Hetimet e 21 janarit, SHBA: Të dalin para drejtësisë organizatorët e dhunës – prokuroria të hetojë me paanshmëri

-- Kryeministri pezullon nga detyra kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, në vend të tij emërohet shefi i shtabit, Artan Hoxha
-- Berisha: I vendosur për hetimin e plotë të 21 janarit, duke filluar nga organizatorët – Prokuroria peng i politikës, prishi provat dhe pengoi hetimet
-- Arvizu: Policia u provokua nga protestuesit, mbështesim hetimet
-- Ina Rama pranon zvarritjen e hetimeve për organizatorët, kërkon heqjen e imunitetit për Taulant Ballën, Tom Doshin dhe Besnik Baren, kur mbushen plot 1 vit nga dhuna e kontingjentit kriminal që zbarkoi përpara Kryeministrisë
UPDATE- Pas nxjerrjes së urdhër arresteve për funksionarët e Gardës së Republikës, Kryeministri Sali Berisha ka liruar nga detyra Komandantin e Gardës, Ndrea Prendi. Zëdhënësja e Kryeministrit Berisha, Erla Mëhilli bëri të ditur se qeveria mbështet hetimet për zbardhjen e demonstratës së dhunshme të 21 janarit. “Kryeministri ka kërkuar, që ditën e parë, hetimin e plotë të organizatorëve të përpjekjes së marrjes së pushtetit me dhunë, sulmuesve për pesë orë të Këshillit të Ministrave, autorëve të dhunës, të viktimave dhe të plagosjeve të 21 janarit 2011”- u shpreh zëdhënësja e Kryeministrit, Erla Mëhilli.
Nisur nga vendimi i gjykatës, Mëhilli bëri me dije se “Kryeministri, në respektim të vendimit të Gjykatës të Tiranës, ka vendosur pezullimin nga detyra, të Gjeneral Ndrea Prendi dhe të komandojë në këtë detyrë, Shefin e Shtabit të Gardës së Republikës, NënKolonel Artan Hoxha”. Por gjatë kësaj dalje publike zëdhënësja e Kryeministrit është ndalur dhe në rolin e Prokurorisë në këtë proces. “Kryeministri, ndonëse ka denoncuar publikisht qëndrimin politik dhe bashkëpunimin direkt të kryeprokurores në skenarin e përmbysjes me dhunë të qeverisë legjitime të vendit, ka besim të plotë në vlerësimin nga sistemi ynë i drejtësisë dhe gjykimin e rrethanave në të cilat, pas pesë orësh sulmi të dështuar ndaj kryeministrisë, mbetën katër viktima dhe u plagosën qindra qytetarë, policë dhe anëtarë të Gardës”. Gjithashtu, duke shkuar më tej, Mëhilli nënvizoi se “Prokurorja e Përgjithshme, siç dihet tashmë ka bashkërenduar që në fillim këtë proces me kreun e PS-së, duke e informuar atë me hollësitë më të mëdha për shkaqet e dështimit të aktit antikushtetues. Gjatë një viti e deri sot, nuk ka asnjë të penalizuar nga organizatorët dhe sponsorizuesit e aktit antikushtetues të 21 Janarit 2011, as dhe për ata që montuan dhe shpërndanë videon që tregonte kryesuesin të implikuar në çështje që nuk kishin asnjë lidhje me to. Po kështu, janë të lirë të gjithë ata që në dhjetëra raste, pohuan me shkrim se kishin ardhur të paguar për të rrëzuar qeverinë, ata që me hunj, gurë, shishe molotov, sulmuan dhe plagosën qindra policë dhe gardistë, ata që morën veturën dhe thyen me të derën e oborrit të Këshillit të Ministrave, me qëllim që të pushtohej ndërtesa e Këshillit të Ministrave”. Për këtë arsye, zëdhënësja e kreut të ekzekutivit garantoi se “Kryeministri siguron shqiptarët se, ai, Qeveria dhe forca e tij politike, do të bëjë gjithçka që, ata që organizuan sulmin e egër mbi Këshillin e Ministrave, paguan dhe sponsorizuan atë, ata që u vërsulën me të gjitha mjetet kundër policisë dhe Gardës së Republikës që po mbronin ligjin, shtetin dhe Kushtetutën, ata që bënë gjithçka për të pushtuar institucionin Kushtetues të Qeverisë, për të përmbysur pushtetin legjitim të vendit, si dhe të gjithë ata që kanë shkelur ligjet e vendit dhe abuzuan me to, do të marrin ndëshkimin e merituar. Drejtësia 21 Janarin 2011, kurrë nuk do ta harrojë”- tha mes të tjerash zëdhënësja e Kryeministrit Berisha.
Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu u shpreh sot se e premtja e 21 janarit 2011, ishte një ditë e dhimbshme për mbarë shqiptarët. Ai kërkoi hetimin e ngjarjes, ndërsa kujtoi dhe njëherë se protestuesit provokuan forcat e policisë duke i goditur me mjete të forta. Arvizu tha se SHBA mbështet hetimet, ndërsa inkurajon që ato të jetë pavarura dhe të besueshme. Diplomati amerikan i garantoi prokurorisë të gjithë mbështetjen e duhur.
Kryeprokurorja Ina Rama
Titullarja e organit të akuzës, Ina Rama pranoi sot se ka kërkuar heqjen e imunitetit të 3 deputetëve socialistë Tom Doshi, Taulant Balla dhe Besnik Bare, të dyshuar si organizatorët e dhunës më 21 janar. Gjatë konferencës për shtyp znj.Rama ka folur gjerë e gjatë për personelin e Gardës, duke kritikuar vendimin e gjykatës për “arrest shtëpiak” në kuadër të hetimeve, ndërsa lidhur me organizatorët e të “premtes së zezë”, u mjaftua vetëm me një fjali: “kemi kërkuar imunitetin për 3 deputetë të PS”. Çudia që ndeshet në hetimet e kësaj prokurorie, është tendenca jo vetëm për të zvarritur hetimet, por edhe për të shmangur me çdo kusht ata që organizuan kontingjentin kriminal, të cilët paguan shuma marramendëse për reaksionin e revoltës që kishte në krye të dhunës 200-300 eksponentë ish të burgosur dhe persona me precedentë penal nga më të ndryshmet si grabitje, gjobë vënie, apo dhe të arrestuar për armëmbajtje pa leje. I gjithë ky formacion me CV të pasur në shkeljen e ligjit jo vetëm përbën rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve, por njëherazi mund të rezultojë një pengesë e madhe në avancimin e hetimeve, pasi ai prokuror që do ngarkohet nga organi i akuzës për hetimin e organizatorëve të dhunës, do vihet përballë faktit të mbrojtjes politike për secilin prej 200-300 shkelësit e ligjit. E njëjta gjë vlen edhe për 3 deputetët të cilët pritet të hetohen pas heqjes së imunitetit nga Kuvendi i Shqipërisë. Presioni politik mbi Prokurorinë, specifikisht mbi Ina Ramën, është përtej limiteve, pasi titullarja e organit të akuzës është një prej organizatorëve të dhunës për rrëzimin e qeverisë. Dhe sigurisht që çdo hap i Ina Ramës për t’i treguar shqiptarëve se do hetojë organizatorët, është autogol, pasi i bie të hetojë edhe vetveten, gjë që s’është e mundur. Nga këtu duket qartë “serioziteti” dhe “paanshmëria” e hetimeve që pretendon titullarja e organit të akuzës.
...