E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetim të ardhurave të pushtetit vendor në Tiranë

15/06/2010 Kryeministri Berisha sulmon kryebashkiakun Rama për taksat e larta

“Bllokim të ardhurave në thesar dhe studim për kthimin e tepricave”

Pritet që qeveria të veprojë në mënyrë që të kontrollohen fitimet që ka Bashkia e Tiranës nga taksat. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike se kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama ka vendosur barrën më të rëndë fiskale bashkiake, duke trefishuar taksën e mjedisit dhe pesëfishuar taksën e tabelës. “Ka shpikur një sistem fiskal sikur Tirana të ishte Pheniani dhe jo kryeqyteti i një vendi anëtar të NATO-s”, - ka paralelizuar kryeministri Berisha. Duke iu drejtuar ministrit të Financave, kreu i qeverisë është shprehur se Parlamenti ka votuar një ligj ku përcaktohen nivelet e taksave 1 euro për tabelën, që i lejon kryetarit të Bashkisë të shkojë vetëm 10 për qind mbi nivelin e përcaktuar në ligj. “Do të bllokohen të gjitha të ardhurat në thesar dhe do të studiohen rrugët që tepricat t’u kthehen atyre që ky ua ka marrë mbi ligjin”, - ka thënë ai. Berisha ka vlerësuar se nuk është aspak logjike fakti që Bashkia të vendosë taksë më vete për emrin e një lokali. “Në vend që t’i detyrosh të kenë emrin e dyqanit si pikë orientimi dhe transparence, i gjobit për emrin, për tabelën. E kuptoni ju? Ajo është vetëm 1 euro, por e garantoj zotin Rama se, po vazhdoi kështu, s’do të mund të marrë as edhe 1 euro, sepse do ta heqim fare me ligj. Taksa e emrit nuk ekziston kund në botë përveçse te Bashkia e Tiranës”, - nënvizoi kryeministri. Për të evidentuar gjendjen është kërkuar që Këshilli Bashkiak dhe Ministria e Financave të bëjnë një kontroll të hollësishëm të gjithë të ardhurave, sipas zërave. Shefi i ekzekutivit ka rekomanduar që pas këtij procesi çdo vlerë monetare e marrë mbi atë çka sanksionohet në ligj duhet t’u kthehet personave që e kanë paguar.

Investimet në infrastrukturë

Shefi i ekzekutivit ka theksuar se të gjitha rrugët që zbresin drejt detit brenda vitit 2010 do jenë të asfaltuara 100%. Ai u shpreh se po punohet në boshtin e Jugut, Rrugën e Arbrit, rrugën Qafa e Plloçës–Librazhd dhe së shpejti do të nisin punimet për ndërtimin e autostradës Tiranë–Elbasan. “Përfundoi edhe projekti i tunelit të Qafës së Murrizit, që u shty sepse në atë kohë që ishte bërë projekti struktura ishte krejtësisht e papranueshme për tunel. Ata kaluan në një kuotë tjetër e përshtatshme për tunel”, - tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›