E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vrasësi i bashkëshortit tim të varet në litar!”

TIRANE - Ka shtangur dhe përdisa minuta është dridhur kur ka dëgjuar emrin e vrasësit të bashkëshortit të saj, Faikut. Ka ngulur sytë në ekranin e televizorit, duke fiksuar personin që i shkaktoi tragjedi në familje. Mahmude Myrtajt nuk i besohet se komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi është vrasësi i vërtetë i babait të fëmijëve të saj. “Edhe nëse Prendi vrau tim shoq, urdhri i është dhënë nga dikush tjetër. Nuk dua ta shfajësoj për krimin që ka bërë, përkundrazi kërkoj dënim maksimal ndaj tij”, - pohoi Mahmudeja. Në një intervistë dhënë mbrëmë për “Gazeta Shqiptare”, bashkëshortja e Faik Myrtajt, i cili u vra më 21 janar të vitit të kaluar deklaroi se kërkon drejtësi të vërtetë. Ndërkohë, ajo u bëri apel organeve kompetente që vrasësi i burrit të saj, cilido qoftë ai të varet në litar.
Prokuroria e Tiranës lëshoi dje flet-arrestin për Komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Si e mësuat lajmin për vrasësin e bashkëshortit tuaj, Faik Myrtaj.
Në ora 16:00 u ktheva nga puna në shtëpi. Më është bërë zakon që të hap menjëherë televizorin dhe të dëgjoj lajmet. Në moment pashë se “News 24” po jepte me titra lajmin për Ndrea Prendin. U shtanga. Nuk po më mbanin gjunjët. Është e tmerrshme të dëgjosh se cili është personi që të ka vrarë burrin, babain e fëmijëve. U bë një vit që unë dhe pjesëtarët e familjes kërkojmë që të zbardhet e vërteta e vrasjes së bashkëshortit tim Faikut, por edhe viktimave të tjera të 21 janarit të vitit të kaluar. Më në fund prokuroria vuri gishtin tek vrasësi dhe pikërisht tek komandanti i Gardës së Republikës.
Mendoni se komandanti i Gardës së Republikës është vërtetë vrasësi i bashkëshortit tuaj?
Nuk mund të them me saktësi nëse ai Ndrea Prendi është vrasësi i bashkëshortit tim. Lajmin e dëgjova në televizor. Më pas ndoqa prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, e cila në prezencë të ambasadorit amerikan deklaroi se komandanti i Gardës së Republikës është personi që qëlloi për vdekje burrin tim të pafajshëm. E rëndësishme është që të gjendet fajtori, i tragjedisë së familjes time, cilido qoftë ai. Edhe nëse Prendi vrau tim shoq, urdhri i është dhënë nga dikush tjetër. Si ushtarak që është ai ishte i detyruar të bënte atë që bëri. Nuk dua ta shfajësoj për krimin që ka bërë, përkundrazi kërkoj dënim maksimal ndaj tij. Unë dua që Drejtësia të gjej personin e saktë që më vrau burrin. Motivin e krimit, pra pse e vrau. Faiku ishte një protestues i thjeshtë, si gjithë qytetarët e tjerë, aspak i dhunshëm.
Çfarë mësuat konkretisht për vrasjen e bashkëshortit tuaj më 21 janar të vitit të kaluar?
Mësova se komandanti i Gardës kishte qëlluar 11 herë me pistoletë dhe më pas ka ndërruar tytën e armës për të fshirë gjurmët e krimit. Dua të them se e vërteta, herët ose vonë del në shesh dhe vrasësit duhet të ndëshkohen. Sot (dje) ndihem më e lehtësuar.
Cili është apeli juaj?
Kërkoj drejtësi të vërtetë dhe jo matrapazllëqe. Vrasësi, cilido qoftë ai duhet të varet në litar. Si grua dhe si nënë unë nuk mund të fal personin që më vrau bashkëshortin, babanë e fëmijëve të mi. Faiku nuk i kishte borxh askujt, as komandantit të Gardës së Republikës dhe aës kryeministrit Berisha. Përveçse më vranë burrin, më vranë dhe djalin (qan me dënesë).

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›