E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi me komision parlamentar para zgjedhjeve i paligjshëm

19/04/2009  Deputetët e PD-së depozitojnë kërkesën për komision hetimor për Edi Ramën

Deputetë të Partisë Demokratike kanë depozituar ditën e djeshme kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili ka për qëllim verifikimin e dhënieve të lejeve të ndërtimit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste. Por kërkesa, e cila mban firmat e 40 ligjvënesve të PD-së, me të gjitha gjasat nuk do të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë, pasi është në kundërshtim me ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”. Në këtë ligj, në nenin 4, pika 6 e tij, saktësohet se “komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Duhet theksuar se zgjedhjet e ardhme parlamentare do të zhvillohen më 28 qershor të këtij viti dhe koha nuk është e mjaftueshme për të ligjëruar një komision të tillë hetimor. Në kërkesën e depozituar në Kryesinë e Kuvendit theksohet se iniciativa mbështetet në nenin 77, pika 2 e Kushtetutës, në nenet 5, 6, 8 dhe 9 të ligjit për komisionet hetimore dhe në nenin 25 të Rregullores së Parlamentit. Në nenin 77, pika 2 e Kushtetutës theksohet e drejta dhe detyrimi i Kuvendit që me kërkesën e një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij të ngrejë një komision hetimor. Por në pikën 3 të këtij neni saktësohet se “komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj”. Kështu, duke iu rikthyer ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, në nenin 4, pika 6, thuhet se një komision i tillë nuk mund të ngrihet dhe nisma e demokratëve do të rezultojë thjesht një flluskë sapuni. Pra, një komision i tillë nuk do të mund të ngrihet gjatë kësaj legjislature. Hetimi parlamentar ndaj kryebashkiakut të Tiranës mund të nisë vetëm në legjislaturën e ardhshme, e cila parashikohet të marrë jetë në muajin shtator.

Sekretari për marrëdhëniet me publikun në Partinë Demokratike Ferdinand Xhaferri ka deklaruar dje, pasi kishte dorëzuar kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor, se komisioni do të hetojë procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit në mënyrë krejtësisht abuzive, klienteliste e në konflikt interesi në Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, në këtë mënyrë pune është krijuar një kartel i paligjshëm ndërtimi, është bllokuar dhe nuk është dorëzuar plani i ri Rregullues i Bashkisë së Tiranës për miratim, sipas ligjit. Xhaferri ka bëri me dije se veprimtaria e këtij komisioni do të zgjasë për një periudhë trejavore nga krijimi i tij, një kohë kjo e mjaftueshme për përfundimin e hetimeve dhe hartimin e raportit. Sipas tij, komisioni do do të ketë në përbërjen e tij 9 anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita, ndërkohë që drejtuesi do të zgjidhet nga grupimi politik që kërkoi ngritjen e komisionit dhe nënkryetari nga opozita. Në kërkesën e tyre drejtuar Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli 40 deputetët e PD-së, duke dënuar mënyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit nga kryebashkiaku Rama, shprehen se “fenomene të tilla korruptive, klenteliste dhe abuzive të drejtuesit të Bashkisë së Tiranës nuk janë sporadike, por janë ndeshur gjatë gjithë periudhës së drejtimit prej tij të kësaj Bashkie”.

Ligji për komisionet hetimore

Neni 4

Parime të përgjithshme

1. Komisionet hetimore të Kuvendit ngrihen dhe funksionojnë mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe rregullave të përcaktuara në këtë ligj.

2. Rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale për hetimin zbatohen drejtpërdrejt nga komisionet hetimore të Kuvendit, për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe.

3. Vendimi përfundimtar i komisionit hetimor të Kuvendit shoqërohet gjithmonë me mendimin e pakicës dhe shpallet publikisht.

4. Komisionet organizohen dhe funksionojnë sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj.

5. Komisionet hetimore të Kuvendit paraqesin rekomandime në seancë plenare dhe, kur këto miratohen, i dërgohen Prokurorit të Përgjithshëm për marrjen e masave të mëtejshme.

6. Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen gjatë 4 muajve para mbarimit të mandatit të Kuvendit.

7. Prokurori i përgjithshëm informon Kuvendin për ecurinë e hetimit mbi çështjet e rekomanduara për hetim.

Kushtetuta, neni 77

2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›