Hetimi i Aldo Hoxhës, 2 prokurorë dhe 2 gjyqtarë kanë shkelur ligjin
Tiranë- Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar një inspektim një javor në dosjen penale të të akuzuarit Aldo Hoxha dhe ka zbuluar me shkelje veprimtarinë e dy prokurorëve dhe dy gjyqtarëve.
Sipas një njoftimi për shtyp, nga ky kontroll i përgjithshëm u kontrolluan 3 procedime penale, të cilat përfshijnë veprimtarinë e 4 prokurorëve. Në procedimet e kontrolluara u verifikuan me shkelje 2 prokurorë.
Shkeljet lidhen me rregullat për fillimin e ndjekjes penale, kryerjes jo të rregullt të veprimeve hetimore, si dhe aplikimin e një politike të butë penale në gjykim.
jithashtu, është konstatuar se politika penale e ndjekur nuk është në raport të drejtë me rëndësinë e veprës, rrezikshmërinë e saj dhe autorit të veprës penale, si dhe nuk i përgjigjet qëllimeve parandaluese të dënimit.
Poashtu janë kapur në shkelje edhe 2 çështje themeli, shkelje të cilat ju atribuohen 2 gjyqtarëve në rrethet gjyqësore Tiranë dhe Durrës. Shkeljet lidhen me zvarritjen e procedurave gjatë gjykimit dhe të meta në përpilimin e akteve.
Raporti me shkeljet e konstatuara i është dërguar Presidentit të Republikës, Prokurorit të Përgjithshëm, Prokurorive dhe Gjykatave të kontrolluara, gjyqtarëve të konstatuar me shkelje.
I pandehuri Aldo Hoxha është hetuar në 4 procedime penale për veprat penale të vjedhjes në bashkëpunim, të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, të prishjes së qetësisë publike,të vjedhjes së thjeshtë, të vjedhjes me pasojë vdekjen dhe të plagosjes së rëndë me dashje.
Dy procedime penale janë përfunduar edhe nga gjykata. Më konkretisht, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim me 8 muaj burgim. Ndërsa në rastin e dytë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të prishjes së qetësisë publike me 1 vit burgim. Procedimi penal i tretë për veprën penale të vjedhjes së thjeshtë është në proces gjykimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndërsa procedimi penal i katërt për veprat penale të vjedhjes me pasojë vdekjen dhe të plagosjes së rëndë me dashje është ende në fazën e hetimit paraprak.
/IDEA/