Hetimet, prokuroria në pritje të zbardhjes së tabulateve telefonike të DajtitNga Lidhjet e Dritan Dajtit me segmente të caktuar të shtetit, që mendohet se e kanë ndihmuar atë gjatë arratisë gjashtë vjeçare, pritet që të zbardhen nga tabulatet tele
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Hetimet, prokuroria në pritje të zbardhjes së tabulateve telefonike të DajtitNgaLidhjet e Dritan Dajtit me segmente të caktuar të shtetit, që mendohet se e kanë ndihmuar atë gjatë arratisë gjashtë vjeçare, pritet që të zbardhen nga tabulatet telefonike të këtij të fundit. Burime pranë prokurorisë pohuan se tre kompanive të telefonisë që operojnë në vend, u është dërguar një shkresë, për të zbardhur bisedat e Dritan Dajtit. Këto burime thanë se sekuestrimi i 10 telefonave celularë dhe 15 kartave të telefonit, janë shpresa për të zbuluar lidhjet e Dritan Dajtit.
Hetimet
Hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë me dije se janë në pritje të zbardhjes së tabulateve të numrave të telefonit të Dritan Dajtit. Zbardhja e tyre pritet që të zbardhë gjithë lëvizjet dhe aktivitetin e Dajtit gjatë periudhës gjashtë vjeçare, në të cilën ai ka qenë i arratisur. Por, përveç aktivitetit kriminal, burimet pranë prokurorisë thonë se përveç aktivitetit kriminal, ajo që u intereson më shumë atyre janë lidhjet që Dajti mund të ketë pasur me segmente të caktuara të shtetit. Kjo, duke qenë se dyshohet që kanë qenë pikërisht punonjës brenda policisë që njoftonin Dajtin në lidhje me lëvizjet dhe operacionet e kryera për arrestimin e tij. Kanë qenë informatat e tyre, të cilat bënë që Dajti t’u shpëtonte tre herë pritave të ngritura për arrestimin e tij, gjë që në fakt tentoi ta kryente edhe pesë ditë më parë, por që nuk ia arriti.
Burimet pranë prokurorisë thonë se sekuestrimi i 10 celularëve dhe 15 kartave të telefonit, tregon se Dajti ka qenë tepër i kujdesshëm në lëvizjet e tij brenda dhe jashtë vendit. Nga hetimet paraprake, ka rezultuar se kartat i përkasin shteteve si, Kosovë, Maqedoni , Mal i Zi, Greqi, Itali, por edhe tre kompanive telefonike celulare që operojnë në Shqipëri. Për këtë arsye, nga organi i akuzës iu është dërguar kompanive në fjalë, shkresa për të zbardhur tabulatet telefonike, si dhe emrat e personave që janë regjistruar si pronarë të kartave. Për hetuesit, kjo do të ndihmojë edhe për të vërtetuar nëse i shumkërkuari ka patur lidhje me strukturat e policisë. Hipotezë e hedhur pas dështimeve të disa prej operacioneve për kapjen e tij.
Burimet thonë se, tabulatet e 10 celularëve të përdorur nga Dritan Dajti, pritet të nxjerrin informacionin e duhur se kush e ndihmonte atë të siguronte dokumente identifikimi me emra të rremë, si dhe kush e ndihmonte të fshihej.
Dritan Dajti tashmë do të përballet me akuzat e “Vrasjes në rrethana cilësuese të dy apo më shumë personave”, “Vrasjes në rrethana cilësuese”, të mbetur në tentativë, si dhe “Armëmbajtje pa leje”. Për të njëtat vepra akuzohet edhe kunati i tij, Erges Xhaxhi, por nën cilësinë e bashkëpuntorit dhe jo të ekzekutorit.
Autori i masakrës së pesë ditëve më parë në Durrës, ku gjetën vdekjen katër punonjës policie, Dritan Dajti, 38-vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, rezulton të ketë qenë njëri nga personat më të kërkuar në Shqipëri. Dajti ishte një i dënuar me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale të “Vrasjes” dhe 9 vjet të tjera për arratisjen e tij në sallën e gjyqit gjatë vitit 2003.
Skema zyrtare e krimit
Pesë ditë pas vrasjes së katër oficerëve të policisë nga ana e Dritan Dajtit, policia tashmë ka ndërtuar skemën zyrtare të ngjarjes së pesë ditëve më parë në Durrës. Sipas skemës së ndërtuar nga ana e policisë, bazuar edhe në deklaratat e dëshmitarëve okularë, në momentin që Dajti është rrethuar nga forcat policore, dy personat që e shoqëronin atë kanë dalë nga makina dhe kanë tentuar të largohen me vrap. Në këto momente, në të dyja dyert e automjetit të Dajtit janë vendosur dy prej oficerëve, në kahe të ndryshme. Dajti, i cili ndodhej brenda në makinë, ka pritur gjakftohtë lëvizjen e policëve. Në momentin që ata kanë hapur dyert dhe kanë dhënë sinjalin e policisë, Dajti i ka qëlluar të dy policët në kokë, duke i lënë të vdekur në vend. Për t’u siguruar se e kishte kryer krimin, i ka qëlluar sërish njërit prej tyre dhe është larguar, për t’i shpëtuar forcave të tjera policore, që përbënin vijën e dytë të rrethimit. Por, gjatë largimit ai do të gjendej në breshërinë e policit të tretë, i cili ka nisur të qëllojë drejt tij me një automatik “Kallshnikov”. Fatkeqësisht, automatiku është bllokuar sapo ka kryer një qitje, ndërsa Dajti ka qëlluar në drejtim të oficerit të tretë të policisë, duke e vrarë në vend. Pasi ka dalë në drejtim të rërës së plazhit, Dajti ka qëlluar drejt policit që kishte arrestuar 21-vjeçarin Ledion Mara, që ishte dhe miku i tij. Përveç oficerit të policisë, Dajti nuk ka nguruar të qëllojë edhe ndaj mikut të vet, duke e vrarë atë.
Pas të gjitha këtyre, gjatë tentativës për të ikur me vrap, Dritan Dajti është qëlluar nga policia dhe ka marrë tre plagë. Në këtë moment ai është hequr si i vdekur, me qëllim që mos të vazhdonte më qitja nga ana e oficerëve të policisë. Vetëm kur të shtënat kishin përfunduar, Dajti ka ngritur duart lart dhe është dorëzuar, ndërsa më pas është transportuar për në spital. Policia bën me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur për vetëm 40 sekonda.