E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi Alibeaj PS ndryshoi kerkesen

Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se nuk ishte mazhoranca ajo që refuzoi miratimin e ngritjes së komisionit parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit.

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Alibeaj është shprehur se ka qenë vetë Partia Socialiste ajo që ndryshoi përmbajtjen e kërkesës së saj.

“Më 23 nisi seanca dhe diku nga ora 4 e mëngjesit opozita ndryshoi tërësisht formulimin juridik dhe sintaksor dhe figurat e saj kryesore, Gramoz Ruci dhe Fatmir Xhafa paraqitën 3 pikat e procesit hetimor duke shtuar një pikë të katërt. Nga fundi i asaj seance po shkohej pranë një kompromisi, por nuk u bë sepse Ruci dhe Xhafa u tërhoqën. Dhe e hëna nuk ishte një ditë aq gazmore për opozitën, që solli një terminologji dhe formulim krejtësisht të ndryshëm”, ka pohuar Alibeaj.

Sipas tij, opozita kishte paraqitur një kërkesë tërësisht joserioze, e cila nuk kishte asnjë bazë juridike. Për pasojë, ka theksuar Alibeaj, mazhoranca nuk mund të miratonte një kërkesë që binte ndesh me Kushtetutën.

“Në këto kushte kuptohet në gjë, vetëm serioziteti i mungon një lëvizjeje politike, ndërsa juridikisht i mungonin të gjitha premisat për ngritjen e një komisioni. Ne nuk mund të miratonim një propozim që nuk respekton kushtetutën”, ka deklaruar Alibeaj.

Një tjetër element që ka ndikuar në tërheqjen e opozitës ka qenë sipas deputetit demokrat hetimi i prokurorisë mbi rastin e Shkodrës.

“Opozita hoqi dorë nga numërimi pasi nuk e la e vërteta. Ndodhi ajo gjë, që padashjen e tyre, prokuroria bëri me anë të eksplorimit të ligjit numërimin e një prej pikave më delikate, Shkodrën. Opozita pretendonte se do bëhej gjëma, por doli vetëm një votë e shkelur. Deklaratat e zotit Ruci në seancën parlamentare ishin një alibi për të mos ngritur komisionin hetimor”, ka shtuar Alibeaj, i cili ka fajësuar opozitën për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.

“Opozita me qëndrimin e saj arriti të radikalizonte situatën politike shqiptare, si dhe realizoi atë që të mohohej statusi i kandidatit. Shqipëria nuk e mori atë për shkak të kësaj klime radikale të krijuar. Se nga kush u krijua dhe pse u krijua, përgjigjen e pati opozita”, ka thënë Alibeaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›