E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama fiton çmimin “Nobel për paqe”



Presidenti amerikan, Barack Obama, shpallet nobelist i paqes për vitin 2009. Obama nderohet për përpjekjet e tij për forcimin e diplomacisë dhe angazhimin për një botë pa armë atomike. "Barack Obama nderohet me çmimin “Nobel për paqen”, për përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes popujve", - kështu u shpreh në Oslo kryetari i Komitetit të çmimit “Nobel për paqen”, Thorbjërn Jagland. Në mënyrë të veçantë nderohet angazhimi i Obamës për një botë pa armë atomike. Si President, Obama ka krijuar një atmosferë të re në politikën ndërkombëtare - thuhet në argumentimin e Komitetit të çmimit “Nobel për paqen”. Diplomacia shumëpalëshe dhe rëndësia e OKB-së dhe e organizatave të tjera ndërkombëtare janë sërish në qendër të vëmendjes. Madje dialogu dhe bisedimet shihen si instrumente të preferuara edhe për zgjidhjen e konflikteve më të vështira ndërkombëtare. Nën drejtimin e Obamës SHBA po luan një rol konstruktiv edhe në politikën për klimën - sqarohet më tej në argumentim. "Rrallëkush ka tërhequr dhe fituar aq shumë sa Obama vëmendjen e botës dhe i ka dhënë popullit të vet shpresë për një të ardhme më të mirë", - thuhet në argumentimin e Komitetit të çmimit “Nobel për paqen”.

"Diplomacia e tij bazohet në përfytyrimin se ata që duhet të drejtojnë botën, duhet ta bëjnë këtë mbi bazën e atyre vlerave dhe përfytyrimeve që janë të përbashkëta për shumicën e popullsisë së botës", - vazhdon argumentimi. Pikërisht këto janë edhe pozicionet për të cilat angazhohet që prej 108 vjetësh edhe Komiteti i çmimit “Nobel për paqen”. Çmimi “Nobel për paqen” dorëzohet që prej vitit 1901 në kryeqytetin e Norvegjisë Oslo, në datën 10 dhjetor, ditën e vdekjes së Alfred Nobel-it. Ky çmim shoqërohet me dhjetë milionë korona suedeze (rreth 972.000 euro).

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›