E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i zgjedhjeve të qershorit, sherr PD-PS

Kerkesa e PS-se, mazhoranca ia kthen per korrigjim. Konferenca: Pika 3 e kerkeses, ne kundershtim me ligjin

Mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord për mënyrën e funksionimit të komisionit hetimor për zgjedhjet. Konferenca e Kryetarëve debatoi dje për rreth 2 orë për këtë çështje. Edhe pse parimisht të dyja palët janë dakord për hetimin e zgjedhjeve, ka munguar konsensusi lidhur me përbërjen e komisionit hetimor si dhe datën kur Kuvendi do të vendosë për ngritjen e tij. Mazhoranca kërkoi ndryshim të pikës 3 të projektvendimit, ku përcaktohet që kryetari i komisionit hetimor dhe tetë anëtarë të tij të jenë të opozitës, ndërsa 7 anëtarë të pozitës ku përfshihet dhe nënkryetari. Por sipas mazhorancës,. PS nuk ka propozuar emrat korrektë. Mazhoranca këmbëngul që raporti mes saj dhe opozitës në komision është një kriter juridik që duhet plotësuar.

Ndërkohë që, i qëndron deklaratës së kreut të saj, Sali Berishës, për t’i dhënë shumicën në komision opozitës si dhe kryetarin, por pa e përcaktuar këtë në ligj, çka do të përbënte shkelje. Debat ka pasur edhe për objektin e hetimit.

Konferenca e Kryetarëve

Debati i ashpër ka shoqëruar dje mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Përfaqësuesit e mazhorancës në këtë mbledhje i kërkuan grupit nismëtar plotësimin e kërkesës lidhur me përbërjen e këtij komisioni. Edhe pse kjo ishte lënë si çështje për t’u zgjidhur që nga Konferenca e Kryetarëve e mbledhur më 6 dhjetor, dje PS nuk dorëzoi asnjë material shtesë për të plotësuar përbërjen e komisionit hetimor, ndërkohë që në mbledhje u evidentua fakti se formulimi i pikës 3 të kërkesës në lidhje me përbërjen e këtij komisioni, bie në kundërshtim me ligjin e komisioneve hetimore. “Raporti midis mazhorancës dhe opozitës në komisionin hetimor dhe përbërjen e tij është kriter formal- juridik, pa plotësimin e të cilit kërkesa nuk mund të vihet në lëvizje”, - argumentoi mazhoranca. “Emrat e deputetëve anëtarë të komisionit, raportet e përfaqësimit në komision, si dhe përkatësia politike e vendit të kryetarit dhe zëvendëskryetarit diskutohen në Byronë e Kuvendit, të cilat i propozohen Kuvendit për miratim” , - thuhet në ligjin për komisionet hetimore. Kryeministri Sali Berisha deklaroi javë më parë se është dakord që shumica në komisionin hetimor, por dhe kryetari i saj të jetë i opozitës. Këtij deklarimi i qëndrohet ende, por pa pranuar që kjo të përfshihet në projektvendim, çka do të përbënte shkelje ligjore. Përfaqësuesit e mazhorancës shprehën gatishmërinë për të asistuar grupin nismëtar për formulimin e kësaj pike në përputhje me ligjin, me qëllim që t’i hapet rruga sa më shpejt ngritjes së komisionit hetimor. Një tjetër çështje e debatuar dje ishte data e shqyrtimit në seancë plenare të kësaj nisme. Lidhur me këtë çështje opozita këmbëngul që diskutimi të ishte më datë 17.12.2010 ndërsa mazhoranca më 23.12.2010. Por, sipas kreut të deputetëve socialistë, Gramoz Ruçit, kanë ngelur vetëm 5 ditë afat për shqyrtimin e projektvendimit. Topalli e ka kundërshtuar këtë argument, duke pohuar se Kuvendi ka kohë deri në 27 dhjetor për ngritjen e komisionit. “Nuk po merrem me kërkesën, as me përmbajtjen. Sillni emrat dhe e mbledh Konferencën menjëherë. Deri më 27 dhjetor ka afat”, - deklaroi ajo. Mungesa e konsensusit bëri që vendimin për datën e shqyrtimit në seancë ta caktojë Kuvendi. Pas këtyre debateve kërkesa iu kthye grupit nismëtar për plotësim dhe korrigjim. Konferenca e Kryetarëve do të rimblidhet sapo grupi nismëtar të plotësojë dhe të korrigjojë kërkesën fillestare.

Debati, Topalli-Ruçit: Për emrat ju pres deri më 27 shtator

Jozefina Topalli: Unë e mbledh që sot… nesër… pasnesër këtë mbledhje, por edhe Parlamentin kur të jeni ju gati për të sjellë emrat. Unë këtë kërkesë në këtë formë dhe përmbajtje nuk mund ta pranoj.

Gramoz Ruçi: Nuk është hera e parë, zonja kryetare, që ju bëni një gjë të tillë duke luajtur me afatet.

Jozefina Topalli: Zoti Ruçi, keni kontaktuar me kryetarin e grupit demokrat dhe keni rënë dakord për seancën e mëparshme. Parlamenti u shty për shkak të fatkeqësive natyrore.

Gramoz Ruçi: Ju po kërkoni të thyeni rregulloren. Pas pesë ditësh skadon afati ligjor. Afati i fundit është data 17 dhjetor.

(Ndërhyjnë Astrit Patozi dhe Ilir Rusmali për të sqaruar çështjen nga ana ligjore).

Ilir Rusmali: Nuk e harton Komisioni i Ligjeve kërkesën. Ne thjesht e shikojmë nga ana juridike.

Jozefina Topalli: Nuk po merrem me kërkesën, as me përmbajtjen. Sillni emrat dhe e mbledh Konferencën menjëherë. Deri më 27 dhjetor ka afat.

Gramoz Ruçi: Nuk është hera e parë që bëjmë komisione hetimore. Ka edhe pesë ditë afat. S’ka më.

Jozefina Topalli: Parlamenti është institucion serioz. Sillni kërkesën ashtu siç duhet dhe e diskutojmë në seancë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›