E Diel, 1 Nëntor 2026

"Procedurat tatimore", bizneset zhgënjehen nga Topi

Bizneset industriale në vend e kanë ndier veten të zhgënjyer nga dekretimi që Presidenti Bamir Topi i bëri ligjit "Për procedurat tatimore" ose siç quhet ndryshe "ligji i gjobave". Një ditë pas dekretit që i hap rrugë zbatimit të ligjit famëkeq, bizneset të përfaqësuara nga Konfindustria e kanë cilësuar veprimin e Presidentit si të pakuptimtë, në një kohë kur "procedurat tatimore" do të pësojnë sërish ndryshime në periudhën kur do të diskutohet drafti për gjykatat administrative. Në deklaratën e djeshme për shtyp, administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, në emër të bizneseve që përfaqëson, ka shprehur keqardhjen për dekretimin nga ana e Presidentit Topi, duke e "vlerësuar si një shans të humbur për gjetjen e zgjidhjes së duhur në përmirësimin e klimës së mirëbesimit shtet-biznes". Sipas tij, mosdekretimi i ligjit "Për procedurat tatimore", do të krijonte hapësirën e duhur ligjore për të gjetur zgjidhjen e kompromisit për të cilën Konfindustria ishte e përgatitur. Bizneset prej kohësh kanë kërkuar nga organet e qeverisë që ligji në fjalë të mos miratohet për aq kohë se nuk është vënë në funksionim Gjykata Administrative, institucion ky që parashikon të trajtojë çështjet që lidhen me biznes-shtet. Biznesi, në ligjin e dekretuar detyrohet të parapaguajë masën e detyrimit të "pretenduar" e të "paprovuar" të institucioneve të fiskut, vetëm për të fituar të drejtën themeltare të demokracisë për t‘u ankimuar në gjykatë, duke u paragjykuar si fajtor. Bizneset pretendojnë se ligji nuk u përshtatet aspak praktikave evropiane dhe se ky fakt bie ndesh me disa direktiva të MSA, ku qeveria shqiptare ka firmosur për kushtet që paraqet. Ndër të tjera, pretendimi i Konfindustrisë është që ligji duhet të hynte në fuqi në janar të vitit 2009, periudhë që përkon me përfundimin e ngritjes të Gjykatës Administrative.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›