Tritol para shtëpisë së avokatit
SHKODER/ RITVAN DIBRA
Vetëm 15 minuta pasi avokati Gjon Lepuri ishte futur në shtëpi, një sasi eksplozivi shpërtheu në derën e saj. Rreth 500 gramë tritol u vendos pak minuta para mesnatës së të martës, në pallatin e lagjes "Qemal Stafa" të Shkodrës. Policia, ndonëse ka shoqëruar dhjetëra persona nuk ka mundur të zbulojë shkaqet apo autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë. Pas dyshimeve të para është pohuar se objekt i atentatorëve ka qenë banesa e avokatit 38-vjeçar, i cili jeton në katin e tretë të ndërtesës. Fillimisht është menduar për një shpërthim bombole gazi, e cila ka bërë të njoftohen zjarrfikësit. Por brenda pak çastesh është konstatuar se situata është më e rëndë se aq dhe se bëhej fjalë për vendosje të qëllimshme të lëndës eksplozive. Nga burime të policisë mësohet se avokati kishte çerek ore që kishte hyrë në shtëpi, kur ka ndodhur dhe ndezja e tritolit. Fuqia shpërthyese e tij ka bërë që të dëmtohet dera e jashtme e blinduar e shtëpisë së Lepurit, muri rrethues i banesës si dhe janë shkaktuar dëme materiale në banesat e tjera. Fatmirësisht, nuk ka pasur asnjë të lënduar nga banorët e pallatit. Forca të shumta policie kanë kryer verifikimet përkatëse në vendngjarje. Mëngjesin e djeshëm, grupit hetimor i janë bashkuar specialistë të antiterrorit nga Tirana. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes nuk i ka shpëtuar kontrollit as automjeti tip "Benz", pronë e avokatit, i cili ndodhej poshtë pallatit, nga dyshimet se mos është vënë eksploziv dhe makinës. Pas kryerjes së veprimeve hetimore grupi i ekspertëve ka arritur në përfundimin se në derën e shtëpisë së avokatit është vënë rreth 500 gramë eksploziv e llojit tritol, e cila ka shkaktuar dhe shpërthimin me pasoja materiale. Sipas informacioneve zyrtare të policisë së Shkodrës bëhet e ditur se pista kryesore e kësaj ngjarjeje ka të bëjë me detyrën që ushtronte avokati, që për ekspertët ka të bëjë me një formë paralajmërimi apo hakmarrjeje. Vetë Lepuri, i marrë në pyetje nga policia nuk ka bërë të njohur ndonjë çështje që mund t'i kishte sjellë probleme. Ai ka pohuar se prej vitesh mbron në gjykatë çështje civile dhe penale, por nuk ka pasur konflikte me klientët apo të afërmit e tyre. "Mendoj se gjithçka ka të bëjë me detyrën time si avokat pasi nuk kam asnjë konflikt personal", mësohet të ketë thënë Gjon Lepuri. Avokati, 38 vjeç, është i martuar dhe ka 2 fëmijë. Për policinë, kjo çështje është shumë e vështirë, pasi autorët nuk kanë lënë gjurmë në vendngjarje. Në polici u shoqëruan dje dhjetëra persona, por nuk ka ende emra konkretë të dyshuar.