E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi, klienti që zbuloi drogën ishte polic



Në trafik dhe dy ushtarë komando

Hetimet vazhdonin që prej një muaji

Arrestimi i tre personave dy ditë më parë në kryeqytet për shitje lëndësh narkotike ka ardhur nga hetimi afro njëmujor i Prokurorisë së Tiranës. Sipas zyrës së shtypit në Prokurorinë e Përgjithshme, thuhet se hetimet në këtë procedim penal janë drejtuar nga prokurori Blerim Tominaj, i cili ka autorizuar policinë gjyqësore për kryerjen e veprimeve simuluese (blerje e simuluar) si dhe vëzhgimin në terren të të dyshuarve.

Me kërkesë të prokurorit gjykata ka autorizuar përgjimin telefonik të personave të dyshuar.

Veprimi i djeshëm i kapjes në flagrancë me 1 kg heroinë, ishte pikërisht në konkretizim të kryerjes së blerjes së simuluar të autorizuar nga prokurori i çështjes në fjalë. Mehmet Belba, Martin Gjoçaj dhe Elvis Arifaj u arrestuan pranë stadiumit “Qemal Stafa” nga policia gjatë një operacioni të koduar. Personat në fjalë akuzohen për veprën penale “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

Aktualisht këta shtetas po hetohen nga prokuroria për lidhjet që mund të kenë ata me persona të tjerë të përfshirë në trafikun e miellit të bardhë. Ndërkohë vlen për t’u përmendur fakti se njëkohësisht me operacionin e Tiranës ka pasur dhe një operacion tjetër në Vlorë ku janë arrestuar katër persona. Sipas burimeve të policisë thuhet se u sekuestruan 2 kilogramë heroinë dhe u vunë në pranga 7 persona mes të cilëve dhe dy ish-efektivë të forcave speciale komando të ushtrisë.

Ky është rezultati i 2 operacioneve antidrogë të zhvilluar dy ditë më parë në qytetet Tiranë dhe Vlorë nga strukturat e Policisë së Shtetit. 2 grupet e kapura nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, ndërsa sipas policisë arrestimi është kryer në momentin që trafikantet ishin duke shitur lëndën narkotike. Operacioni i parë është kryer pranë shkollës së mesme “Ali Demi” në Vlorë, ndërsa droga që dyshohet të jetë heroinë u sekuestrua në automjetin ku ndodheshin 4 të arrestuarit. Operacioni i dytë “Kolonat” është kryer afër sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë ku kanë përfunduar në pranga dy ish-efektivat e forcave komando, Elvis Arifaj dhe Martin Gjoçaj si dhe 45-vjeçari Mehmet Belbaj.

Edhe në këtë rast policia ndërhyri në momentet kur të dyshuarit ishin duke shitur lëndën narkotike. Të arrestuarit po merren në pyetje lidhur me mënyrën e sigurimit të lëndës narkotike dhe rrjetit të shpërndarjes së saj në Tiranë dhe Vlorë ndërsa pritet që nga materialet që disponon prokuroria të mundë zbulojë dhe persona të tjerë që janë përfshirë në këtë trafik.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›