E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimet: Trafikantët vranë komisarin e policisë Musa Skura

TIRANE-Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet për ekzekutimin e komisar Musa Skurës dhe dorëzoi në gjykatë dosjen me tre të pandehur. Nga hetimet disamujore rezulton se Skura është qëlluar për vdekje nga i pandehuri Fitim Alla, i cili në bashkëpunim me dy të dyshuarit e tjerë, Edison Lleshi dhe Vilson Milkurti po tentonin të trafikonin një sasi municionesh dhe i janë kundërpërgjigjur me armë thirrjes së policisë për t’u ndalur. Për pasojë, Skura ka mbetur i plagosur dhe humbi jetën pak ditë më vonë në një spital në Itali. Më poshtë botohet e plotë dosja e prokurorisë për dinamikën e ngjarjes së rëndë të 13 janarit, ku viktimë mbeti zyrtari i lartë i policisë së Matit.

Operacioni
Nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda rezulton se më datë 13.01.2013, në bazë të një plani operacional, forcat e policisë së komisariatit të policisë Mat kanë dalë në ndjekje të një veprimtarie kriminale në drejtim të transportimit, shitjes dhe blerjes së municioneve. Gjatë këtij operacioni në ndjekje të autorëve që merren me veprimtarinë e transportimit të municionit, shitjes apo blerjes së tij ka mbetur i plagosur rende efektivi i policisë në detyrë, Musa Skuraj, i cili disa ditë më vonë, për shkak të plagëve të marra ka gjetur vdekjen. Efektivi i policisë, Musa Skuraj është goditur me armën tip automatik, që i përket të pandehurit Fitim Alla.
I pandehuri Fitim Alla është përleshur me efektivin e policisë duke gjuajtur dhe me armë luftarake në drejtim të tij. Në dosjen e prokurorisë thuhet se i pandehuri Fitim Alla së bashku me të pandehurit Vilson Milkurtaj dhe Edison Lleshi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë masat për të gjetur, mbajtur e siguruar një sasi të konsiderueshme municioni me qëllimin për ta shitur atë. Sipas aktit të ekspertimit të datës 14.01.2013, rezulton se sasia e municionit të sekuestruar me cilësinë e provës materiale në vendngjarje përbëjnë fishekë të rregullt teknikisht dhe të përshtatshëm për të realizuar qitje.

Pranimi
i krimit
Para hetuesve i pandehuri Fitim Alla deklaron se është ndodhur në vendngjarje dhe se pranon të jetë ndjekur nga efektivi i policisë së vrarë, i ndjeri Musa Skuraj. Në analizë të provave të dala nga hetimi rezulton se efektivi i policisë, Musa Skuraj u është afruar në distancë personave të dyshuar për kryerje vepre penale, të cilëve iu ka kërkuar të ndalonin.

Të pandehurit Fitim Alla dhe Vilson Milkurti pasi kanë kuptuar praninë e forcave të policisë, kanë tentuar të largohen dhe në këtë moment efektivi i policisë, Musa Skuraj, pasi ka thërritur disa herë “ndal, ndal” është vënë në ndjekje të tyre. Në ndjekje e sipër, pasi ka arritur të kapë të pandehurin Fitim Alla, ky i fundit duke qenë i pajisur me armën tip automatik model 56 kalibër 7.62 mm, ka realizuar qitje drejt efektivit të policisë. Në vendin e ngjarjes është arritur të zbulohet një gëzhojë. Sipas aktit të ekspertimit datë 15.03.2013, rezulton se: “Këmisha e predhës, objekt ekspertimi (e gjetur në vendngjarje) është qitur nga arma automatik model 56, kalibër 7.62 mm me nr. xxxxx xxxxx, e cila është arma që ka pasur i pandehuri Fitim Alla”. Duke realizuar qitjen në një distancë të afërt, i pandehuri Fitim Alla ka realizuar veprën, penale duke vrarë efektivin e policisë, Musa Skuraj.

I pandehuri Edison Lleshi pranon faktin se ai dhe të pandehurit e tjerë mbanin një sasi municioni me qëllimin për ta shitur. Edhe vetë i pandehuri Vilson Milkurti pranon faktin e ndodhur dhe përfshirjen e tij në vepër penale, duke treguar pendim të thellë.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›