E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, Kodër-Vila shembet sërish, bllokohet 4 orë rruga



DURRES - Vetëm gjatë 24 orëve të fundit mbi 700 metra kub dhe kanë rrëshqitur nga kodrat e Durrësit. Si pasojë është bllokuar përkohësisht linja urbane Durrës-Currila, e cila mban një ngarkesë të lartë ditore për shkak të mbi 3 mijë studentëve që ndjekin këtu universitetin. Po ashtu në "grackën" e baltës kanë rënë edhe autoveturat e vogla, kalimi i të cilave ka qenë i pamundur për afro katër orë. Shiu rifillon vrullshëm dhe toka rrëshqet sërish. Ky është një "refren" i përsëritur shumë herë në Durrës gjatë këtij dimri, por për fat të keq gjatë muajit mars fenomeni ka marrë përmasa të frikshme. Kodra e pambjellë me pemë e Durrësit po shkrihet nga shiu sikur të ishte "gjalpë" dhe sipërfaqja e tokës së humbur llogaritet me hektarë të tërë, nëse në inventar veç kodrave të Durrësit fut edhe "Shkëmbin e Kavajës", Porto-Romanon dhe disa zona të Ishmit. Gjatë orëve të natës një tjetër "ortek" balte është derdhur nga lartësia prej 100 metrash e kodrave të Durrësit, duke e nxjerrë praktikisht jashtë funksioni segmentin automobilistik Universitet-Currila. Veç disa shtëpive dëme të mëdha kanë pësuar edhe katër lokale bregdetare, muret dhe dyert e të cilave janë shqyer nga forca e argjilës në shkarje e sipër. Për të disatën herë gjatë këtij viti ka rifilluar nga Prefektura dhe Bashkia aksioni për pastrimin nga balta të rrugës-shëtitore. Sipas specialistëve të pyjores në terrenin argjilor të kodrave akacia do të ishte bima ideale për t'u mbjellë. Por fidanët e shtrenjtë të saj si dhe mungesa e specialistëve në gjendje për të mbjellë në një pjerrësi prej gati 90 gradësh, ka bërë që për momentin projekti i hartuar në bashki gjatë vitit 2004 të bëhet utopik. Shefi i pyjores Enver Maloku ka deklaruar se "në atë territor shanset më të mëdha për rritjen dhe mbijetesën e pemëve të mbjella kanë fidanët e akacies dhe të pishës". o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›