Hetimi; Rama nuk kënaqet me shumicën në komision
Tiranë
Kreu i PS-së i është përgjigjur negativisht dje kërkesës së Kryeministrit Berisha, i cili pranoi të plotësonte kushtin e opozitës për një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet, ku ajo të kishte shumicën. Rama tha se përveç shumicës, PS kërkon të vendosë dhe objektin e hetimit, që është “hapja e kutive”. Ndërkaq protesta do të mbahet sot para zyrës së Kryeministrisë. Ashtu si në fushatën e qershorit, Rama ka zgjedhur rrugën për zhvillimin e protestës dhe jo sheshe, duke shmangur sheshet ku tradicionalisht janë bërë tubimet, sheshin “Skënderbej” dhe atë “Nënë Tereza”. Ai së bashku me aleatët e tij që mbetën jashtë Parlamentit do të protestojnë para Kryeministrisë, me pretendimin se zgjedhjet e fundit kanë qenë të parregullta dhe ka pasur manipulim rezultati.
Refuzimi i Ramës
Deklaratën e Kryeministrit të bërë dje se opozitës do i jepet mundësia të hetojë në Parlament zgjedhjet, por pa rënë në kundërshti me organet e tjera të drejtësisë, Rama e ka cilësuar provokim. “Sali Berisha thotë se është gati të na japë shumicën, por jo të drejtën për të vendosur për objektin e hetimit. Ndërkohë që objekti i hetimit të komisionit parlamentar nuk mund të kufizohet për asnjë çështje”, - tha Rama. Por ka pasur raste kur objektet e hetimit në komisionet hetimore parlamentare janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese si të papranueshëm nga ana kushtetuese e juridike. Këtij fakti, Rama i përgjigjet me fraza politike elektorale. “Ne kërkojmë t’i hapim kutitë e votimit bazuar në të drejtën që vetvetiu ka një komision hetimor parlamentar, që heton për një çështje të caktuar dhe kjo është çështja e çështjeve: zgjedhjet, liria dhe drejtësia e tyre në kushtet kur kemi prova tronditëse dhe dëshmi rrëqethëse që ato janë përmbysur, duke përmbysur vullnetin e popullit dhe nga ana tjetër, komisioni parlamentar që ne duam të ngremë, nuk i mbivendoset gjykatës apo organit të akuzës”, - tha ai lidhur me këtë fakt. Në këtë mënyrë duket se ajo që për pak u besua se do të ishte fillimi i fundit të bojkotit të opozitës, duke iu rikthyer jetës parlamentare dhe hetimit të zgjedhjeve, në të vërtetë nuk shënoi asnjë progres në këtë drejtim. Rama u shfaq i vendosur dje për të vazhduar protestat, që sipas tij, do të vijojnë në rrethe pas Tiranës.
Deputetët e Tiranës, thirrje për protestë, mungon Harasani
Deputetët e PS-së të zgjedhur në qytetin e Tiranës dolën dje në një konferencë të përbashkët, për t’iu kërkuar qytetarëve të bëheshin pjesë e protestës së opozitës. Në grupin e deputetëve mungonte Andis Harasani, i cili është pozicionuar tashmë në lëvizjen për mendim ndryshe dhe është kundër linjës politike që po ndjek Rama. Harasani bashkë me kolegët e tij pritet që të jenë pjesë e kësaj proteste, edhe pse nuk mbështesin bojkotin e Kuvendit nga ana e PS-së. “Ftojmë në protestë të shtunën në orën 5 pasdite përpara Kryeministrisë të gjithë ata burra e gra, të rinj e të moshuar që më 28 qershor votuan për të ardhmen e tyre, por që sot gjenden të manipuluar e të gënjyer nga një qeveri e nga një Kryeministër që demokracinë dhe shtetin ligjor e mban peng brenda kutive të votimit”, - tha Saimir Tahiri në emër të kolegëve të tij.