E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i zgjedhjeve Berisha: PS s'ka fakte Rama: S'do zgjidhje

TIRANE- Kryeministri Sali Berisha e cilësoi sot projektvendimin e propozuar nga Partia Socialiste për ngritjen e Komisionit Hetimor të Zgjedhjeve, si të pa bazuar në ligj dhe në prova e fakte konkrete. Ne mbledhjen e grupit parlamentar te PD kreu i qeverise tha se rezoluta e socialisteve kërkon “hetimin e dyshimeve pa fakte” dhe kjo tha Berisha "është e papranueshme"

Duke komentuar debatin e sotëm në komisionin e Ligjeve, Berisha tha se "Në 8 nga 9 nenet e kërkesës së propozuar nga opozita, kërkohej hetimi i dyshimit, kur nuk kishte asnjë fakt ose provë". Sipas tij, "asnjë institucioni nuk i lejohet të hetojë dyshimet pa fakte dhe prova".

"Edi Rama nuk duhet të mendojë se do bëjë biznes me votën e shqiptarëve", tha Berisha, duke shtuar se kreu i PS-së po përpiqet të poshtërojë votën e shqiptarëve. 
"Në një betejë të egër për të dhunuar dhe poshtëruar votën e qytetarëve shqiptarë, Edi Rama vendosi dy ditë më parë që të tërhiqej nga komisioni hetimor parlamentar, ndaj dhe sot nga komisioni i ligjeve deputetët socialistë u tërhoqën dhe nuk pranuan të diskutojnë në përputhje me vendimin e marrë në unanimitet në mbledhjen e konferencës së kryetarëve", tha Berisha.

Ai ftoi  opozitën që të përshtasë me ligjet e vendit, kërkesën e saj për hetimin e zgjedhjeve të 2009 dhe siguroi se maxhoranca do të jetë e gatshme të miratojë çdo kërkesë ligjore të Partisë Socialiste.

Kryeministri theksoi se kreu i opozitës udhëhiqet nga obsesioni dhe jo nga parimet e një shoqërie të lirë, ndaj i bëri thirrje grupit parlamentar të PS-së të shqyrtojë kërkesën e paraqitur në dritën e Kushtetutës dhe siguroi se nuk do të ketë asnjë kufizim në kërkesën e tyre.

Sa i përket procesit të liberalizimit kryeministri e quajti “kartolina më e bukur e Europës drejtuar Shqipërisë”. Berisha tha se “liberalizimi u prit me civilizim nga Shqiptarët dhe përsëriti akuzat se “bllokmenët e rinj se shpifën për eksodin”.

RAMA: BERISHA REFUZON ZGJIDHJEN SE DO TE VJEDHE PRAPE ZGJEDHJET
Nga ana e tij Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi sot se kriza politike në vend është thelluar që prej ditës së sotme. Menjëherë pas deklaratës së kryeministrit, nga selia rozë Rama tha se "Berisha me mbledhjen e sotme te komisionit të ligjeve tregoi se nuk dëshiron që zgjedhjet të hetohen

“Është më e qartë se Saliu nuk ka pranuar, as ato që ka pranuar deri sot, duke refuzuar atë cka është e shkruar e zeza mbi të bardhë në rezolutën e PE, duke refuzuar atë cka është e shkruar në propozimin e opozitës për t’i hapur rrugë hetimit të zgjedhjeve duke garantuar transparencën dhe zgjidhur një krizë politike që sot Saliu ka dëshmuar se nuk do ta zgjidhë.
Sipas Ramës Berisha “refuzon të zgjidhë krizën sepse synon të vjedhë prapë zgjedhjet”.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›