Rezoluta e PD-së, opozita kërkon heqjen e notave lavdëruese ndaj qeverisë
Në emër të Partisë Socialiste, deputetja Arta Dade e ka cilësuar dje Rezolutën e PD-së për liberalizimin e vizave një fletë lavdërimi për qeverinë. Gjatë fjalës së saj Dade u shpreh se çështja e integrimit ka gjetur dhe do të gjejë gjithmonë gatishmërinë e Partisë Socialiste për të integruar. Ajo tha se PS-ja e ka parë kurdoherë me sytë e të gjithë shqiptarëve ëndrrën e integrimit europian të vendit. “Edhe prania jonë në këtë Kuvend, me të cilin kemi ende një problem të pazgjidhur, e provon këtë pa asnjë pikë dyshimi. Sot është dita për ta mbështetur ëndrrën e të gjithë shqiptarëve për të lëvizur lirshëm në Europë. Sot është dita për të thënë të gjithë bashkë se Shqipërisë duhet t’i hiqen vizat përpara verës”, - është shprehur Dade, ndërsa e ka akuzuar qeverinë për keqqeverisje, që ka sjellë vonesa në drejtim të procesit të heqjes së regjimit të vizave. “Liberalizimi i vizave është vonuar për shkak të keqqeverisjes. Ne nuk jemi këtu për të ngritur dorën pro një rezolute që lavdëron punën e PD-së. E mira e vendit e do sot që ne t’i lëmë lojërat politike të ditës dhe të heqim elementet e propagandës në Rezolutë. Pranoni vërejtjet tona që forcojnë dokumentin dhe garantojnë konsensusin e Rezolutës si dhe rëndësinë politike të saj. Ne nuk pranojmë një rezolutë që është një fletë lavdërimi për qeverinë”, - është shprehur Dade. Ajo e akuzoi Berishën se i gënjeu shqiptarët gjatë zgjedhjeve dhe nuk arriti që Shqipëria të përfshihet në listën e vendeve të rajonit që përfituan nga regjimi i vizave. “Qeveria e la Shqipërinë të fundit në këtë proces të lidhur drejtpërdrejt me keqqeverisjen. Është dështimi i përsëritur i qeverive të Berishës në kryerjen e reformave, dhe jo opozita shqiptare që ka dhënë vetëm konsensus për integrimin. Opozita nuk mund të akuzohet sot për asnjërën nga përgjegjësitë e qeverisë”, - është shprehur Dade, ndërsa është ndalur te pengesat që ka vënë qeveria në realizimin e transparencës së plotë të procesit zgjedhor. Më tej, në emër të PS-së, ajo kërkoi që Rezolutës t’i bëhen disa ndryshime në mënyrë që të miratohej nga PS-ja. Dade kërkoi që Rezolutës t’i hiqen notat lavdëruese ndaj qeverisë, të hiqen në preambul përcaktimi se deputetët e Kuvendit janë zgjedhur me vullnetin e lirë të zgjedhësve shqiptarë, si dhe të hiqet kërkesa që i bëhet KE-së që të respektojë axhendën për liberalizimin e vizave për shqiptarët.
Edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, kërkoi ngritjen e një grupi pune që të punojnë në ndryshimin e Projektrezolutës së PD-së në të cilën të përfshihen propozimet e PS-së.
Më pas, kryeministri Berisha pranoi propozimet e bëra nga socialistët dhe riformulimin e paragrafëve të Rezolutës. Në përfundim Rezoluta u miratua me 127 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
12 Mars 2010