E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi, PD rrëzon hapjen e kutive



BLEDAR HOTI

Maxhoranca bën gati amendimet e nismës së socialistëve për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 2009. Sipas burimeve pranë PD-së, mësohet se dy deputetët demokratë Eduart Halimi dhe Viktor Gumi, kanë hartuar propozimet e maxhorancës duke amenduar nenin 2 dhe 4 të nismës së socialistëve. Neni 4 është pikërisht arsyeja kryesore që po përplasen maxhoranca dhe opozita, prej mëse tre mbledhjesh në komisionin parlamentar të Ligjeve. Në debatin e djeshëm, atë të diskutimit në parim të draftit të PS-së, demokratët e kanë cilësuar si antikushtetuese nismën e opozitës, ku synohet hapja e kutive të votimit dhe rinumërimi i fletëve të votimit. Socialistët nga ana e tyre për herë të parë kanë nxjerrë në skenën e tyre kartën kushtetuese e të drejtës për informim.
Deputeti demokrat Eduard Halimi e ka cilësuar nismën në kundërshtim me Kushtetutën, pasi socialistët kërkojnë të marrin dhe rolin e gjykatësit dhe të prokurorit. "Ne jemi absolutisht pro zgjidhjes së krizës politike, por jemi po ashtu absolutisht të vendosur të mos pranojmë injorimin që mund t'i bëhet Kushtetutës së vendit, themelit të demokracisë në një republike parlamentare. Kushtetuta e këtij vendi ndalon të hetosh mbi ato çështje, të marrësh dhe të shqyrtosh ato prova, të cilat më parë janë shqyrtuar nga juridiksioni gjyqësor, dhe materialet zgjedhore, zotërinj, kutitë tuaja të ëndrrave, janë shqyrtuar njëherë nga juridiksioni gjyqësor", tha Halimi. Në diskutimin e tij, deputeti i PD-së duke iu drejtuar kolegëve të opozitës shtoi se "Se ju nuk mund të bëni dot gjyqtarin, se Kushtetuta ia ka ngarkuar Kolegjit Zgjedhor, juve nuk mund të bëni as prokurorin për të hapur kutitë, se këtë proces Kushtetuta ia ka besuar dikujt tjetër". Deputetja socialiste, Vasilika Hysi, duke iu kundërvënë demokratëve deklaroi se "me këtë qëndrim ju i kufizoni opozitës të drejtën ekskluzive që i ka dhënë Kushtetuta dhe me cilësimet që thoni ju e bëni ngritjen e komisionit kuvendor të panevojshëm", u shpreh Hysi. Deputeti i LSI-së, Nasip Naço, ka qenë pro ngritjes së komisionit hetimor parlamentar, duke kërkuar që PS-ja të pranojë që sekretarin ta ketë forca e tij politike që përfaqëson. "Hipokrizia e kërkesës shfaqet hapur kur ju kërkoni që komisioni të funksionojë për 24 muaj, çka dëshmon përpjekjen që të mbani nën presion maxhorancën dhe administratën dhe të pengoni vizat dhe të transferoni krizën e brendshme të PS në jetën e vendit. Në parim jam pro ngritjes së komisionit në bazë të parimeve kushtetuese. Vlerësojmë kërkesën e PS për përmirësime në të ardhmen të kuadrit ligjor, sipas rekomandimeve të OSBE që të ndalohen fenomenet negative", tha Naço. Deputeti i PD-së, Edi Paloka deklaroi se me mënyrën se si e kërkojnë këtë hetim, duke shkelur ligjin, nuk çon në hapjen e kutive të votimit. Pas mbi dy orë e gjysmë mbledhje, Rusmali e shtyu mbledhjen të hënën për të vazhduar me diskutimet e tjera.

debati ne komisionin e Ligjeve

Nasip Naço. LSI: Hipokrizia e kërkesës shfaqet hapur kur ju kërkoni që komisioni të funksionojë për 24 muaj, çka dëshmon përpjekjen që të mbani nën presion maxhorancën dhe administratën dhe të pengoni vizat dhe të transferoni krizën e brendshme të PS në jetën e vendit. Do keni vullnetin që grupi i LSI të ketë sekretarin administrativ në komision? Ju kërkoni të hapni kutitë, kur këto janë kompetenca të organeve kushtetuese. Në parim pro ngritjes së komisionit në bazë të parimeve kushtetuese. Vlerësojmë kërkesën e PS për përmirësime në të ardhmen të kuadrit ligjor, sipas rekomandimeve të OSBE që të ndalohen fenomenet negative.
Armando Subashi, PS: Dokumentacioni zgjedhor është akt administrativ dhe nuk përbën sekret shtetëror që prek sigurinë kombëtare në këtë pikëpamje, ato duhet të jenë të hapura jo vetëm për partitë, por për çdo individ që do të njihet me to. Hetimi parlamentar e drejta e pakicave. Raporti përfundimtar nuk ka fuqi detyruese për gjykatat, nuk mund të ndikojë për to, por mund të ndikojë në nivelin politik.
Edi Paloka, PD: Mendimi im është se i gjithë kjo loja e opozitës është hipokrizi. Gramozi (Ruçi) doli me disa karta identiteti të falsifikuara sipas tij, për këtë duhet të hetojë Prokuroria se si këto karta kanë ardhur në xhepin e Gramozit. Si i kanë ardhur Gramozit militantët e PD-së dhe i kanë thënë që ne kemi votuar nga tre here për PD. Më vjen mirë që dëgjoj raportin e OSBE, sepse deri dje thonit na janë vjedh votat dhe pa asnjë argument. është një lloj si me thënë unë tani, nuk maj mend kur u nisa nga shtëpia a kam lek apo jo? Por po fus dorën në xhep po nuk pata lek po ju kontrolloj juve një herë se mos mi keni marrë ju. Në rast se ju doni të përmirësoni zgjedhjet e ardhshme, që unë nuk e besoj aspak, hajde të ulemi dhe të bëjmë amendamentet e reja. Kështu si e kërkoni ju kutitë nuk hapen, kështu si i krijoni ju.
Shegush Ligori, PS: Kemi theksuar se megjithëse vendimet e KQZ dhe Kolegjit konsiderohen një turp, ne nuk hetojmë drejtësinë apo kundërligjshmërinë e vendimeve të KQZ-së dhe Kolegjit. Ato vendime kanë përmbyllur procesin zgjedhor në Shqipëri dhe certifikuar rezultatin e zgjedhjeve. Asgjë nuk mund të na ndalojë për të drejtën kushtetuese për informim të hetojmë zgjedhjet se si administrata zgjedhore ka përmbushur detyrimet, kjo jo për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, por për të parë se si është zbatuar ligji dhe për të bërë përmirësimet e nevojshme.
Enkelejd Alibeaj, PD: Socialistët kërkojnë hetim dhe gjejnë justifikim duke thënë se nuk duam ndryshim rezultati por transparencë. çka do të thotë se këta deputetë të rinj juristë apo jo janë gati të pranojnë demokraci të deformuar nëse dalin shkelje. Kjo tregon se PS ka dështuar në këtë iniciativë ligjore dhe ka dështuar që për 6 muaj kërkuan hetim dhe më pas konstatuan se nuk kishin bazë ligjore. Megjithatë, fali zot se nuk dinë çka bëjnë. Dështojnë dhe në aspektin juridik se sot nuk kërkojnë më hetim të procesit zgjedhor, por janë duke iu referuar të drejtës për informim. Ka truk të madh në iniciativë e PS.
Ilir Rusmali, PS: Fjalën e ka zonja Felaj
Ermonela Felaj, PS: Mbiemri im shqiptohet me theks te a.
Baza ligjore ekziston prandaj ne kërkojmë amendim të tij dhe jo ligj të ri. Rasti i Ruzhdies, nuk është aq i izoluar. Imagjinoni se ju është dashur të falsifikoni 325 të dhëna në një zonë e konsideroni bastionin tuaj, imagjinoni se çfarë është në zonat që i konsideroni bastionet tona.
Mesila Doda, PD: Ruzhdien ma lini mua.
Ermonela Felaj, PS: Të lutem zonjë, pasi të mbaroj unë, mund të flisni.
Mesila Doda, PD: Se kam marrë votat atje.
Ermonela Felaj, PS: Ti gëzosh zonjë. Minus 325 vota. Ne nuk kërkojmë të hetojmë vendimet e Kolegjit Zgjedhor dhe Prokurorisë.
Mesila Doda, PD: Ka 6 muaj që merrem me problemet e zonës atje.
Ermonela Felaj, PS: Ndoshta nga publiku kjo që ne kërkojmë tani mund të cilësohet kur keni ujkun ç'ju duhen gjurmët. Por ju ujku apo ujqërit se janë gjitarë që gjuajnë në grup le të merret prokuroria. Ne duhet të merremi me mbylljen e disa shtigjeve nga hyn ujku apo ujqërit..
Ilir Rusmali, PD: Ka shumë diskutime mbledhja mbyllet e fillojmë të hënën. Pastaj të martën shqyrtimi nen për nen
Bashkim Fino, PS: Zoti kryetar, jam kundër, ne jemi këtu të vazhdojmë dhe nesër dhe pasnesër
Ilir Rusmali, PD: Zoti Fino e dini që kryetari i komisioni ka disa kompetenca që i përdor
Bashkim FIno, PS: A ka vendim Gjykata Kushtetuese për këtë punë.

“Hetimin e bën Prokuroria, jo Parlamenti”
"Ne jemi absolutisht pro zgjidhjes së krizës politike, por jemi po ashtu absolutisht të vendosur të mos pranojmë injorimin që mund t'i bëhet Kushtetutës së vendit, themelit të demokracisë në një republike parlamentare. Kushtetuta e këtij vendi ndalon të hetosh mbi ato çështje, të marrësh dhe të shqyrtosh ato prova të cilat më parë janë shqyrtuar nga juridiksioni gjyqësor, dhe materialet zgjedhore, zotërinj, kutitë tuaja të ëndrrave, janë shqyrtuar njëherë nga juridiksioni gjyqësor. Nëse mendoni se ju e bëni më mirë punën e gjyqtarit, seç e kanë bërë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, nëse do t'i rimerrnit kutitë që vetë i keni mbyllur, kjo është puna juaj, dhe mund ta kërkoni jashtë Parlamentit, t'ia kërkoni kujtdo por jo këtij Parlamenti, dhe jo brenda tij. Se ju nuk mund të bëni dot gjyqtarin, se Kushtetuta ia ka ngarkuar kolegjit zgjedhor, juve nuk mund të bëni as prokurorin për të hapur kutitë, se këtë proces Kushtetuta ia ka besuar dikujt tjetër", tha deputeti demokrat, Eduard Halimi.

“Po kufizohet e drejta e hetimit”
"Me këtë diskutim që u bë këtu del se maxhoranca është kundër parimit të transparencës së zgjedhjeve, që është elementi themelor i një demokracie. Refuzimi që ju i bëni mundësisë së këqyrjes së dokumenteve bie ndesh me dy dokumente të rëndësishëm me Kushtetutën dhe ligjin për informimin. Ju injoroni haptas vendimin me numrat 18 dhe 20 të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht atë pjesë të vendimit numër 18, se kontrolli parlamentar ushtrohet në kontekstin e së drejtës kushtetuese të çdo shtetasi për të marrë informacion të nevojshëm. Sot diskutimi ia heq totalisht themelin komisionit hetimor parlamentar, jo vetëm për zgjedhjet e 28 qershorit, por për çdo lloj zgjedhje tjetër kur të ketë ankesa. Me këtë diskutim që bëtë sot, ju i kufizoni opozitës të drejtën ekskluzive që i ka dhënë Kushtetuta, vendimi 18 i Gjykatës Kushtetuese, për të përcaktuar objektin e hetimit dhe se kufizimet që po i bëni e bëjnë hetimin dhe madje ngritjen e komisionit hetimor të panevojshëm", tha socialistja Hysi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›