E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Frontex”: Policia shqiptare, progres në menaxhimin e kufijve

Policia shqiptare ka bërë përparime të dukshme në luftën kundër migracionit të paligjshëm. Konstatimi ka ardhur nga përfaqësuesit e Agjencisë Evropiane për Kontrollin e Kufirit “Frontex”, një organizatë e re e Bashkimit Evropian me qendër në Varshavë, Poloni, të cilët në një vizitë dyditore me krerët më të lartë të Policisë së Shtetit kanë vlerësuar punën e këtij dikasteri, ndërsa kanë premtuar dhe nënshkrimin e një drafti për bashkëpunimin mes dy agjencive.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri dhe Pëllumb Nako, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në departamentin për Kufirin dhe Migracionin, patën një takim me përfaqësuesit e agjencisë polake.

Në fjalën e tij, Strazimiri theksoi se në emër të qeverisë shqiptare mbështet pa rezerva bashkëpunimin e agjencisë së huaj me departamentin e Kufirit. Më tej, ai tha: “Synimi ynë është që ky departament të konsolidohet dhe të rrisë më tej efikasitetin dhe se për këtë ne po përpiqemi që me autonominë e re të departamentit të Kufirit të plotësojmë mungesat në logjistikë”.

Ndërkohë që nga ana e tij, këshilltari special i drejtorit ekzekutiv të agjencisë “Frontex”, Graham Lis, paraqiti rezultatet e vizitave të kryera (në dy pikat e kalimit kufitar) në nivelin lokal dhe në atë qendror, duke theksuar përparimet e dukshme që janë bërë në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe përpjekjet e Shqipërisë për t'u integruar në BE. Ndërsa Rik Vijermans nga departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë për agjencinë e BE-së, vlerësoi si të rëndësishme ndryshimet që janë bërë në ligjin për Policinë e Shtetit dhe më pas theksoi se draft-dokumenti i paraqitur nga pala polake që do të pasohet edhe me nënshkrimin e tij, do të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin mes dy agjencive.

Veç kësaj, në një takim që ka pasur me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, është diskutuar mbi nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet policisë shqiptare dhe agjencisë “Frontex”. Në takimet që dy përfaqësuesit e lartë polakë kanë zhvilluar me përfaqësuesit e Policisë Kufitare dhe Migracionit janë hedhur ide mbi çështje konkrete, me qëllim vendosjen e një bashkëpunimi sa më efikas.

“Frontex” është një organizatë e re e Bashkimit Evropian me qendër në Varshavë Poloni, e cila e zhvillon aktivitetin e saj për menaxhimin e kufijve. Si agjenci, “Frontex”-i ofron mbështetje në pajisje si dhe ndihmon në forcimin e bashkëpunimit me organizatat e tjera ndërkombëtare.

Premçi

Përvoja e agjencisë “Frontex”, mjaft e çmuar

Pasi ka falënderuar zotërinjtë Leese dhe Vejirmans për angazhimin dhe misionin e tyre gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë, Ahmet Prençi, numri një i Policisë së Shtetit gjatë fjalës së tij vuri në dukje faktin se tashmë Policia e Shtetit po operon me një ligj të ri, ku departamenti i Policisë Kufitare është përcaktuar si strukturë më vete me buxhet dhe personel të sajin. Sipas Prençit, “ky pozicionim i ri i Policisë Kufitare ka sjellë dhe hapa pozitivë në menaxhimin e kufijve që vërehen qartë tashmë, gjë që lidhet ngushtë dhe me implementimin e projekteve, përmirësimin e pajisjeve në përdorim nga strukturat policore dhe eksperiencën e punonjësve të policisë. Në këtë kontekst eksperienca e ofruar nga agjencia polake do të ishte mjaft e çmuar për Policinë e Shtetit e veçanërisht strukturat e Policisë Kufitare”. Ndërkohë, si një risi për strukturat e Policisë Kufitare dhe Migracionit, Z.Prençi evidentoi dhe krijimin e sektorit të Menaxhimit të Riskut dhe asistenca e ndihma e “Frontex”-it do bëjë të mundur që kjo strukturë të hedhë hapa të sigurt përpara.

Graham Leese

Policia në kufi, me njerëz profesionistë

“Gjatë takimeve të zhvilluara në pikat e kalimit kufitar në Qafë-Thanë dhe në Kapshticë i pamë gjërat nga afër dhe mbetëm shumë të impresionuar nga zhvillimet në terren”. Kështu është shprehur gjatë takimit me kreun e Policisë së Shtetit shqiptar përfaqësuesi special i drejtorit të përgjithshëm të “Frontex”-it, Graham Leese, i cili shprehu vlerësimet e tij për ndryshimet strukturore të Policisë së Shtetit veçanërisht ato të Policisë Kufitare, si dhe për arritjet dhe zhvillimin e strukturave për menaxhimin e kufirit. “Ajo çka pamë ishte se njerëzit tuaj janë shumë të përkushtuar për punën, kanë arritur shumë përmirësime, si dhe janë profesionistë, e kjo është e rëndësishme”, - u shpreh përfaqësuesi special i drejtorit të përgjithshëm të agjencisë “Frontex”. Po ashtu z. Leese vlerësoi marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit që strukturat e Policisë Kufitare Shqiptare kishin me strukturat policore kufitare të vendeve fqinje, si Maqedonia dhe Greqia, si dhe operacionet e përbashkëta të zhvilluara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›