E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i zgjedhjeve, Ligjet shqyrtojnë draftin e PS-së

PD, kundër objektit të hetimit: Është antikushtetues. Saktësohet sot formula e funksionimit të komisionit

Komisioni i Ligjeve shqyrton sot kushtetutshmërinë e kërkesës së riformuluar të Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor. Në këtë mënyrë sot pritet të detajohet edhe forma e plotë e funksionimit të këtij komisioni hetimor, por edhe objekti i hetimit. Demokratët kanë mjaft rezerva në këtë pikë. Burime nga deputetët e PD-së pohojnë se janë parimisht pro ngritjes së komisionit hetimor, por kundër objektit të hetimit të përcaktuar nga socialistët, ku thuhet se hetimi mund të kryhet dhe mbi bazën e dyshimeve. Ndërsa socialistët kanë sqaruar nëpërmjet deputetit Fatmir Xhafaj, i cili pritet të jetë edhe kryetari i këtij komisioni hetimor, se neni ku do të fokusohet për hetimi, do të jetë ai 119. Drafti i selisë rozë do të kalojë më pas për votë në seancën e 23 dhjetorit, sipas variantit të modifikuar dypalësh.

Hetimi i zgjedhjeve

Mazhoranca dhe opozita do të diskutojnë sot në Komisionin e Ligjeve për kushtetutshmërinë e projektvendimit të paraqitur nga PS-ja. Edhe pse drafti tashmë ka ardhur i ripunuar, pritet të ketë kontestime nga demokratët. Burime nga grupi i ligjvënësve demokratë pohojnë se shihet me mjaft dyshim pika 2 e projektvendimit, ku parashikohet "Objekti i veprimtarisë së Komisionit Hetimor të Kuvendit", ku kërkohet të hetohen dyshimet e ngritura nga partitë politike, dyshimet lidhur me listat e zgjedhësve, dyshimet mbi shpërndarjen e kartave etj. Pritet që demokratët të argumentojnë qëndrimin kundër, duke u bazuar mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese të marra gjatë këtij viti ku thuhet se “objekti i hetimit, i parashtruar në mënyrë të qartë e të saktë, duhet të përmbajë fakte ose tërësi faktesh, nga të cilat merr shkas hetimi parlamentar dhe shpjegon se çfarë hetohet. Veç kësaj, objekti i hetimit duhet të jetë i përcaktuar në mënyrë të mjaftueshme, kusht ky që kërkohet për respektimin e parimit të shtetit të së drejtës, respektimin e të drejtave themelore, të parimit të ndarjes së pushteteve si dhe kompetencave të kufizuara që disponon një komision hetimor”. Edhe pse janë parimisht dakord me ngritjen e komisionit, në këtë pikë vota e ligjvënësve demokratë do të jetë kundër, duke kërkuar riformulim të kësaj pike dhe hartimin e saj në përputhje me Kushtetutën. Një tjetër çështje, që pritet të hasë në debate, është edhe baza ligjore. Socialistët kanë pohuar se do të bazohen në nenin 119, ku flitet për mënyrën e administrimit të fletëve të votimit. Ndërsa mazhoranca përdor si bazë ligjore nenin 178. “Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”, - thuhet në pikën 6 të këtij neni. Për t’u saktësuar mbetet ende edhe përbërja e komisionit, ku në diskutim janë dy formula: ajo me 14 anëtarë, shtatë për secilën palë, por me kusht që kryetari të jetë i PS-së dhe të ketë dy vota; ose me 15 anëtarë, 8 mazhoranca dhe 7 opozita, me kushtin që kryetari socialist të ketë 3 vota. Selia rozë ka depozituar tashmë listën e anëtarëve të saj të komisionit që do të jenë 7: Fatmir Xhafaj, Saimir Tahiri, Ermonela Felaj, Damian Gjiknuri, Armando Subashi, Asllan Dogjani dhe Ilir Beqja. Ndërsa anëtarët e mazhorancës do të jenë Ilir Rusmali, Edi Paloka, Aldo Bumçi, Enkelejd Alibeaj, Arenca Trashani, Viktor Gumi, Gent Strazimiri dhe Eduard Halimi.

Basha: Hetimi i zgjedhjeve, brenda ligjit

Partia Demokratike është e gatshme t'i ofrojë gjithçka opozitës brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues, madje edhe shumicën në komisionin hetimor të zgjedhjeve, edhe pse ajo i përket mazhorancës. Ky pohim është bërë nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha. Në fund të vizitës në Bruksel dhe Romë, Basha rikonfirmon edhe një herë gatishmërinë e mazhorancës për të gjetur një zgjidhje. Situata politike ende pa zgjidhje në Shqipëri është cilësuar një pengese e madhe për integrimin edhe nga ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, pas takimit të tij në Romë me ministrin Basha. “Vazhdoj të shpresoj se të gjitha partitë politike, mazhoranca dhe opozita do të tregohen të përgjegjshme. Ka ardhur koha që interesi kombëtar të vihet mbi përfitimet politike”, - ka pohuar Frattini. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›