E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Trafikantët e njerëzve sjanë dënuar, por ka përpjekje

15/06/2010 Raporti i DASH-it përmend Shqipërinë si vend ku trafikohen fëmijë e gra

TIRANE- Shqipëria vazhdon të mos arrijë standardet e kërkuara për sa i përket luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, pasi për shumë pak nga rastet që denoncohen arrihet të nisin hetimet. Ky ka qenë konkluzioni i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili në raportin e vitit 2010 e cilëson vendin tonë si një vend ku rastet e trafikut të grave, fëmijëve dhe burrave janë tepër të lartë dhe se ndaj këtij fenomeni qeveria shqiptare thuajse nuk ka përmbushur standardet e kërkuara nga autoritetet e huaja. Kryesit personat e trafikuar detyrohen për të ushtruar prostitucion si dhe lypje. Në raport thuhet se pjesa më e madhe e viktimave të trafikuara shfrytëzohen për qëllime përfitimi në Shqipëria, Kosovë, Maqedoni, Itali, Greqi, si dhe në disa shtete të tjera të Evropës Perëndimore. Raporti thekson se gjatë vitit 2009 rezulton të jenë ndaluar rreth 35 persona, të cilët ishin shpallur në kërkim nga gjykatat. Ndërkohë që 31 individë të tjerë janë duke u gjykuar, nga të cilët 11 janë dënuar nga gjykata. Për 26 trafikantë hetimet kanë filluar që në vitin 2008, dhe për shtatë të tjerë në 2007. Për sa i përket sekuestrimit të pasurisë së këtyre grupeve kriminale, raporti thekson se qeveria shqiptare ka mundur të sekuestrojë vetëm 268,115 dollarë në vitin 2009. Veç vitit 2008, ku në grafik tregohet se Shqipëria ka arritur disi standardet e kërkuara në vitet e tjera autoritet janë shumë larg qëllimit. Duke u nisur nga kjo situatë, raportuesit amerikanë tregojnë se qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush standardet minimale për eliminimin e trafikut, edhe pse është duke bërë përpjekje për një gjë të tille. Sipas tyre, ajo nuk ka marrë masa sa duhet për të dënuar trafikantët dhe nuk është përballur në mënyrën e duhur me trafiqet. Mungesa e vullnetit politik dhe bashkëpunimit në disa agjenci kyçe qeveritare ka ndikuar në aftësinë e përgjithshëm të qeverisë për ti dhënë dënimin e merituar të gjitha formave të trafikut. Në raportin vjetor, Departamenti Amerikan jep edhe rekomandimet për Shqipërinë, ku theksohet zbatimi më i mirë i ligjeve, por edhe një bashkëpunim më i mirë mes strukturave. Një tjetër rekomandim tregohet se duhet të identifikohen personat e përfshirë në trafiqe. Të ekzistojë një bashkëpunim më i mirë me organizatat joqeveritare. Të merren masa për sigurinë e personave që dëshmojnë në gjyqe të rëndësishme trafikantësh. Të caktohet një fond i posaçëm për mbrojtjen e viktimave dhe riintegrimin e tyre. Ti jepet dënimi i merituar trafikantëve dhe bashkëpunëtoreve në këtë fushë. Të krijohet një databaze të dhënash për çdo formë të trafikut e të tjera. Raporti lavdëron përpjekjet për identifikimin dhe në disa raste edhe mbrojtjen e viktimave, raporti i DASH i kërkon qeverisë shqiptare të bëjë më shumë mbi këtë fenomen shqetësues

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›