E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ministri i Mbrojtjes Mediu, nuk paraqitet në Prokurori

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është thirrur ditën e djeshme në Prokurorinë e Përgjithshme për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e Gërdecit.

Por, kryetari i Partisë republikane nuk është paraqitur dhe shkak i kësaj mungese ka qenë se prej pak kohësh ai ndodhet në SHBA. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë organit të akuzës, ku sipas të cilave, ka qenë avokati mbrojtës, Ardian Visha që ka qenë i pranishëm në Prokuorinë e Përgjithshme. Ky i fundit mësohet të ketë justifikuar mungesën e Mediut përpara hetuesve.

Me gjithë këtë, prokurorët e çështjes së Gërdecit kanë vendosur që seancën e ardhshme të marrin përsëri në pyetje ish-ministrin e Mbrojtjes, ku sipas të dhënave një gjë e tillë do ta mbahet në muajin shtator.

Gjithashtu, burime nga Prokuroria bëjnë me dije se kërkesa për t’u paraqitur në këtë institucion, kreut të PR-së i është bërë gjashtë ditë më parë pro se deri më dje ai nuk ka shkuar.

Ish-ministrit Mediu e njëkohësisht deputet i PR-së në Parlamentin shqiptar, iu hoq mes shumë debatesh më 16 qershor të këtij viti imuniteti si deputet. Pas kësaj, Prokurorisë iu hap drita jeshile të hetonte deputetin për kohën kur ai ka qenë ministër i Mbrojtjes. Në kërkesën e kryeprokurores Ina Rama që i drejtohej Kuvendit për heqjen e imunitetit të ish-ministrit Mediu, numëroheshin të paktën 20 shkelje ligjore nga ana e tij, mes të cilave dhe ajo e favorizimit për firmën Albademil, e cila dispononte dhe fabrikën e municioneve që shpërtheu më 15 mars të këtij viti në Gërdec duke shkaktuar një tragjedi njerëzore dhe një dëm prej miliona lekësh material. Gjatë tragjedisë së Gërdecit humbën jetën 26 persona dhe u plagosë 300 të tjerë, njëkohësisht pati me mijëra dëme materiale. Ndërkohe tani që Mediu është pa imunitet, Prokuroria do ta ketë më të lehtë ta hetojë.

(boks gri)

Personat që dyshohen si shkaktarë të tragjedisë së Gërdecit

Pas ndodhjes së tragjedisë është arrestuar Mihal Delijorgji, administrator i Albdemilit, Ylli Pinari, drejtori i shoqërisë shtetërore MEICO, si dhe Dritan Minxholi, drejtor teknik në fabrikën e Gërdecit. Po kështu, janë marrë në pyetje nga prokurorët drejtori teknik i fabrikës, Dritan Minxholi, administratori i firmës Albdemil që merrej me demontimin e municioneve të kalibrave të ndryshme, punonjës të firmës shtetërore eksport-import MEICO, si dhe drejtuesi i saj, Ylli Pinari. Në pyetje janë marrë edhe punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët kanë pasur dijeni rreth aktivitetit të ushtruar në Gërdec, por edhe persona që duhej të kishin dijeni dhe që nuk janë njoftuar rreth aktivitetit çmontues, që kryheshin në atë punishte pa asnjë element sigurie. Prokurorët kanë marrë në pyetje disa kohë më parë edhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ka bërë shoqërinë shtetërore MEICO përgjegjëse për ngjarjen dhe se çdo veprim i ishte deleguar drejtorit të saj, Ylli Pinari.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›