Dokle: Ruzhdia, krim elektoral i vërtetuar
Deputeti i Partisë Socialiste, Namik Dokle deklaroi dje se partia dhe grupi parlamentar socialist janë të vendosur ta çojnë deri në fund aksionin e tyre demokratik për hetimin e plotë dhe pa kufizim të zgjedhjeve, për mbrojtjen ligjore dhe kushtetuese të votës së lirë. "Data 18 Mars, dita kur Parlamenti do të shqyrtojë dy projektet e paraqitura nga opozita, është shansi i fundit për maxhorancën që t'i hapë rrugë demokracisë evropiane në Shqipëri, është shansi i fundit që të dalë nga errësira e krimit elektoral dhe të hap rrugën e transparencës", deklaroi Dokle. Sipas tij rasti i Ruzhdies është një krim elektoral i vërtetuar. "Rasti i Ruzhdies, krimi elektoral i vërtetuar tashmë katërçipërisht në atë qendër votimi, ia ka mekur zërin Kryeministrit dhe gjithë tellallëve të tij, brenda e përreth PD-së, por të zhytur në terrin elektoral ata nuk pranojnë hapjen e kutive sepse e dinë mirë çfarë kanë ato! Tashmë shqiptarët e dinë mirë çfarë ndodhi më 28 qershor. Edhe më mirë e dinë ata që e menduan, projektuan dhe e zbatuan krimin elektoral, duke filluar me Kryeministrin, ministrat, deputetët, dhe duke përfunduar me gjithfarë vagabondësh elektoralë", tha Dokle.