E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i 21 Janarit Prokuroria: Rrjedhja e informacionit, jo nga ne

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme me anë të një njoftimi për mediat, ngre shqetësimin lidhur me informacionet e publikuara në media për hetimet e ngjarjeve të 21 Janarit. Sipas këtij institucioni në hetime marrin pjesë edhe institucione të tjera si policia, ekspertë të kriminalistikës, apo të mjekësisë ligjore. Pikërisht kur gjatë hetimit kanë qënë edhe këta të fundit, ka pasur rrjedhje informacioni në media.

"Përpara se të shprehim vlerësimin tonë mbi këtë shqetësim, dëshirojmë të bëjmë me dije përpara opinionit publik se Prokuroria, gjatë kryerjes së veprimeve të saj hetimore, kërkohen njohuri të posaçme nga ekspertë të fushave përkatëse, bashkëpunon edhe me institucione të tjera. Ndaj, nisur nga komentet mbi të dhënat e publikuara në media, pavarësisht vërtetësisë apo deformimit të tyre, si dhe nga verifikimet e kryera nga ana jonë referuar këtyre rasteve, është konstatuar se këto të dhëna mbi të cilat është mbështetur media, janë marrë në ato raste kur gjatë procesit hetimor kanë qenë të përfshirë edhe institucione të tjera, siç janë Policia e Shtetit, ekspertë të kriminalistikës apo të mjekësisë ligjore",- thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, "Në asnjë rast, kur të dhënat e hetimit kanë qenë të administruar nga prokurorët dhe oficerët gjyqësorë të çështjes, nuk ka ndodhur që të ketë pasur rrjedhje informacioni mbi procesin hetimor. Prokuroria Shqiptare ka ndjekur me përkushtim dhe profesionalizëm detyrat e saj për të hetuar në mënyrë të plotë, të gjithëanëshme dhe objektive për të gjitha rrethanat dhe pistat e hetimit si për ngjarjet e 21 janarit ashtu edhe çështje të tjera që lidhen me punën e saj të përditshme",- theksohet më tej.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›