E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i zgjedhjeve, PS: Jo prokurorëve, hapni kutitë

TIRANE- Partia Socialiste i thotë jo propozimit të kryeministrit Berisha për hetim të zgjedhjeve nëpërmjet një grupi prokurorësh. Sipas socialistëve, propozimi është i vjetër dhe për të bërë transparencën e zgjedhjeve nuk nevojiten 100 prokurorë, por duhet një komision hetimor parlamentar që të lejojë hapjen e kutive.

“Përsa i përket propozimit të vjetër të Sali Berishës për hetimin e zgjedhjeve nga një grup prej 100 prokurorësh, do të thoja se nuk duhen 100 prokurorë po vetëm një mazhorance që zbaton Kushtetutën dhe nuk pengon transparencën! Transparenca e kutive dhe kontrolli i zbatimit të ligjeve është detyra kushtetuese e ligjvenesit.”- deklaroi sot deputeti socialist Ditmir Bushati.

Sipas zotit Bushati, miratimi i komisionit hetimor me diktatin e kartonëve të premten e kaluar në Kuvend, PD i mohoi opozitës të drejtën e saj kushtetuese për të hetuar mbi zgjedhjet e 28 qershorit.

“Duke i mohuar në mënyrë arrogante, e për më tepër në shkelje të plotë të ligjit, opozitës të drejtën e saj kushtetuese për të hetuar mbi zgjedhjet e 28 qershorit, Sali Berisha jo që nuk e zgjidhi krizën, por vetëm sa kontribuoi në thellimin e saj. Ajo që përjetuam në Kuvend të premten ishte prova më e qartë se Sali Berisha nuk e do dialogun e konsensusin, duke dëshmuar nivelin mjeran të kulturës demokratike të kësaj mazhorance.”
Bushati tha më tej se opozita nuk mund të njohë komisionin hetimor i cili thellon me tej krizën dhe nuk e zgjidhi atë.

“Këtë të vërtetë të hidhur nuk e thotë tanimë vetëm Partia Socialiste, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Dje këta partnerë thanë shkoqur se komisioni hetimor i ngritur nga mazhoranca është një hap i padobishëm që e thellon me tej krizën dhe nuk e zgjidhi atë.

Një komision hetimor i ngritur me objekt dhe mjete hetimi të imponuara dhe të pranuara vetëm nga njëra palë, e cila për më tepër është dhe pala e akuzuar, është i papranueshëm dhe si i tillë nuk mund të njihet nga opozita shqiptare.”
Kryeministri Sali Berisha i propozoi dje opozitës, që hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit ta bëjnë 100 prokurorë. “Në qoftë se transparencës i themi transparencë, propozimi im për angazhimin e 100 prokurorëve me mandat të plotë për transparencë në çdo qelizë, skutë, proces, fletë votimi të procesit zgjedhor, angazhimi i një buxheti të mjaftueshëm për të përmbushur plotësisht këtë detyrë mendoj se është zgjidhja totale e problemit, në rast se kërkohet transparenca”, - tha Berisha, pas vizitës në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, i pyetur nga media. Sipas tij, “refuzimi i tyre dëshmon se ka vetëm zero fakte. Ka zero fakte, sepse prokurori funksionon mbi bazën e fakteve konkrete”.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›