E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi për "Ruzhdien", caktohet gjykatësi

Pas dorëzimit të dosjes nga ana e prokurorisë së Fierit është hedhur edhe shorti për përcaktimin e gjyqtarit që do të drejtojë seancat për gjyqin e çështjes së Ruzhdies.
Burime zyrtare nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier konfirmuan se dosja e shumëpërfolur do të jetë në duart e gjyqtarit Roland Jaupaj, jo më larg se një ditë nga hedhja e shortit.
Gjyqtari Roland Jaupaj do të njohet me dosjen duke filluar nga dita e mërkurë dhe në varësi të kohës që do të kërkojë për të përgatitur seancën e parë, do të vendoset edhe data e nisjes së procesit.
Por, burimet thanë se sipas të gjitha gjasave procesi do të nisë jo më larg se javën e ardhshme.
Ndërkaq, mësohet se prokuror i çështjes është Shpëtim Sina, i cili do të mbrojë akuzat ndaj 9 të pandehurve të çështjes "Ruzhie".
Nën akuzë janë vënë Bujar Kararaj, Shezai Kararaj, Veledin Myftaraj, Robert Myftaraj, Pellumb Myrtaj, Pellumb Ferzaj, Qazim Alija, Ervin Myftaraj dhe Elmaz Donaj. Ata akuzohen për shpërdorim detyre, si dhe falsifikim të dokumentacionit bazuar në nenet 245 dhe 248 te Kodit Penal, si dhe votim më shumë se një herë dhe shkelje të fshehtësisë së votimit bazuar ne Kodin Zgjedhor.
Ndërkaq, po në gjykatën e Fierit vazhdon procesi gjyqsor ndaj komisionerëve të Portëzës. Seanca e radhës është caktuar më 1 prill.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›