Tahiri Kerkesa e PS legjitime

Duke folur në emisionin “Top Story” në Top Channel, Tahiri është shprehur se nisma e PS për ngritjen e komisionit hetimor mbështetej nga i gjithë faktori ndërkombëtar, përfshirë këtu SHBA.
“PS menjëherë pas zgjedhjeve kërkoi transparencën me hapjen e kutive. Kishim një qeveri dhe një Parlament me legjitimitet të cunguar dhe kjo ishte arsyeja. Qytetarët shqiptarë e dinë se BE, KiE, OSBE dhe Departamenti i Shtetit i konsiderojnë këto zgjedhje të hetueshme, që do të thotë se duhet të hetohen duke i dhënë një mandat klasës politike, sepse kanë mangësi të thella”, ka pohuar Tahiri, i cili i ka bërë referim edhe rezolutës së Parlamentit Evropian.
“Rezoluta e PE thotë: T’i jepet mandat Parlamentit për hetimin e zgjedhjeve, me shumicë dhe kryesim të opozitës, me në dispozicion materialet zgjedhore. Është ky kushti i PE. Mbi bazën e kësaj rezolute PS ka kërkuar ngritjen e komisionit”, ka nënvizuar Tahiri.
Sipas tij, kjo rezolutë i lejon opozitës që të ketë drejtimin e plotë të komisionit hetimor dhe që të ketë në dispozicion të gjitha materialet zgjedhore.
“PS ka kërkuar ngritjen e komisionit, të ketë kryesimin, mazhorancën vendimmarrëse, objekt hetimi materialet zgjedhore dhe gjithcka që ndodhet brenda kutive, si dhe garancinë që hetimi të jetë efektiv. Që do të thotë që KQZ të detyrohet nga Parlamenti që t’i ofrojë komisionit materialet zgjedhore”, ka deklaruar Tahiri.
Por në këtë rast, ka theksuar deputeti socialist, është kryeministri Berisha ai që nuk do që të kryhet hetimi, pasi brenda kutive ndodhet prova për manipulimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar.
“Është e qartë se asgjë nuk e ndalon Berishën për hetimin e zgjedhjeve, as Gjykata Kushtetuese, asgjë. Berishën e ndalon mungesa e vullnetit të mirë, ai nuk do, ka frikë të hapë kutitë e materialeve zgjedhore sepse ka manipuluar zgjedhjet e kaluara”, ka shtuar ai.