Mirel: Konsensusi duhet të jetë dhurata e politikës për fundvit
Politika shqiptare duhet t’i dhurojë vendit për fundvit konsensusin. Kjo është deklarata e drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit në Komisionin Evropian, Pierre Mirel. Në një prononcim për median shqiptare ai bën thirrje për konsensus. “Pres tani që jemi në fundvit. Në fund të vitit njerëzit bëjnë gjithnjë thirrje për harmoni. Shpresoj që politika juaj të gjejë harmoninë, në mënyrë që të na japë mua dhe ndërkombëtarëve të tjera mundësi për të vizituar Shqipërinë”, - thotë Mirel, i cili ishte një nga negociatorët për zgjidhjen e krizës në 20 maj tek “Krokodili”. Një tjetër porosi që drejtori për Ballkanin Perëndimor, Mirel, jep për politikën dhe tërë shqiptarët, është kujdesi me afatet e lëvizjes së lirë. Ai njofton se 2011-a do të jetë viti vendimtar dhe më rreptësisht i monitoruar. “Vendimi ka qenë relativisht i vështirë për t’u marrë, pasi ka pasur abuzime me sistemin nga vende të tjera. E rëndësishme është të respektohen kushtet. 2011-a është vit vendimtar. Askush brenda vitit 2011, por dhe më tej nuk duhet t’i shkelë ato. Sigurisht, prova dhe monitorimi do të vazhdojë edhe përtej vitit të ardhshëm. Përditë. Kushtet duhen respektuar”, - pohoi ai. Zyrtari i Brukselit ishte në Tiranë në fillim të nëntorit për t’i dorëzuar Kryeministrit opinionin për statusin e vendit kandidat. Krahas dokumentit ai la për liderët e Tiranës edhe 12 porositë për përgjigje pozitive për statusin kandidat vitin e ardhshëm.