Olldashi: Si do të jetë PD-ja “e re”
Jo rrallë këpucët e ministrit i ka lyer nëpër baltën e rrugëve që u ndërtuan në mbarë Shqipërinë. i pa nga afër që të gjitha. Udhëtoi në skajet më të largëta të vendit dhe gjithnjë në kthimin drejt Tiranës eci mbi rrugët e asfaltuara. Është “ndërtuesi” i infrastrukturës së re të Shqipërisë. Misionin e nisur do ta vazhdojë edhe përgjatë këtij mandati të ri qeverisës. Sepse Sokol Olldashi është rikonfirmuar si ministër i Punëve Publike dhe Transporteve. Në këtë intervistë për “standard”, ai tregon hartën e re të Shqipërisë së rrugëve moderne. Por ai ndalet gjatë edhe tek zhvillimet e fundit politike, tek raportet me PS-në, bojkoti i saj dhe si e sheh komoditetin e saj PD-ja me një Edi Rama në krye të PS-së. Sipas tij, Rama është personi më i përshtatëm në PS që e djathta të qëndrojë sa më gjatë në pushtet. Z. Olldashi flet për kongresin e afërt të PD-së, si do të jetë fytyra e ardhshme e partisë në pushtet dhe drejt cilave kapacitete do të synojë në garën për strukturat qendrore të PD-së. Ministri Olldashi, njëherësh deputet dhe anëtar i kryesisë së PD-së, pohon qartë se përmes zgjedhjeve të reja, do të bëhet rikonfirmimi i një pjese të stafit të vjetër të kësaj partie, por një hapësirë të gjerë do të kenë edhe prurjet e reja, si një imazh i ri për të djathtës shqiptare. “E parashoh një proces normal të harmonizimit të vlerave të PD-së-së, ku përfshihen padyshim edhe prurjet e reja”, - shprehet z. Olldashi. Ministri
Sokol Olldashi nuk shmang as mënyrën se si po qeverisë PD-ja me LSI-në dhe cilat janë synimet e aleancës në të ardhmen.
Bisedoi: Valentina Madani
Z. Olldashi, këpucët e ministrit u janë baltosur kushedi sa herë nëpër rrugët e reja në mbarë Shqipërinë, që qeveria juaj ndërtoi përgjatë mandatit që kaloi. Por pse gjithë kjo rëndësi e ndërtimit të infrastrukturës rrugore edhe gjatë mandatit 2009-2013?
Nuk është vetëm infrastruktura rrugore. Po i kushtojmë vëmendje të gjithë infrastrukturës në tërësi, ujit të pijshëm kanalizimeve, impianteve të pastrimit, mbetjeve të ngurta, të gjithë infrastrukturës së transportit dhe shërbimeve në përgjithësi. E bëjmë këtë, sepse për këtë ka nevojë vendi më shumë se për çdo gjë tjetër. Kemi ambicie të qarta, që në mandatin e dytë të tejkalojmë atë që u realizua në katër vitet e shkuara. Kjo është shumë e vështirë, por është tërësisht e arritshme.
Dhe cilat janë synimet kryesore në këtë rast?
Ne kemi premtuar të sigurojmë 24 orë ujë për të gjitha familjet shqiptare, të ndërtojmë akset më të shkurtra kombëtare si Boshti i Jugut, Tiranë-Elbasan-Berat-Kuçovë-Tepelenë, Rrugën e Arbrit, Bulqizë-Tiranë, Fierzë-Koman, Konispol-Sarandë, Vermosh-Shkodër, Qafë Plloçë-Qukës. Do të sigurojmë që çdo qytet në Shqipëri të lidhet me rrugën më të shkurtër me Tiranën. Çdo komunë të jetë jo më shumë se 15 minuta larg me makinë nga rruga kombëtare. Çdo fshat do të jetë i lidhur me komunën me rrugë të asfaltuar.
Tek dera e ministrisë po ju pret makina zyrtare, krejt ndryshe nga kolegët tuaj deputetë, të cilët hoqën dorë nga privilegjet e transportit rrugor vetëm para pak ditësh. I drejtë ky vendim?
Kam qenë në favor të këtij vendimi edhe kur kam qenë deputet dhe, sigurisht, do të jem në të njëjtin mendim edhe pasi të mos jem më ministër.
Ju jeni njëri nga tre ministrat e qeverisë i rikonfirmuar, në krye të Punëve Publike dhe Transporteve. Një fat apo besim?
Nuk më takon mua të bëj vlerësimet për këtë rast. Sigurisht ndihem mirë nga rikonfirmimi i besimit për të drejtuar një ministri, ku qendërzohen një pjesë e mirë e objektivave kryesore të qeverisë, sikundër e kam konsideruar fat dhe besim të madh faktin që në mandatin e kaluar, m’u dha mundësia të drejtoj dy ministri thellësisht të ndryshme, njëra me profil të fortë politik dhe tjetra shumë teknike.
Një qeveri e re, me një staf pothuajse tërësisht tjetër, si po ecën bashkëpunimi me LSI-në brenda kabinetit qeveritar?
Në fakt nuk është një qeveri tërësisht tjetër, pasi një pjesë e madhe e ministrave u rikonfirmuan, duke përjashtuar rastin e z. Gjana, një njeri me profil të fortë politik. Por, është normale që të ketë ndryshime që reflektojnë edhe ndryshimin e koalicionit. Për sa i përket bashkëpunimit me LSI, më shumë sesa një faktor solidifikues për shumicën, e shoh pozitivisht në një këndvështrim tjetër, në atë të krijimit të një risie politike siç është bashkëpunimi në qeverisje mes një partie të qendrës së djathtë dhe një partie të spektrit të majtë. Është një fazë e re e pjekurisë politike dhe demokracisë parlamentare në Shqipëri dhe besoj se të mirat e një bashkëpunimi të tillë do të jenë afatgjata.
Me krijimin e qeverisë së re, PD-ja duket se ka lëshuar shumë nga vetja duke u dhënë aleatëve më të rinj, atyre të LSI-së. Mendoni se ky fakt ka bërë shumë të pakënaqur brenda PD-së, çka mund të sjellë edhe distancimin e një pjese të elektoratit të djathtë? A i trembet kësaj lidershipi aktual i PD-së?
Nuk është e vërtetë që kemi lëshuar shumë terren dhe nuk është absolutisht e vërtetë që ka shenja pakënaqësie. Me një aritmetikë të thjeshtë, është lehtësisht e kuptueshme që partitë aleate kanë sot po aq ministri sa kishin dje, pra nuk ka asnjë zvogëlim të hapësirës së pushtetit që administrohet nga PD në favor të partive të koalicionit në tërësi apo LSI në veçanti. Për më tepër, nuk është dhe nuk ka se si të jetë i orientuar vertikalisht sipas linjave të varësisë së ministrive të ndryshme. Pra, ne me LSI-në apo me parti të tjera të koalicionit nuk ndajmë pushtet por bashkëqeverisim në të gjitha nivelet dhe kjo është thelbësore për mbarëvajtjen afatgjatë të koalicionit.
Po të nisemi nga numrat, kemi të bëjmë me një qeveri të brishtë. A do të jetë ajo e rezistueshme përgjatë 4 viteve, 2009-2013?
Po të nisemi nga numrat, kemi të kundërtën, kemi një shumicë të qëndrueshme ligjvënëse, në gjendje për të ndërmarrë reformat që i duhen vendit në këtë mandate. Pra nuk shoh asnjë arsye që një shumicë e qëndrueshme të mos jetë rezistente për të gjithë mandatin.
Pak ditë pas zgjedhjeve, Kryeministri Berisha nuk përjashtoi as mundësinë e aleanca me individë të veçantë. Ato ditë, kjo nënkuptoi qartë edhe me ndonjë prej deputetëve të PS-së. A do të tentojë PD-ja të afrojë ndonjërin prej tyre, për të krijuar një bazament më të fortë të qeverisë aktuale?
Në asnjë rrethanë Berisha nuk ka kërkuar aleanca me individë dhe as është përpjekur të bëjë diversion brenda pakicës socialiste. Madje, është deklaruar se edhe nëse do të kishim 72 apo 73 deputetë, përsëri do të kërkonim bashkëpunim me LSI-në, për të zgjeruar spektrin qeverisës dhe për të përfaqësuar më mirë në qeveri një shumicë edhe më të madhe se shumica e shqiptarëve. Për më tepër, çdo bashkëpunim politik duhet të ketë në themel moral dhe dinjitet. E kundërta është e vërtetë, ditët e para pas zgjedhjeve ka pasur përpjekje të jashtëzakonshme të Edi Ramës për të hyrë në pazar me individë nga kjo shumicë, duke ofruar para marramendëse në këmbim të ndërrimit të kampit politik dhe kjo është katërcipërisht e pamoralshme.
Mazhoranca e djathtë u votua më 28 qershor, duke pasur si lajtmotiv të saj reformat, në mënyrë të veçantë ato integruese. Por sa e vështirëson realizimin e tyre bojkoti i opozitës?
Ne u votuam për reforma dhe jemi vendosur të vazhdojmë reformat. Kemi numrat e duhur në Parlament për ta bërë këtë. Sigurisht do të ishte mirë që pjesë e procesit të ishte edhe opozita dhe shpresoj që herët apo vonë, do ta bëjnë këtë. Nuk besoj se të gjithë socialistët kanë dalë mendsh deri në atë pikë që të peshojnë më shumë fatin e keq të Ramës sesa nevojën edhe të popullit socialist për të ecur përpara.
Si e konsideroni rizgjedhjen e Edi Ramës në krye të PS-së? Rikonfirmimi i tij gjykoni se do ta afrojë PS-në me Parlamentin apo do ta mbajë pa një afat të caktuar larg Kuvendit?
Vulgare, po aq sa një ngrënie Lakrori... nga e cila Rama është lyrosur pa fund.
Kam përshtypjen se e djathta në Kuvend do të synojë bashkëpunimin me grupin e deputetëve kundërshtarë të Ramës, me qëllim vazhdimin e reformave integruese. Realisht do të tentojë mazhoranca që për hir të integrimit të krijojë qoftë dhe aleanca fluide?
Problemet brenda PS-së nuk janë tonat. Ne nuk kemi nevojë numrash. Nëse kërkohet kontributi i opozitës për reformat integruese, kjo nuk ndodh sepse ne nuk kemi numra, por se në mënyrë të natyrshme opozita duhet të jetë pjesë e tyre. Ky është një problem që i përket Partisë Socialiste që ta zgjidhë.
Shumëkush beson se PD-së i intereson një PS me Edi Ramën në krye. Ju si mendoni?
Po të llogaritësh komoditetin tonë elektoral, patjetër që Rama është personi më i përshtatshëm në krye të PS-së.
Në një dalje të fundit publike, ish-kryetari socialist, Fatos Nano, la të hapur mundësinë e rivalizimit të Ramës në garën për kryetar bashkie, por shprehu edhe ambicien për President të ri të vendit. Ju si e gjykoni këtë sfidë të z. Nano?
E gjykoj si një sfidë të zotit Nano. Sigurisht është në të drejtën e tij të mëtojë angazhime të niveleve të ndryshme në politikë. Z. Nano ka qenë një protagonist politik përgjatë 20 vjetëve të fundit dhe unë jam njeri që respektoj karrierën politike dhe fuqinë politike të njerëzve dhe kjo matet me vota.
Zgjedhjet e brendshme të PD-së, të ndërprera për shkak të zgjedhjeve të 28 qershorit, kur do të zhvillohen?
Besoj që rreth vjeshtës së vonë.
Sipas jush, duhet të ketë ndryshime të thella në strukturat e PD-së, në Kuvendin e ri të saj?
Për mendimin tim nuk ka arsye të priten ndryshime të thella. Partia Demokratike është një forcë fituese gjë që do të thotë që ekipi drejtues i saj është ekip fitues dhe i rimandatuar nga shqiptarët për të qeverisur. Për këtë arsye, sikurse nuk pati ndryshime të forta në qeveri, nuk besoj se do të ketë ndryshime të forta as në strukturat e PD-së. E parashoh një proces normal të harmonizimit të vlerave të Partisë Demokratike, ku përfshihen padyshim edhe prurjet e reja.