Hetimi i 28 qershorit; Berisha, Ramës: Merre shumicën dhe kreun e komisionit
Kundrejt pretendimeve të PS-së, Kryeministri Berisha i ofron asaj gjithë mbështetjen që kërkon, por pa shkelur ligjet e vendit. Z. Berisha lajmëroi dje se është gati të pranojë kërkesën e z. Rama që opozita të marrë shumicën e komisionit kuvendor për hetimin e zgjedhjeve. Në këtë mënyrë, z. Berisha i bëri thirrje Edi Ramës që t’i japë fund bojkotit të Parlamentit dhe të kontribuojë në procesin e liberalizimit të vizave. Por, Kryeministri shtoi se kutitë e votimit nuk mund të rihapen, duke i sugjeruar PS-së që t’i drejtohet prokurorisë me të gjitha provat që ka për abuzime me procesin apo vjedhje të votës.
Mazhoranca qeverisëse i krijon PS-së të gjitha mundësitë e duhura politike për të hyrë në Kuvend. Kundrejt pretendimeve të opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit, Kryeministri Sali Berisha i ofron asaj gjithë mbështetjen që kërkon, por pa shkelur ligjet e vendit. Z. Berisha lajmëroi dje se është gati të pranojë kërkesën e kryesocialistit Edi Rama që opozita të marrë shumicën e anëtarëve të komisionit parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Madje, nëse do, PS-ja le të marrë dhe kreun e komisionit kuvendor. Në këtë mënyrë z. Berisha i bëri thirrje Edi Ramës që t’i japë fund bojkotit të Parlamentit dhe të kontribuojë në procesin e liberalizimit të vizave. Por, Kryeministri shtoi se kutitë e votimit nuk mund të rihapen, duke i sugjeruar PS-së që t’i drejtohet prokurorisë me të gjitha provat që ka për abuzime me procesin apo vjedhje të votës. “Përcaktohem që të bëj çdo lëshim që nuk cenon ligjet e vendit, po nëse ne bëjmë kompromis për t’i vënë kazmën shtetit ligjor, kjo është gjëja më e rëndë që mund të bëjmë. Ftoj opozitën të vijë në Kuvend dhe të ketë shumicën në komisionin parlamentar dhe të përcaktojë frymën dhe gërmën e tyre në ligje. Jam gjithnjë i vendosur t’i njoh opozitës të drejtën e vendimmarrjes për problemet zgjedhore", - deklaroi z. Berisha. Përmes një konference për shtyp, Kryeministri Berisha i sugjeroi opozitës që në vend të protestave t'i drejtohet prokurorisë, duke i paraqitur të gjitha pretendimet që ka për manipulime të zgjedhjeve. Berisha vuri në dukje se asnjë prej drejtuesve të shtetit nuk mund t'i vërë në diskutim vendimet e gjykatës, ndaj prokuroria është zgjidhja e vetme. "Nuk ecet përpara, duke bërë protesta. I sugjeroj Ramës t'i drejtohet prokurorisë, sepse ky institucion varet nga ligjet dhe në bazë të argumenteve të paraqitura mund të hapë hetimet", - u shpreh Kryeministri i vendit. Gjithsesi, Berisha, ndonëse e pranoi këtë kërkesë, madje tha se përpos saj do t’i japë dhe kreun e komisionit, sqaroi se nuk bëhet fjalë që në atë komision të shtrohet çështja e rinumërimit të fletëve të votimit përmes rihapjes së kutive, duke theksuar se kutitë nuk do të rihapen. Këtu Berisha i bëri thirrje publike Ramës t’i paraqesë ankesat e tij në prokurori. “Prokuroria ka tagrin të marrë të gjitha vendimet e duhura. Rama të gjejë të gjitha argumentet, pretekstet t’i paraqesë prokurorisë dhe qoftë ajo e rretheve apo qoftë Prokuroria e Përgjithshme kanë tagrin e plotë të hetimit, të urdhërimit, të shqyrtimit të çështjes. Nëse dalin jashtë sistemit gjyqësor, unë e garantoj zotin Rama se ky është interesi më i keq i çdo qytetari shqiptar, i çdo force politike”, - u shpreh Berisha. Komenteve të tij për qëndrimin opozitar, Kryeministri i shtoi dhe qëndrimin e shprehur në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet. Krahas vlerësimit për standardet, ndërkombëtarët u shprehën se nuk pati të dhëna për manipulim të procesit të 28 qershorit.