E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama sot në Greqi takon Papandreun

TIRANE- Kryetari socialist, Edi Rama niset sot për në Greqi, në krye të një delegacioni që do të marrë pjesë në Konferencën e Liderëve të Partisë Socialiste Evropiane. Në konferencën që do të zhvillohet për dy ditë me radhë në kryeqytetin grek Athinë, pritet që kreu i PS-së, Edi Rama dhe delegacioni që e shoqëron të takohen me kryeministrin grek dhe njëherësh kreun e Internacionales Socialiste, Jorgos Papandreu, por edhe me liderë të tjerë të partive të majta evropiane. Konferenca e liderëve socialistë evropianë do të diskutojë lidhur me të ardhmen e BE-së, por pritet që në konferencat për shtyp, të planifikuara gjatë konferencës sot edhe nesër, të ketë edhe deklarata e qëndrime për situatën politike në Shqipëri.

Ende nuk ka një axhendë të përcaktuar për takimet e kreut socialist, por nga burime zyrtare të PS-së mësohet se ai do të diskutojë me kreun e PASOK-ut, Papandreu dhe me partnerët e PS-së, që kanë një rol të rëndësishëm edhe në Parlamentin Evropian. Herë pas here, vetë kreu socialist ka marrë rrugën drejt Brukselit për të diskutuar me drejtuesit e majtë të PE-së, lidhur me krizën politike në vend.

Rruga më e fundit ishte ajo drejt Brukselit muajin që shkoi, në të njëjtën ditë kur Parlamenti Evropian zhvilloi një seancë të posaçme për krizën politike shqiptare dhe ku i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak raportoi për rezultatet e negociatave me Berishën e Ramën. Deri më tani të majtët evropianë kanë mbështetur qëndrimet e opozitës, kanë kritikuar vrasjet e 21 janarit dhe kanë kërkuar që qeveria të respektojë institucionet kushtetuese për vënien para drejtësisë të autorëve të ngjarjes.

Pas kësaj konference pritet që Rama të rikthehet në Shqipëri për të vijuar turin e tij me takime sërish në jug të vendit, në pritje të organizimit të protestave të 8 marsit dhe 15 marsit.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›