Hetimi i 21 janarit, Rama: I padrejtë nëse nuk përfshihet Berisha dhe Basha
Tiranë Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një prononcim për shtyp ka inkurajuar punën e prokurorisë për zbardhjen e 21 janarit, dhe sipas tij duhet të hetohen personat politikë që dhanë urdhër për vrasjet.
Rama është shprehur se hetimi do të ishte i padrejtë në qoftë se Prokuroria përveç autorëve të vrasjes së 4 personave të mos hetonte dhe dy figurat politikë që urdhëruan hapjen e zjarrit, kryeministrin Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Bashën
Shprehemi për një mbështetje pa ekuivok për prokurorinë, por pa hetuar Berishën dhe Bashën, hetimi ndaj cdo figure tjetër politike ngjan i padrejtë. Si mund të mos hetohen 2 hallkat vrastare të 21 janarit. Ska komandant Garde që urdhrin e jep pa e marrë nga lart. Komandanti i Gardës mund të pranojë të bëhet kokë turku, por drejtësia shqiptare nuk mund të ndalet vetëm me arrestimin e tij. Drejtësia do ishte e paplotë dhe vrasjet do mbeteshin të pandëshkuara – u shpreh Rama.
Në vazhdim kreu socialist e ka vlerësuar punën për zbardhjen vrasësit të të ndjerit Faik Myrtaj dhe ka kërkuar që prokuroria të gjejë dhe autorët e tre vrasjeve të tjera.
Në emër të grupit parlamentar të PS përgëzoj prokurorin për hapin e madh që u hodh në rrugën e drejtësisë për 21 janarin. Identifikimi i plotë i vrasësit të të ndjerit Faik Myrtaj, komandanti famëkeq dhe arrestimi i tij, është një lajm lehtësues. Edhe pse mbeten 3 vrasje të tjera për tu zbardhur. Rol të madh ka luajtur FBI, mirënjohje SHBA për mbështetjen totale që po i japin hetimit. Dhe arrestimi i ekzekutorit të pamjeve filmike është një lajm i mirë për procesin hetimor, që duam të besojmë se duhet bërë deir në fund, – vazhdoi ai.
Lidhur me kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të 3 deputetëve socialistë, Rama u shpreh se është dakort me këtë kërkesë dhe madje është i gatshëm që prokuroria të hetojë edhe atë.
Asnjë ngurrim nga ne, nëse prokuroria kërkon mandatet e 3 deputetëve. Unë personalisht jam gati të hetohem së bashku me ta, dhe se kuptoj se cfarë kanë bërë 3 deputetët më shumë se unë në organizimin e demonstratës së 21 janarit. E di fare mirë që asnjë nga deputetët ska bërë më shumë vetë për të organizuar demonstratën e 21 janarit. Ne të gjithë deputetët jemi të gatshëm të kontribuojmë në procesin hetimor, duke thënë të vërtetën , më shumë se të vërtetën asgjë më shumë se të vërtetën. Apel prokurorisë, të na përfshijë të gjithëve mua të parin në hetimt e saj dhe kam gjithë gatishmërinë të jap kontributin tim ashtu sic kemi të gjithë gatishëmrinë për të dhënë kontributin tonë- tha Rama.
Gjithashtu ai është shprehur se shpreson që ky proces të mos jetë i njëjtë me shumë procese të tjera gjyqësore që sipas tij e kanë dëmtuar dhe fyer rëndë popullin shqiptar.
Shkrime të tjera me interes:
- Hetimi i “21 janarit, Ina Rama: Protestuesi Faik Myrtaj u vra nga kreu i Gardës, Ndrea Prendi Tiranë- Ndrea Prendi, ish-kreu i Gardës së Republikës është autori...
- Hetimi i 21 janarit, Rama: Komunikimi im me Ina Ramën ka qënë vetëm publik Tiranë- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë një interviste...
- Viktimat e 21 janarit, Rama viziton familjen e Hekuran Dedës Tiranë- Kryetari i socialistëve Edi Rama ka vizituar sot familjarët...