Përmbytjet, Berisha: Dëmshpërblimi, sapo të largohet uji nga Shkodra

Post-emergjenca, Berisha: Komision per vleresimin e demeve. Berisha: Asnje zyrtari nuk do t’i mbahet rroga
Kryeministri Sali Berisha udhëtoi dje sërish drejt Shkodrës, nga ku premtoi dëmshpërblim të banorëve të dëmtuar sapo të largohet uji nga kjo zonë dhe të përfundojë situata e emergjencës. Sipas Berishës, kompensimi do të bëhet me ligjin e digave dhe prej tij do të përfitojnë të gjithë banorët e zonës së Shkodrës, të cilët pësuan dëmtime në banesa dhe në pasuri si pasojë e përmbytjeve të fundit. Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje se pas përfundimit të fazës së emergjencës do të ngrihen komisionet përkatëse që do të bëjnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara. Gjatë mbledhjes me Shtabin e Emergjencave në Shkodër, Kryeministri kërkoi durim, sepse ky proces kërkon largimin e ujërave. “I garantoj qytetarët e zonave të përmbytura, sapo të bëhet e mundur përllogaritja e dëmeve, ata do të zhdëmtohen tërësisht mbi ligjin e digave. Mbi këtë bazë është bërë përllogaritja e një viti më parë dhe mbi këtë bazë bëhet edhe për këtë vit. Kjo bëhet mbi një procedurë vlerësimi dhe ne kërkojmë nga qytetarët që të kenë durim”, - tha Berisha. Ai evidentoi se asnjë punonjësi shtetëror nuk do t’i mbahet paga me urdhër për grumbullimin e fondeve në ndihmë të Shkodrës. Z. Berisha bëri të qartë se asnjë qytetari, punonjësi apo pensionisti nuk do t’i preket asnjë qindarkë e vetme, me urdhër administrativ, për zonën e përmbytur. Sipas Berishës, kjo është jashtë çdo lloj koncepti apo morali. “Unë e di që nuk ka, por sot (dje) pashë përsëri tituj. Ai vazhdon prapë me mesazhe, sepse ka një mani të çmendur pas mesazheve. Një ditë nxjerr gjarpërinj, një ditë nxjerr gjoba, një ditë vjen këtu dhe zgjedh me hunj dhe karrige Ketin kryetare. Asnjë punonjësi të këtij vendi nuk do t’i mbahet asnjë qindarkë e vetme, as në rroga e as në pensione. Ne vlerësojmë plotësisht atë çfarë mund të japin me dëshirë të tyre. Ne kemi potenciale për t’iu përgjigjur në çdo gjë kësaj përmbytjeje. Natyrisht, solidariteti është shumë i mirëpritur. Ne jemi mirënjohës për çdo lloj ndihme që secili qytetar mund të japë në gjestin e një njerëzie dhe vëllazërie ndaj atij që është në fatkeqësi. Pra, edhe një herë sms-të kthejani se është bërë i papërmbajtur”, - u shpreh z. Berisha. Gjatë vizitës në Shkodër, Kryeministri u njoh më nga afër me situatën e krijuar pas përmbytjes në këtë qark, si dhe me planin e shpërndarjes së ndihmave për banorët në vështirësi. Fillimisht, Kryeministri Berisha u ndal në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, në Gjadër, prej nga 4 helikopterë po niseshin me ndihma për banorët e zonave në nevojë dhe në një urgjencë mjekësore. Kryeministri Berisha u takua me pilotët, të cilët i përgëzoi dhe i falënderoi për gatishmërinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në këto ditë të vështira për banorët e zonave të përmbytura. “Ju me 450 fluturimet që keni realizuar, - u shpreh Kryeministri, - ia keni dalë të ndihmoni dhe të shpëtoni mijëra qytetarë në vështirësi të mëdha”. Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, i vendosur në Prefekturën e Shkodrës. Kryeministri përmendi disa nga pasojat që la kjo përmbytje, e cila fatmirësisht nuk mori asnjë jetë njeriu. “Kjo fatkeqësi e madhe natyrore mori përmasa të mëdha, përmbyti mijëra hektarë, përmbyti mijëra shtëpi, por nuk arriti të merrte asnjë jete njeriu”, - tha Berisha.
Kryeministri vuri theksin tek ndihma mjekësore për personat në nevojë në zonat e përmbytura. Duke marrë shembull lindjen e një fëmije në Velipojën e rrethuar nga ujërat, Berisha vlerësoi punën e mjekëve dhe pilotëve për ndihmën ndaj personave të ndryshëm. Kryeministri theksoi nevojën e solidaritetit me zonat e përmbytura. Ai tregoi disa nga nismat më të fundit të komunave të ndryshme të vendit që kanë ofruar ndihmë në bazë ushqimore për blegtorinë në zonat e përfshira nga ujërat. Berisha evidentoi se situata është në lehtësim dhe përmirësim. Sipas tij, pozitive është se janë mbi 3335 qytetarë që janë kthyer në shtëpitë e tyre, se uji është tërhequr dhe sot janë 10900 e jo më 14 mijë hektarë tokë nën ujë, se qyteti është i kalueshëm në aksin e tij kryesor, se numri i shtëpive të rrethuara nga uji apo nën ujë është pakësuar me 1200. “Pra, situata është optimiste dhe në përmirësim të qartë. Sikundër kam kënaqësinë të informoj qytetarët e Shkodrës se janë miratuar pesë projekte të ndërhyrjeve, të cilat u japin përgjigjen më të merituar sistemeve të ujërave të zeza, stacioneve të pompimit të ujësjellësve, sistemeve të ujërave të bardha, by-pass-i dhe pjesa shtesë e tij. Pra, janë një seri projektesh që disponohen dhe do të ecin pa ndërprerë drejt finalizimit të tyre”, - deklaroi z. Berisha.
Berisha: Shqiptarët udhëtojnë të lirë, Rama në protestë
Kryeministri Sali Berisha u bëri dje thirrje qytetarëve shqiptarëve që mos të abuzojnë me liberalizimin e vizave, por ta konsiderojnë datën 15 dhjetor si ditën e dinjitetit të tyre. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha i kushtoi rëndësi 15 dhjetorit, ditës kur hyn në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Berisha tha: “Kjo datë e shënuar u bë e mundur me përpjekjet dhe reformat më të suksesshme që shembën çdo lloj paragjykimi diku të drejtë e diku të padrejtë”. Duke i etiketuar si “grusht bllokmenësh të ri”, Kryeministri akuzoi opozitën dhe kryetarin e PS-së se është përpjekur në qarqet ndërkombëtare për të ndaluar liberalizimin e vizave si dhe për të mashtruar qytetarët.
Për kreun e mazhorancës “greva e urisë”, fushata e ndërmarrë “Hap kutitë të lirosh vizat” dhe protesta e nesërme janë përpjekje të dështuara të opozitës për të ndaluar liberalizimin e vizave.
“Pasnesër shqiptarët nisen të lirë në mbarë Evropën, bllokmenët e rinj nesër protestojnë. Le të protestojnë sa të duan, shqiptarët do të lëvizin të lirë në mbarë Evropën se kjo është vepra e reformave tona të thella e të gjithanshme”, - nënvizoi Kryeministri, duke akuzuar opozitën se ndërmori “grevën e urisë” dhe fushatën “Hap kutitë të lirosh vizat” për ta ndaluar. Berisha u bëri thirrje shqiptarëve të respektojnë rregullat e përcaktuara dhe të mos abuzojnë me liberalizimin e vizave. “Këto vende hapin dyert për ne. Na takon neve të qëndrojmë në lartësinë e moralit dhe përgjegjësisë tonë të shmangim çdo lloj abuzimi. 15 dhjetori do të jetë dita e dinjitetit intelektual të shqiptarëve”. Kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Tiranë.
Duke komentuar hyrjen në fuqi të regjimit pa viza me zonën Shengen, kreu i qeverisë, Berisha, tha se liberalizimi i vizave u bë i mundur nga përpjekjet më serioze dhe reformat më të suksesshme që shembën çdo lloj paragjykimi. “Simbolika e datës 15 hyn në historinë dhe jetën e gjithsecilit si një nga datat më të shënuara krahas datave më të shënuara që ka njeriu”, - u shpreh Berisha.
Ai akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se ka bërë çdo përpjekje për të penguar liberalizimin e vizave për shqiptarët.
“Rama dështoi në përpjekje për të penguar vizat, pasi në 15 dhjetor shqiptarët do të lëvizin lirshëm”, - sqaroi Berisha, duke garantuar se qeveria e Shqipërisë do të bëjë çdo përpjekje për të shmangur çdo abuzim të mundshëm me vizat. Kryeministri bëri thirrje që shqiptarët, me dinjitetin më të madh, duhet të zbatojnë këtë vendim në mënyrën më të qytetëruar.