E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhamia e re në Tiranë, Rama prezanton projekt

TIRANE- Bashkia e Tiranës prezantoi sot projektin për ngritjen e xhamisë së re në Tiranë. Kreu i bashkisë Edi Rama prezantoi sot studimin e projektit që do të shërbejë si bazë për çeljen e konkursit ndërkombëtar për projektin final të xhamisë së re në Tiranë.

“Xhamia e re do të plotësojë këndin e munguar të bashkëjetesës mes komuniteteve fetare, që tradicionalisht kanë përbërë një pikë referimi dhe kanë përkthyer në pasqyrën e religjioneve, atë traditë qytetare të Tiranës si një traditë solidariteti dhe respekti për tjetrin"- theksoi Rama.

Ai shprehu bindjen se xhamia do të jetë një hapësirë shpirtërore për besimtarët dhe një vend për kultivimin e shpërndarjen e dijes. "Xhamia që po ndërtohet në shekullin e 21-të do të reflektojë zhvillimin e kohës së cilës i përket", nënvizoi kryetari i bashkisë.
PROJEKTI
Sipas të dhënave teknike, xhamia do të ketë lartësi të njëjtë me Pallatin e Kulturës. Minareja mund ta kalojë këtë lartësi maksimale, por duhet të mbetet më e ulët se minareja e Xhamisë së Et’hem Beut dhe se Kulla e Sahatit.

Në veri dhe lindje të saj nuk do të ketë ndërtesa ngjitur, ndërsa në perëndim do të jetë një ndërtesë me të njëjtën lartësi.
Në veri xhamia do të ketë përballë hotelin "Tirana International". Në jug të xhamisë do të jenë një varg kullash me lartësi katër kate dhe kulla parashikuar të ndërtohet në vendndodhjen aktuale të Teqes së Helvetinjve.

Xhamia e re do të ketë një sipërfaqe totale ndërtimi prej 17 135 m2 brenda një trualli prej 2930 m2 dhe arrin t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve. Janë 9 nivele, 4 tokësore dhe 5 nëntokësore, që janë të parapara në gjithë këtë hapësirë.
Elementët kryesorë të xhamisë do të jenë holli i faljes, biblioteka, salla shumë funksionale, salla e mbledhjeve, mjediset e shërbimit dhe parkimi nëntokësor.
(s.g/balkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Bashkia e Tiranës prezanton projektin për Xhaminë e re

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›