Maturantët pa dëftesë, rregulla të reja për marrjen e dublikatës
Ministria e Arsimit përcakton rregullat që duhet të ndjekin maturantët, të cilët e kanë mbaruar arsimin e mesëm, por nuk zotërojnë Dëftesë Pjekurie. Për këtë arsye, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka firmosur në datën 2 shkurt të këtij viti udhëzimin “Për procedurën e lëshimit të dublikatave për përfundimin e arsimit të mesëm”. Nëpërmjet këtij udhëzimi, kreu i Arsimit urdhëron që për personat që kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe nuk disponojnë Dëftesën e Pjekurisë, të ndiqet procedura më poshtë. Fillimisht, kërkuesi duhet të depozitojë kërkesën në drejtorinë arsimore rajonale (DAR) ose zyrën arsimore (ZA) që mbulon shkollën ku kërkuesi ka përfunduar arsimin përkatës, për t’u pajisur me një Dëftesë Pjekurie (dublikatë). Pas kësaj, DAR/ZA duhet të përcjellë kërkesën te shkolla e mesme. Dëftesa e Pjekurisë (dublikatë) do të plotësohet nga drejtori i shkollës, sipas përcaktimeve në këtë udhëzim dhe do t’i përcillet zyrtarisht DAR/ZA-s. “DAR/ZA ta legalizojë sipas procedurave për dokumentacionin që destinohet jashtë shtetit dhe ta dërgojë në MASH. Dëftesa e Pjekurisë (dublikatë) të legalizohet sipas udhëzimeve përkatëse në MASH. Kërkuesi ta tërheqë Dëftesën e Pjekurisë (dublikatë) vetëm në MASH”, - përcaktohet në udhëzimin e ministrit të Arsimit. Në rast se shkolla ku kërkuesi ka përfunduar studimet është mbyllur, atëherë do të ndiqet procedura më poshtë: pas marrjes së kërkesës, DAR/ZA kryen verifikimin pranë institucionit ku mbahet dokumentacioni zyrtar i shkollës përkatëse; bazuar në rezultatin e verifikimit, DAR/ZA plotëson Dëftesën e Pjekurisë (dublikatë) për kërkuesin, e cila firmoset dhe vuloset nga drejtori i DAR/ZA-së. Në vijim veprohet sipas rregullave të cituara më sipër. Kurse në rastet kur një autoritet i huaj kërkon konfirmim të përfundimit të studimeve për një individ në një cikël të caktuar parauniversitar, sipas një formulari të caktuar, plotësimi dhe konfirmimi zyrtar do të bëhet nga MASH-i. Procedura e verifikimit të kryhet nga DEPU (MASH), ndërsa plotësimi dhe konfirmimi zyrtar të bëhet nga sekretari i përgjithshëm i MASH-it. Ndërkaq, përveç rregullave të reja për marrjen e Dëftesës së Pjekurisë (dublikatë), për maturantët që nuk e kanë marrë ende këtë dokument, ministri Tafaj ka vendosur që ato të lëshohen sipas formatit standard të Dëftesës së Pjekurisë, me ndryshimet e mëposhtme: në faqen e parë, poshtë fjalëve “Dëftesë Pjekurie”, të shkruhet “Dublikatë” me të njëjtën tip dhe përmasë germe; në faqen e dytë, te kolona e lëndëve, të mos shkruhen lëndët, por këto të plotësohen me shkrim dore sipas planit mësimor të shkollës; te kolona “Lëndët mësimore” të krijohen 30 rreshta për të përfshirë maksimumin e mundshëm të numrit të lëndëve për disa tipa shkollash. Së fundi, kjo procedurë zgjat deri 15 ditë nga data e depozitimit të kërkesës dhe kërkuesi paguan vetëm tarifën standarde të legalizimit në MASH.