Pittella: Hetim i plotë për zgjedhjet
BLEDAR HOTI
Zëvendëspresidenti i parë i Parlamentit Evropian, Giovanni Pittella, pas takimit me kreun e PS, Edi Rama u shpreh për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009. Sipas zyrës së shtypit të PS-së, Pittella, pas takimit deklaroi se "hetimi i zgjedhjeve është një çështje me rëndësi të madhe që do t'i shërbejë maxhorancës sikurse edhe opozitës ndërsa konsideroi të përgjegjshëm vendimin e PS për të hyrë në Kuvend". "Mund të dilet nga kriza?! Padyshim që mund të dilet. Mund të dilet dhe e konsideroj si shumë të për-gjegjshme vendimin e PS-së për të hyrë në Parlament, por ama ka nevojë për qartësi, ka nevojë për transparencë sepse zgjedhjet duhet të jenë të pastra, dhe nuk duhen prekur nga asnjë lloj mashtrimi. Atëherë të mos shohim nga e shkuara, por të shohim drejt të ardhmes dhe të krijohen ato situata e kushte që do të lejonin që zgjedhjet e ardhshme të jenë zgjedhje mbi të cilat nuk rëndon asnjë dyshim", deklaroi Pittella. Përfaqësuesi i së majtës italiane në PE, Pittella në lidhje me rastin e Ruzhdies, tha se "unë lexova dokumentacionin dhe është me tërë mend e frikshme. Aty përshkruhen rastet, jo një e dy raste, por dhjetëra e dhjetëra situata në të cilat ka persona që rezultojnë të kenë votuar, por që nuk ishin të pranishëm në atë moment dhe në atë vend. Ka pasaporta që rezultojnë të jenë kontrolluar me numrin në procesverbalin e zgjedhjeve, por në fakt personat që kishin ato pasaporta deklarojnë se nuk kanë votuar. Pra, me një fjalë ka prova të pakundërshtueshme që tregojnë se ka pasur mashtrim. Dhe këto mashtrime vijnë si pasojë e korrupsionit". "Atëherë, duam t'u japim fund këtyre gjërave? Unë them, dakord, t'u japim fund këtyre gjërave për sa i përket të shkuarës, por këto gjëra nuk duhet të ndodhin në të ardhmen. Atëherë të ngrihet një komision hetimor, ky komision hetimor të vërtetojë kush ka gabuar, qofshin këta të së majtës apo të së djathtës kjo nuk ka rëndësi. Ka rëndësi të gjenden përgjegjësit dhe të parandalohet që kjo të ndodhë edhe në të ardhmen. Dhe unë uroj që Qeveria Shqiptare ta pranojë këtë propozim që është një propozim që nuk u shërben vetëm socialistëve por të gjithëve. Në të ardhmen të gjithë duhet të kenë të drejtat e tyre dhe detyrat e tyre, të gjitha partitë politike, e gjithë politika shqiptare duhet të konfigurohet si një politikë qartësisht evropiane", tha zëvendëspresidenti i PE-së.