Premtimi i Berishës: Do sjell eshtrat e Mbretit Zog në atdhe
Kryeministri Berisha njoftoi dje se qeveria do të ngrejë një komision shtetëror për të kthyer në atdhe eshtrat e Mbretit Zog dhe anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore që prehen në Paris. Sipas tij, autoriteti suprem shtetëror i vendit do të kujdeset që t'i bëhen të gjitha nderimet shtetërore që i takojnë mbretit të parë të shqiptarëve dhe familjes mbretërore. Mbreti Zogu i Parë do të ketë një protokoll e ceremoni të denjë për kryetarin e shtetit dhe mbretin dhe bashkë me personalitete të tjera do të gëzojë të gjitha nderimet e këtij vendi dhe ata do të rikthehen në Shqipëri, në panteonin e kombit të tyre.
Lindi një ditë vjeshte shqiptare për të mbretëruar bashkëkombësit e tij me modelin më të mirë të mundshëm, lundroi mbi detra dhe ujëra të huaja derisa trupi iu preh në një tokë parisiane. Por, Ahmet Zogu i përket historisë shqiptare, sepse një pjesë të saj e krijoi vetë ai, duke hedhur themelet e shtetit të parë më modern të Shqipërisë. Është qeveria e kryesuar nga Sali Berisha ajo që jo vetëm i njeh kontributin e pamohueshëm në ndërtimin e shtetit, por merr përsipër të sjellë në Shqipëri eshtrat e familjes mbretërore. Kryeministri Berisha njoftoi dje përmes një konference për shtyp se qeveria do të ngrejë një komision shtetëror për të kthyer në atdhe eshtrat e Mbretit Zog dhe anëtarëve të tjerë të familjes mbretërore që prehen në Paris të Francës. Sipas tij, autoriteti suprem shtetëror i vendit do të kujdeset që t'i bëhen të gjitha nderimet shtetërore që i takojnë mbretit të parë të shqiptarëve dhe familjes mbretërore. Mbreti Zogu i Parë do të ketë një protokoll e ceremoni të denjë për kryetarin e shtetit dhe mbretin dhe bashkë me personalitete të tjera do të gëzojë dhe do të ketë të gjitha nderimet e këtij vendi dhe ata do të rikthehen në Shqipëri, në panteonin e kombit të tyre. Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje se qeveria shqiptare merr këtë vendim, duke njohur Ahmet Zogun, Kryeministër, President dhe më vonë Mbret i shqiptarëve, si arkitektin e shtetit modern shqiptar, si një prej personaliteteve më të mëdha, më të shquara, me kontribut më madhor në historinë e kombit shqiptar. “Vitet para se Ahmet Zogu të zgjidhej Kryeministër, President dhe më pas të kurorëzohej Mbret i shqiptarëve janë karakterizuar nga një veprimtari e madhe e gjithanshme patriotike, e zjarrtë e tij që nga pavarësia deri në momentin e zgjedhjes së tij si Kryeministër dhe më pas si President i vendit”, - tha z. Berisha. Kryeministri saktësoi se familja mbretërore ka një varrezë të sajën në Tiranë dhe ky do të jetë vendi ku do të prehen eshtrat e Mbretit Zog. Më tej, Berisha nuk i kurseu lëvdatat e tjera për Mbretin Zog i Parë, ndërsa kritikoi Kongresin e Përmetit, i cili përjashtoi meritën e Zogut. Gjithashtu, Berisha foli dhe për arratinë e Mbretit Zog që e quajti mërgim dhe evidentoi respektin që, sipas tij, kishin autoritetet franceze për të ndjerin, eshtrat e të cilit aktualisht prehen në Francë. Z. Berisha përmendi veprimtarinë e madhe dhe të gjithanshme patriotike të Mbretit Zog, që nga pavarësia e deri në momentin e zgjedhjes së tij si Kryeministër dhe si President i vendit. "Ahmet Zogu, pas pushtimit të vendit, u larguan në azil, për të vazhduar luftën për çlirimin e Shqipërisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai mbështeti fuqishëm lëvizjen çlirimtare të kombit shqiptar, të përfaqësuar nga tribunë popullorë, si Abaz Kupi dhe luftëtarë të tjerë të lirisë", - tha kreu i qeverisë. Berisha shtoi se gjatë gjithë Luftës II Botërore, nga Londra ku ishin të mërguara të gjitha oborret e pushtuara nga fuqitë e Boshtit, ai mbështeti fuqishëm lëvizjen çlirimtare të kombit shqiptar, u përfaqësua në këtë luftë nga tribunë popullorë, si Abaz Kupi dhe luftëtarë të tjerë të mëdhenj të lirisë. “Në mënyrën më antishqiptare, Kongresi i Përmetit, aleatin e aleatëve në Luftën II Botërore, Mbretin Zog, e ndaloi të rikthehej në Shqipëri dhe nisi një sagë të pafundme shpifjesh, trillimesh, falsifikimesh ndaj tij”, - u shpreh z. Berisha.
Falënderimi për Berishën, Princi Leka e shkruan në Facebook
Princi Leka I zgjodhi dje rrjetin social të komunikimit, atë përmes Facebook, për të falënderuar Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave, i cili do të mundësojë kthimin e eshtrave të Mbretit të shqiptarëve në Shqipëri. Princi Leka shkruan: “Më lejoni të shpreh falënderimet e mia, në emër të Familjes Mbretërore për Kryeministrin Sali Berisha dhe qeverinë e drejtuar prej tij, për vendimin e marrë prej tyre, për rikthimin e eshtrave të Mbretit Zog I, në Varrezën Mbretërore në Tiranë”.
Zogu, nga froni mbretëror, në Kanë
Mbreti Ahmet Zog, i lindur më 8 tetor 1898, në Burgajet (Mat) ishte politikan shqiptar, ministër i Brendshëm, 30 janar 1920-14 nëntor 1920, Kryeministër i Shqipërisë në vitet 1922-1924, President në vitet (1925-1928) dhe Mbreti i Parë i shqiptarëve në periudhën 1928-1939. Më 9 prill 1939, duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria. Më 10 prill 1939 vendoset në Greqi dhe fillon jetën në azil në vende të ndryshme të botës. Mbreti Zog ndërroi jetë në Kanë (Francë) në 6 prill 1961.
Negociata me Indinë edhe për eshtrat e Nënë Terezës
Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje se po bëhen negociata edhe për kthimin e eshtrave të Nënë Terezës dhe burrit të madh të kombit, Mithat Frashëri. Ai vuri në dukje: “Qeveria ime do të bëjë të gjitha përpjekjet që personalitetet e mëdha të kombit të prehen në vendin e tyre. Ne kemi filluar negociatat dhe po negociojmë me qeverinë e Indisë dhe do t’i intensifikojmë gjatë këtij viti këto negociata, në mënyrë që, po të jetë e mundur, në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, të rikthejmë eshtrat e saj dhe ajo të prehet në Shqipëri”.
“Për Nolin, vështirësi, i përket Kishës Ortodokse”
Për sa i përket kundërshtarit politik të Ahmet Zogut asokohe, Fan Noli, i cili prehet në Boston, kreu i qeverisë Sali Berisha bëri të qartë se kthimi i eshtrave të tij në Shqipëri është paska më i ndërlikuar, për faktin se ai konsiderohet si babai shpirtëror i Kishës Ortodokse atje, por ai siguroi se do të vazhdojnë përpjekjet dhe do të diskutohet me përfaqësuesit tanë të diasporës. “Por, ka edhe një problem, si primat i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Noli frymëzoi dhe frymëzon diasporën shqiptare në atdhetarinë e saj, në dashurinë e saj të pakufishme ndaj Shqipërisë, ndaj dhe Kisha Shqiptare e Bostonit e ka Nolin realisht si shenjtorin e saj të pashpallur”, - u shpreh z. Berisha.
PD-ja riktheu Konicën në ‘90-n
Në vitet ’90, qeveria e parë demokratike ktheu në atdhe eshtrat e poetit, shkrimtarit, diplomatit, atdhetarit të shquar, Faik Konica. Konica prehet, së bashku me vëllezërit Frashëri, në Kodrat e Liqenit. Pas tij, qeverisja e djathtë vazhdon përpjekjet për kthimin e personaliteteve të tjera të kombit, të cilët për shkaqe të shumta migruan në botë dhe eshtrat e tyre prehen në tokë të huaj.