E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Takimi i Imamit me Poposki ishte informal”

23-01-2012 / Gazeta 55

Ministria e Mbrojtjes reagon ndaj disa shkrimeve në të përditshmet shqiptare

Drejtoria e Shtypit, në Ministrinë e Mbrojtjes, deklaroi dje se vizita zyrtare në Maqedoni e ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami dhe takimi me homologun, Fatmir Besimi, ministër i Mbrojtjes i Maqedonisë, është respektuar konform të gjitha rregullave ndërkombëtare, protokollit identifikues ndërmjet dy shteteve, dhe pranisë së dy flamujve kombëtar. Ndërkaq, sqaron se më 20 janar, mbas asaj vizite zyrtare, Imami, pranoi ftesën konfidenciale për një takim informal me Poposkin, ministër i Jashtëm i Maqedonisë. “Ky takim u zhvillua pa protokollin dhe pa agjendat rutinë, të takimeve të paravendosura. Takimi është zhvilluar konfidencialisht me kërkesën e z. Poposki, si vlerësim dhe respekt i politikës mbështetëse të Qeverisë Shqiptare, që Maqedonia të integrohet në Aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO”, thuhet në njoftimin sqarues të Ministrisë së Mbrojtjes, lidhur me pretendimet e ngritura nga media, për mungesën e flamurit shqiptar në takimin Imami-Poposki. “Sqarojmë se e tërë axhenda e takimeve dhe bisedimeve që z. Arben Imami zhvilloi gjatë vizitës së tij dy ditore në Maqedoni, ishte e suksesshme. Gjatë takimeve që Ministri Imami zhvilloi me homologun e tij, Fatmir Besimi, me zv.kryeministrin e Maqedonisë, z. Musa Xhaferri, me Komisionin Parlamentar të Mbrojtjes dhe Sigurisë, si dhe në takimin konfidencial me ministrin e Jashtëm Popovski është diskutuar për çështje të rëndësishme që lidhen me forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe avancimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në funksion të shfrytëzimit të kapaciteteve të përbashkëta që posedojnë dy vendet në fushën e Mbrojtjes, për sigurinë rajonale, për mbështetjen që Shqipëria jep për integrimin e plotë të Maqedonisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, vijon më tej njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes. Pjesë e diskutimeve të Imamit dhe përfaqësuesve të qeverisë maqedonase ka qenë dhe fuqizimi i projekteve të dy vendeve për rivitalizimin e projektit të korridorit 8-të. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë deklaroi se, “prioriteti strategjik themelor i Maqedonisë është anëtarësimi në NATO dhe po bën të gjitha reformat dhe angazhimet sikur të ish vend anëtarë i NATO-s”.
Të dy zyrtarët e lartë përshëndetën gjithashtu arritjen e marrëveshjes për kalimin e kufirit mes dy vendeve tona me kartat e identitetit, marrëveshje kjo e cila do t’i shërbej pozitivisht dy vendeve tona si në fushën e ekonomisë, turizmit etj. Ministri Imami, në emër të shtetit shqiptar i dha gjithë mbështetjen e nevojshme fqinjëve tanë në proceset e integrimit.
Në fund të vizitës së tij në Maqedoni, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ka zhvilluar homazhe edhe pranë varrit të ministrit të parë të Mbrojtjes së Maqedonisë, Mehmet pashë Derralla në Gradec të Gostivarit, ku ka vendosur edhe një kurorë me lule. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami zhvilloi një vizitë dy ditore në Shkup, Maqedoni, me ftesë të homologut të tij, Fatmir Besimi.
Kjo vizitë e ministrit shqiptar të Mbrojtjes, është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit bilateral që ekziston mes dy vendeve tona, në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe kryesisht në fushën e mbrojtjes, si dhe në mbështetjen që Shqipëria jep për integrimin e plotë të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›