Hetimi i zgjedhjeve, PD-PS, debat në parim në Komisionin e Ligjeve
Deputetët demokratë dhe ata socialistë kanë vazhduar gjatë ditës së djeshme debatin në parim për dy nismat e PS-së për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve. Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ligjeve është shoqërua me debate mes anëtarëve të maxhorancës dhe opozitës, të cilët vazhdojnë të mbajnë qëndrimet e tyre të palëkundura. Deputetët e maxhorancës e konsiderojnë draftin e PS-së për disa ndryshme në ligjin për funksionimin e komisioneve hetimore antikushtetues dhe kërkojnë që nenet thelbësore të tij të riformulohen. Gjatë mbledhjes së djeshme deputeti i PD-së, Eduard Halimi, duke shprehur qëndrimin e maxhorancës deklaroi se në tërësi draftet e paraqitura nga PS-ja janë antikushtetuese dhe duhet të riformulohen. “Jemi pro zgjidhjes se krizës, por për një zgjidhje kushtetuese. Kuvendi nuk mund të hetojë mbi vendimet e gjykatave”, - është shprehur Halimi. Sipas demokratëve, hetimi dhe objekti i hetimit duhet të jetë i kufizuar. Ndërsa socialistët janë shprehur se duhet vetëm vullnet politik për ta zgjidhur krizën dhe se nismat e depozituara nga PS-ja nuk shkelin Kushtetutën, përkundrazi, zgjidhin krizën. “Maxhoranca po tregohet hapur kundër nismave ligjore të Partisë Socialiste dhe po kufizon të drejtën e opozitës për të hetuar zgjedhjet”, - është shprehur deputetja e PS-së, Vasilika Hysi. Ndërsa deputeti i LSI-së, Nasip Naço, duke mbrojtur qëndrimin e maxhorancës, është shprehur se duhet të respektohen parimet kushtetuese dhe direktivat e OSBE-së. Pas më shumë se një orë debatesh, Komisioni i Ligjeve përfundoi mbledhjen duke vendosur që ditën e hënë të nisë sërish me diskutimet, por këtë radhë nismat do të diskutohen nen për nen. Projektligji i Partisë Socialiste parashikon që në parim, zgjedhjet parlamentare të hetohen deri në 6 muaj nga shpallja përfundimtare e rezultatit, por përsa u përket zgjedhjeve të 28 qershorit, ku ky afat ka kaluar, ata parashikojnë që ligji të ketë efekt prapaveprues.
12 Mars 2010