E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet, akuza të ndërsjella Ministri e Drejtësisë-Prokurori

TIRANE - Vijon përplasja mes Ministrisë së Drejtësisë dhe institucionit të prokurorisë shqiptare. Akuza të një pasnjëshme janë përcjellë prej dy ditësh nga të dyja palët ku akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të ligjit.

Ministria e Drejtësisë: Ina Rama shkeli ligjin, nuk ndëshkoi 59 prokurorët
Të përditshmet publikuan sot raportin e Ministrisë së Drejtësisë, ku pas një inspektimi të hollësishëm akuzon Prokurorinë e Përgjithshme se ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin në rastin e hetimit të çështjeve nga ana e prokurorëve të cilët nuk kanë respektuar afatet ligjore.

Sipas raportit të kësaj ministri i cili i është dërguar anëtarëve të komisionit parlamentar të ligjeve, thuhet tekstualisht se: “Qëndrimi zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë është se qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme përbën pengesë të ushtrimit të mekanizmave kushtetues dhe ligjorë të kontrollit të pushteteve dhe organeve kushtetuese. Prokurori i Përgjithshëm në 3 raste ka kundërshtuar kontrollin e Ministrisë së Drejtësisë me argumentin se janë në kapërcim të kompetencave të parashikuara në nenin 56 të ligjit për prokurorinë. Në 10 raste kontrolli, Prokurorit të Përgjithshëm i është rekomanduar nisja e procedimit disiplinor për 59 prokurorë”.

Në raport thuhet se, nëpërmjet 16 kontrolleve të ushtruara është inspektuar veprimtaria e 12 prokurorive të shkallës së parë dhe të apelit. Konkretisht, rrethet gjyqësore të Dibrës, Elbasanit, Korçës, Kukësit, Kurbinit, Pogradecit, Shkodrës, Tiranë, Vlorë dhe Shkalla e Parë për Krimet e Rënda dhe 2 Prokurori Apeli në Durrës dhe Tiranë.
Gjithsej janë kontrolluar 653 procedime penale nga të cilat 121 në shkallën e parë dhe 532 procedime në apel. Inspektimet e zhvilluara kanë në periudhën e raportimit kanë mbuluar procedime penale të viteve 2005 deri në 2011. Nga 121 procedime penale të kontrolluara në shkallën e parë janë konstatuar me shkelje 49 procedime që i atribuohen 59 prokurorëve. Në 2 rastet e tjera u identifikuan shkelje të ligjit nga 6 prokurorë për të cilët kishin kaluar afati 3-vjeçar i parashikimit të përgjegjësive disiplinore. Nga 532 procedime penale të kontrolluara në apel janë konstatuar me shkelje 28 procedime që i atribuohen 13 prokurorëve. Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, ky tregues në apel është i limituar vetëm për politikën e dënimit sepse kontrolli u ushtrua me këtë objekt.
Në relacionin e Ministrisë së Drejtësisë bëhet e ditur se hetimet paraprake janë zgjatur përtej afateve ligjore të parashikuara në kodin e procedurës penale për 11 çështje. Në disa raste vendimet për zgjatjen e hetimeve paraprake përpilohen formalisht duke mos treguar në mënyrë të plotë shkakun e kompleksitetit të çështjeve apo pamundësive objektive për përfundimin e veprimeve hetimore paraqitjen identike në tekst me ndryshim vetëm të datës së nxjerrjes së tyre. Më tej thuhet në reapcion se shkeljet e afatit hetimor dhe zvarritja e hetimeve deformojnë në praktikë procesin e rregullt ligjor të mbrojtur nga nenet 28, 31 dhe 42 të Kushtetutës si dhe neni 6 i KEDNJ-së.

Sipas raportit, ato dëmtojnë rëndë përfundimin e procesit penal brenda një afati të arsyeshëm dhe duke sjellë pasoja edhe në të drejtën efektive të mbrojtjes në një proces penal. Shkelja e të drejtave themelore të subjekteve të procedimit penal është konstatuar në 16 çështje. Këto çështje janë konstatuar se kryhen nga prokurorët në çdo fazë të procedimit penal, në hetimet paraprake, në gjykimin dhe në ekzekutimin e vendimeve penale. Dërgimi administrativ i vonuar në gjykatë i çështjes penale pa shkaqe të dokumentuara ka vetëm një përfundim: Vonesa përdoret për të harruar në publik ngjarjen e ndodhur. Sipas raportit në këtë rast drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

Shoqata e Prokurorëve: Nuk i takon Ministrisë të bëjë kontrolle
I mënjëhershëm ka qenë reagimi i Shoqatës së Prokurorëve që nëpërmjet një njoftimi për shtyp përgenjështroi dhe hodhi poshte si të pavërteta, konkluzionet e raportit të Ministrisë së Drejtësisë të publikuar në media, veçanërisht ato të botuara në shtypin e datës 20.03.2012.

Kjo Shoqatë theksoi se Ministria e Drejtësisë në ushtrimin e kontrolleve të kryera në Prokurori ka shkelur hapur parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve, duke nxjerrë përfundime mbi mënyrën e zgjidhjes së çështjeve, çka del jashtë objektit të kontrollit të përcaktuar në nenin 56 të ligjit nr. 8737, datë 12.02.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. “Sipas Kushtetutes dhe ligjit, vendimet e prokurorëve kontrollohen vetëm nga gjykata dhe prokurorët më të lartë, por jo nga pushteti ekzekutiv”, citon njoftimi për shtyp.

Më tej, Shoqata duke iu drejtuar opinionit të gjerë publik, theksoi se shkeljet e pretenduara nga Ministria e Drejtësise nuk qëndrojnë. ‘Ato janë tendencioze dhe kanë si qëllim të vetëm të denigrojnë punën e prokurorëve dhe t’i demotivojnë në përmbushjen e funksioneve të tyre ligjore’.

MInistria e Drejtesise:
Pas kësaj ishte Ministria e Drejtësisë që reagoi nga deklarata e Shoqatës së Prokurorëve.
Të jesh i pavarur, nuk do të thotë të mos japësh llogari, dhe procesi i llogaridhënies është proces vital për konsolidimin e shtetit të së drejtes ne Shqiperi.

Me ej njoftimi citon se në fokus të inspektimeve të kryera nga Ministria e Drejtësisë gjate nje viti, ka qenë verifikimi i politikës penale.
'Objekti i inspektimeve është përcaktuar në përputhje me shqetësimin dhe ankesat e publikut, mbi ushtrimin e një politike penale të gjatë vitit të kaluar nga prokuroria, duke aplikuar masa të ulëta dënimi'. 

Ministria e Drejtësisë thekson me tej se respekton maksimalisht pavarësine e institucionit, duke i bërë të ditur se askush nuk është i pakontrollueshëm. 'Ministria e Drejtësisë, si pjesë e pushtetit ekzekutiv, mbështet, bashkëpunon dhe bashkërendon veprimtarinë e saj me prokurorinë në respekt të plotë me parimin e qeverisjes të sanksionuar nga neni 7 i Kushtetutës “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor”. Parimi i ndarjes së pushteteve, siç ka interpretuar edhe Gjykata Kushtetuese, nuk duhet kuptuar që çdo pushtet është i mbyllur dhe i pakontrolluar nga askush. Ndarja e pushteteve midis tri degëve të qeverisjes garantohet vetëm nëpërmjet sistemit të kontrolleve dhe ekuilibrave'.

(d.b/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Shoqata e Prokurorëve: Ministria shkel ligjin e ndarjes së pushteteve Ministria e Drejtësisë: Edhe të pavarurit japin llogari VIDEO: Ministria e Drejtësisë: Ina Rama shkel Kushtetutën, s'ndëshkoi 59 prokurorët

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›