Hetimi, Spahiu: Do t`i drejtohem Kushtetueses
Zv. Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu vetëm pak orë pas vendimit të komisonit të ligjeve për të nisur procedurat e shkarkimit të tij vendos t`i drejtohet Gjykatës kushtetuese duke e cilësuar kërkesën e mazhorancës si politike.
Sipas Spahiut ngritja e komisionit hetimor për punën e tij është antikushtetues, njësoj siç është kërkesa për tu shkarkuar nga Kuvendi.
“Vendosa të distancohem nga këto nisma antikushtetuese, nuk do të marrë pjesë kurrë në punimet e këtij komisioni që ngrihet në kushtet antiligjore dhe kushtetuese, kur ky pushtet nuk drejton zërin e një drejtuesi, si mundet të dëgjojë zërin e qytetarëve që e kanë votuar. Prej ditës së sotme kam vendosur së bashku me këshilltarët e mi, të përgatisim materialin për t`iu drejtuar GJykatës Kushtetute, me kërkesë zyrtare për të vlerësuar antikushtetueshmërinë e komisionit që propozohet të ngrihet për shkarkimin tim”- tha Spahiu, duke shtuar se betejat që janë adresuar në Kushtetuese janë beteja të fituara.
Gjithashtu Spahiu bëri me dije se u nxorr me dhunë nga mbledhja e Komisionit të Ligjeve, ku nuk u lejua të lexonte fjalën e përgatitur, ndërkohë që theksoi se po persekutohet politikisht ndërsa ka sqaruar se motivet e shkarkimit të tij janë të një pushteti që synon të përdhosë e të mbajë nën kontroll drejtësinë, ndërkohë që argumentet për shkelje të Kushtetutës nga ai, janë thjesht të sajuara e të pabaza.
Në seancën dëgjimore në komisionin e ligjeve Kreshnik Spahiu nuk u lejua të argumentonte mbrojtjen para deputetëve pasi u nxorr jashtë sallës nga kryetari i komisionit Ilir Rusmajli.