hetimor, ai vlerësoi koncesionin e mazhorancës për t’ia lënë atë në “dorë” opozitës dhe avancimin e këtij procesi në respekt me ligjet dhe vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese, për komisionet hetimore parlamentare.