E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lohan: Duhet një vit pas aplikimit për të marrë opinionin e BE-së

19/04/2009  Shefi i Delegacionit të Komisionit Eruopian Helumt Lohan zhvillon një tur 4-ditor në Jug

“Gërdeci? Unë nuk jam pjesëtar i qeverisë shqiptare që të flas për këtë çështje”

GJIROKASTËR - Ambasadori i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri Helmuth Lohan ka ripërsëritur edhe një herë qëndrimin zyrtar se prova e rëndësishme e Shqipërisë për aderimin në BE janë zgjedhjet e 28 qershorit. Helmut Lohan është shprehur se zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri në një klime paqësore dhe brenda standardeve evropiane është kushti themelor që BE-ja i ka vënë qeverisë për të marrë në konsideratë aplikimin për statusin kandidat. Këto komente Lohan i ka bërë gjatë një takimi të organizuar në Universitetin e Gjirokastrës me studentë dhe pedagogë në kuadrin e projektit “Forcimi i rrjetit të qendrave të informacionit në BE me qytetet universitare të Shqipërisë”. Lohan është shprehur se vendit tonë i duhet një kohë pritjeje, maksimumi deri në një vit, për të dhënë komentet dhe opinionet e tyre të gjitha vendet e anëtare të BE-së nëse qeveria shqiptare insiston të paraqesë në fund të këtij muaji kërkesën për statusin kandidat në presidencën çeke të BE-së. “Nëse kjo realizohet brenda këtij gjashtëmujori, qeverisë shqiptare do t’i paraqitet një material në formë pyetësori prej disa qindra faqesh dhe plotësimi i tyre do t’i kushtojë ekzekutivit një punë voluminoze prej disa mijëra faqesh për të dhënë vlerësimet e paraqitura në pyetësor, - është shprehur zoti Lohan. - Ky proces mund të zgjasë një vit, këtu hyn edhe dhënia e opinioneve për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga të gjithë vendet anëtare të BE”, - ka shtuar ai para auditorit me studentë e pedagogë. Përfaqësuesi më i lartë i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri i është shmangur dhënies së opinionit të tij nëse është koha përshtatshme që qeveria të bëjë kërkesën për të përfituar statusin e vendit kandidat në BE. Ndërkohë Lohan ka ftuar shtetasit shqiptarë nga Gjirokastra të bëhen pjesë e procesit zgjedhor duke marrë pjesë në votime, por shmangu njëherazi një apel të mundshëm karshi popullsisë për t’u pajisur me kartat e reja të identitetit.

Gërdeci

I pyetur nga gazetarët për ndërhyrjen e politikës në procesin hetimor për dosjen “Gërdeci” Lohan ka preferuar të heshtë, duke u shprehur shkurt se kjo çështje nuk i takon atij. Në fjalën e tij gjatë një takimi me studentët e Universitetit “Eqrem Ç abej” Lohan është shprehur se “unë nuk jam pjesë e qeverisë shqiptare”, duke mos preferuar të merret me këtë çështje. Ndërkaq shefi i Delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri ka inauguruar pasditen e premte rikonstruksion e plotë të gjykatës së shkallës së parë të Sarandës, me një vlerë 410 mijë euro. Duke falënderuar të gjitha palët që ndihmuan në zbatimin e suksesshëm të këtij projekti, ambasadori Helmuth Lohan vuri në dukje përqasjen gjithëpërfshirëse e plotësuese të ndihmës së Komisionit Europian për reformën në drejtësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›