E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liri Belishova: Edi Rama të kërkojë falje për krimet e Enver Hoxhës

Liri Belishova, ish-anëtarja e Byrosë Politike, rrëfen sot në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare” jetën e saj personale; humbjet e njerëzve të dashur, dënimin e kthimin në Tiranë.
Nako Spiro, në atë kohë ka qenë në Tiranë, si e përjetoi ai këtë ngjarje tragjike? Si e kujtoni ju?
(vazhdim nga pjesa e parë e intervistës)
Pas përmbysjes së diktaturës, kur unë u ktheva në Tiranë pas 30 vjetëve dënimi, e ndjeva detyrë ndaj kujtimit të shoqes sime, si edhe një lloj amaneti të Nako Spiros që të kujdesesha për të nderuar kujtimin e Ramizesë. Mora iniciativën dhe në bashkëpunim me familjarët e saj (zotërinjtë Apollon, Ali, Shpëtim Gjebrea, etj), organizuam në mars 1994, përkujtimin e 50-vjetorit të vrasjes së Ramizisë në sallën e Akademisë së Shkencave.
Gjithashtu, disa vjet më vonë i propozova gjeneral R.Parllahut, kryetar i Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LNç, dhe kjo organizatë në bashkëpunim me familjarët e Ramizesë organizoi në maj 2005 një mbledhje përkujtimore në Shtëpinë e Ushtarakëve, një nderim i bukur dhe plotësisht i merituar për Ramizenë.
Presidenti Berisha, në nëntor 1994 e ka dekoruar Ramizenë me Urdhrin e lartë të Flamurit, dhe në 5 maj të vitit të kaluar, për të nderuar kujtimin e saj ka vizituar familjen. Familja Gjebrea, një familje fisnike me tradita të shquara patriotike (Baki Gjebrea i famshëm ishte xhaxhai i Ramizesë), e kuptoi drejt çështjen e Ramizesë, e dënoi vrasjen e saj, të gjithë krenoheshin dhe krenohen me bijën e tyre kreshnike. Kujtimi i Ramizesë dhe Nako Spiros më ka lidhur shumë me familjarët e saj. Jam e nderuar për marrëdhëniet miqësore me ta. Ramizenë e kam pasur shoqe që në Institutin “Nana Mbretneshë” dhe ishim bashkë në konvikt, por u afruam veçanërisht gjatë Luftës – ajo vinte shpesh në shtëpinë time për drekë e për të fjetur, u bë si e shtëpisë.
Në fund dua të them se Nako Spiron, ky krim e tronditi shumë dhe bashkë me çështje të tjera të rëndësishme të luftës dhe pasluftës, e bënë të reflektonte mbi E. Hoxhën dhe Miladinin, mbi Partinë Komuniste, mbi komunizmin si doktrinë dhe si sistem i realizuar në formën e diktaturës komuniste.

Zonja Belishova, a e keni lexuar librin e V.Barutit mbi Ramizenë? Mendimi juaj, sidomos për ato që shkruan për Nako Spiron?
Po, ditëve të fundit. Nuk kam lexuar as pjesët e këtij libri që u botuan në disa gazeta, duke menduar se do të lexoj vetë librin, dhe që janë ngjarje që unë i di. Autori shkruan me mirëdashje për Ramizenë dhe dënon vrasjen e saj. Por, fatkeqësisht në këtë libër ka të meta serioze, pasaktësi, interpretime të gabuara dhe të çuditshme etj. Edhe kujtimet që u referohet nuk është e qartë se a janë kujtime të shkruara nga vetë personat, a i kanë folur dhe dikush tjetër i ka shkruar, dhe a janë këto të firmosura. Por, unë po i përgjigjem vetëm pyetjes suaj lidhur me çfarë është shkruar për Nako Spiron. Jam habitur shumë dhe jam revoltuar, janë kaq të pabaza e kaq dashakeqe, sa me të vërtetë nuk ja vlen të merresh me të. Në 400 e ca faqe të librit nuk ka një gjë të saktë për N.Spiron, një fjalë të mirë, po çdo gjë është shtrembëruar, ose me qëllim nuk është përmendur fare për ta denigruar dhe për ta nxirë figurën e tij.
Arrin deri atje sa Nako Spiron e vë në një grup me Enver e Nexhmije Hoxhën, Meladinin e Dushanin, Xhakon e të tjerë, që i akuzon për vrasjen e Ramizesë! Kështu në “Jetë Paralele”, ku çdo gjë për Nakon është shtrembëruar. Kështu në “Morrat dhe kolera e shpirtit”, ku ndër të tjera thotë: “korrespondenca” [e Nakos me Enverin e të tjerë ] nxjerr në shesh horrllëqe të politikës e moralit të fëlliqur, kutërbon ligësi, hakmarrje, lot të krokodilta. Kështu edhe në pjesë të tjera. Gjykoni vetë: Si mund ta quash këtë njeri? Ai ka pasur mundësi t’i shohë gjërat qartë e drejtë. Unë dhe të tjerë kemi folur e kemi shkruar, letrat e Nakos janë në Arkiv. S’ka njeri që të mos jetë prekur dhe tronditur nga dhimbja e thellë dhe qëndrimi fisnik i Nakos atëherë ose kur i lexon letrat sot, sidomos atë që i shkruan Enver Hoxhës porsa mori mandatin. Kurse V.Baruti thotë se Nako mbajti këtë qëndrim se nuk e donte Ramizenë!!! Po ç’qëndrim duhet të mbante Nakua që V.Baruti ta quante të drejtë?!
E akuzon Nakon se duke pasur dosjen në dispozicion, nuk i shkruan Enverit se kush janë fajtorët e vërtetë për vrasjen e Ramizesë, por ngarkon me përgjegjësi vetëm shtabin e Brig. V. E para, Nakua s’kishte asnjë dosje. Enveri i dërgoi vetëm letrën e Xhakos dhe asnjë tjetër, se mos binte në duar të armikut (shiko letrën e Enverit dhe të Meladinit që citova më lart F14, D 76). Kjo letër e Xhakos i drejtohej KQ të RKSH, ku ai bën autokritikë, kurse letrën e Xhakos të 19.2.’44, ku flitej për “gjynahet” e Ramizesë, Nexhmija nuk ja tregoi Nakos dhe e mori me vete kur u nis për në Panarit (shiko letrat e 4.4.’44, F.14, D.72). Se ç’mendonte Nakua në atë kohë tragjike, nuk fliste haptas as me ne shokët e tij e jo më t’i shkruante Qendrorit të Partisë. “Fatkeqësisht”, në atë kohë nuk kishte lindur V.Baruti, që të shkruante këtë libër dhe Nakua t’ia dërgonte E.Hoxhës.
E akuzon Nakon se e “degdisi” Ramizenë në Vlorë, e përsërit disa herë si një “gjynah” të rëndësishëm të tij. Në Vlorë Ramizeja ka mbërritur më 1 korrik ’43 dhe është dërguar me ngritje, Sekretare Politike e KQ të RK të Vlorës për të ndihmuar, sepse Vlora ka pasur gjithmonë shumë rëndësi, aq më tepër pas “fraksionit” dhe problemeve që dolën. Kush propozoi e vendosi që ajo të shkonte në Vlorë, as Vasfiu dhe as unë nuk e dimë, dokumente s’ka. Por, nga Tirana vazhdimisht janë dërguar kuadro për të ndihmuar rrethet e ndryshme dhe repartet partizane, madje edhe në Kosovë e Maqedoni. Këto kuadro nuk i dërgonte Nakua, por vendoseshin nga organet përkatëse të partisë. Ama kur Ramizeja erdhi në Tiranë e sëmurë, në tetor ’43, Nakua bëri çmos për ta mbajtur në Tiranë. 1) I shkroi Enver Hoxhës që Ramizeja është me malarje dhe duhet të paktën 2-3 javë të rrijë këtu, por e mira është ta mbajmë, sepse na duhet për punën me rininë dhe njëkohësisht të ndihmojë Nexhmijen për punën me gruan. 2) I propozoi Enverit të zgjerohej KQ e RKSH me D. Caushin, N. Oparin dhe Ramizenë. Por, të dyja propozimet nuk u aprovuan nga Qendra e Partisë. 3) Nakua me të drejtë nuk qe dakord që Ramizeja të shkonte në Berat, sepse në radhë të parë atje e njihnin të gjithë dhe rrezikonte të arrestohej menjëherë. Por, ai me këtë rast përsëri propozoi që Ramizeja më mirë të vinte në Tiranë, ‘se kemi shumë nevojë për punën me rininë’ (F.14, D 76).
Nuk ka asgjë për Nakon që të mos jetë shtrembëruar dhe keqinterpretuar. Edhe leksionin mbi moralin që përmenda më sipër, nuk e trajton ashtu si e dëgjuam të gjithë, por me absurditetin më të habitshëm: Nakua foli për imoralitetin që të dënonte Ramizenë! është e kotë të zgjatem me të tjera, nuk ja vlen.
Po pse ky njeri e ka parë kaq zi Nako Spiron? Ai është një figurë shumë e njohur dhe e dashur nga të gjithë. Shumë dëshmitarë të atyre kohërave kanë vdekur, por edhe shumë jetojnë. Pse nuk është mbështetur në kujtimet e gjeneralëve R.Parllaku dhe R. Ramuhito. Pse nuk i përmend fare ato që kam thënë dhe kam shkruar unë për Nakon, ato që thashë më sipër, që i dinë bashkëkohësit, familjarët e Nakos e të Ramizesë? Nuk thotë një fjalë ç’ka bërë Nakua dhe unë për Ramizenë pas çlirimit, dhe ndonjë gjë që e përmend ua atribuon të tjerëve, deri N. Hazmedarit.
Për çdo njeri, aq më tepër për të vdekurin, shkruhet me përgjegjësi, me respekt. Sidomos për një figurë si Nako Spiro, një nga udhëheqësit më të shquar që nxori Lufta Antifashiste, njeriu që gjithë jetën e shkriu për çlirimin dhe përparimin e Shqipërisë, patrioti i madh që flijoi jetën në përpjekjet për të mbrojtur pavarësinë e atdheut dhe interesat e vendit nga shovinistët jugosllavë. Gjithë populli e nderon, edhe shteti demokratik e nderoi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Dihet kush e urren dhe lufton Nako Spiron, edhe pas 63 vjetëve që tretet në dhe. Po V.Baruti, ç’pati?
Zonja Belishova, Nexhmije Hoxha ka deklaruar se Nako Spirua i ka thënë se ishte në dilemë për të zgjedhur mes Ramizesë dhe Lirisë (Belishova), të cilat i vlerësonte të dyja për nga inteligjenca, vendosmëria, etj. Kurse V.Baruti, gjatë librit shpesh herë thotë se në zemrën e Nako Spiros ishte futur “Shpirtua” (pseudonimi juaj). Ai, madje e vë në dyshim a ka qenë apo jo Ramizeja e fejuara e Nako Spiros. Cili është komenti juaj?
Besoj se N.Hoxha nuk është e saktë - kanë kaluar shumë vite. Ndofta Nakua gjatë luftës ka biseduar me të për t’i shprehur Ramizesë dashurinë dhe për t’u fejuar, kurse pas çlirimit ka biseduar për mua. Mua deklarata e saj më ka çuditur, sepse në atë periudhë dhe sa ishte Ramizeja gjallë, nuk kam ndjerë asnjë lloj afeksioni të Nakos ndaj meje. Në shkurt të ’43, kur më futën në KQ të RKT, Ramizeja ishte 20 vjeç, kurse unë 16 vjeç dhe katër muaj. Unë, shoqja ime e ngushtë, Fatbardha Toto etj, për shkak të moshës së vogël e për shkak të luftës, as që mendonim për dashuri dhe fejesa. Dhe, e vërteta është se asnjë njeri nuk na ka ngacmuar.
Për sa i përket atyre që ka shkruar V.Baruti, janë krejtësisht pa baza dhe me qëllimin e keq se gjoja Nako nuk e ka dashur Ramizenë. Po pyetja më e thjeshtë është: përse atëherë u fejua dhe u martua me të në 1943? Me mua Nakua është martuar pas çlirimit, në janar 1946.
Nëpër gjithë librin shpesh thuhet se Nakua në zemër kishte Shpirton, donte Shpirton, kujdesej për Shpirton, etj. Ku bazohet? Cilat qenkan “faktologjia” dhe “dokumentet”? 1) Citon një letër që Nakua i shkruan Nexhmijes për delegacionin që do shkonte në Kongresin e Rinisë Jugosllave, dhe i thotë se s’do ta nis Shpirton, mbasi rruga është e gjatë e nuk e përballon dot. Unë atëherë isha shumë e dobët, kisha shpesh kriza në syrin e plagosur dhe s’është aspak e vërtetë që Nakua donte të rrinte me mua në Tiranë, mbasi ato ditë do nisej për në Kongresin e Përmetit. 2) Citon letrën (që e shkruan Nexhmija dhe e siglon Nakua) për delegatët e Tiranës, që do venë në Kongresin e I të Rinisë Antifashiste. Ata këshillojnë që Shpirtua të niset me automobil në rrugën e Korçës, nëse kjo është e sigurt (F56, D 49, 1944). Këto janë “dokumentet e dashurisë”?
Po me Misto Mamen, a ka qenë e fejuar Ramizeja?
Nuk kam ditur që Ramizeja ka qenë e fejuar me Misto Mamen dhe nuk kam dëgjuar asgjë gjatë luftës dhe pas saj. Këtë autori e nxjerr, sepse N.Hoxha dhe Luan Omari kanë shkruar që Ramizeja ka qarë shumë kur u vra Mistua. Por, ne shumë kemi qarë për Miston dhe për shokët e tjerë, aq më tepër për ata që organizimi dhe lufta na kishin lidhur më shumë. Këtu dua të theksoj se një nga gjërat më të bukura të Luftës sonë Antifashiste ka qenë miqësia dhe dashuria vëllazërore midis të rinjve ilegalë dhe partizanë, lidhja jonë e jashtëzakonshme, e pastër dhe fisnike si luftëtarë për çlirimin e atdheut dhe për ëndrrat e jetës së re. Sot ndofta është zor të përfytyrohet kjo. E ndienim veten si bijë të një nëne, ishim gati të jepnim jetën për të mbrojtur shokun. Për këtë miqësi vëllazërore të pastër kanë shkruar disa, por mua më kanë bërë më shumë përshtypje kujtimet e Profesor Stefanaq Pollos.
Diçka për filmin “Furtuna” dhe regjisorin çuhrai. ç’kujtoni ju?
Më 1959, me rastin e 15-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga okupatorët fashistë, u mendua që të bëhej një film për Luftën Nç. Për këtë ju kërkua ndihmë Bashkimit Sovjetik dhe ata dërguan regjisorin e shquar, çuhrai dhe shkrimtarin Arkadi Pervencev. Ata patën shumë takime, i takoi edhe Enver Hoxha. Orientimi ishte të bëhej një film epope, madhështor. Disa autorë shqiptarë paraqitën skenarët e tyre; unë mbaj mend vetëm Dhimitër Shuteriqin dhe Petro Markon. Por, më në fund u vendos që skenarin ta shkruanin dy sovjetikët dhe Llazar Siliqi e Fatmir Gjata. çuhrai nuk iku, siç thonë, ai ishte regjisori i filmit “Furtuna”. Nuk mbaj mend që çuhhrai të ketë dashur që filmi të ishte për Ramizenë. Por, mbaj mend që skenari i Petro Markos ishte për të. Filmi “Furtuna” nuk u pëlqye shumë nga udhëheqësit shqiptarë, ndryshe nga ç’ndodhi me filmin “Skënderbeu”, që u prit me entuziazëm. Kurse në Moskë, mesa kam dëgjuar, e kritikuan shumë, edhe për llastiqet.
Tani le të hidhemi në disa pyetje të një tjetër fushe. Zonja Belishova, si do ta përshkruanit jetën tuaj? Si do ta përkufizonit atë?
Një jetë tragjike, jeta tragjike e një gruaje shqiptare.
Kam humbur pesë njerëzit e mi më të shtrenjtë; Nako Spiron dhe burrin e dytë, Maqo çomon, dy vëllezër, Fatmir e Bardhyl Belishovën, dhe mbi gjithçka Dritën, vajzën time. Një dhembje e paduruar, që mund ta kuptojë vetëm ai që i ka rënë një fatkeqësi e tillë. Të gjithë viktima të diktaturës komuniste, për të cilën unë luftova dhe punova me përkushtim të jashtëzakonshëm. Babai, gjyshja, nëna dhe dy vjehrrat e mia vdiqën me hidhërim të thellë. Ishin 30 vjet, që ma shkatërruan jetën. Kur ika nga Tirana isha vetëm 34 vjeç, në lulëzim të plotë, kur u ktheva, një plakë e dërrmuar. Dhe, më e tmerrshmja ishte se vuajtën në burgje e internime, ose nga përndjekje të tjera fëmijët e mi, të pestë vëllezërit me familjet e tyre dhe të afërmit e burrit, deri kushërinjtë dhe miqtë. Ka të tjerë që kanë vuajtur më shumë, por do flas më poshtë. Si durova? Kryesorja, se kisha të drejtë. Po jeta ime u nxi. Nuk janë të vrarë vetëm pesë mijë e ca vetë. Të vrarë jemi dhe ne që na i morën shpirtin çika-çika.
Po sa i rëndë dhe i vështirë ka qenë për mua procesi i zhgënjimit... Komunizmi ishte gjithë kuptimi i jetës sime, një iluzion, një ëndërr e jashtëzakonshme. Indoktrinimi i skajshëm na kishte kthyer në fanatikë. Nuk kishim mundësi të lexonim letërsi që kritikonte komunistët, por as radion nuk e dëgjonim duke e quajtur herezi, tradhti, si një besimtar letërsinë e djallit. Por realiteti i hidhur, sado që unë përpiqesha ato gjëra që konstatoja t’i justifikoja në mënyra të ndryshme, m’i hapi sytë. Likuidimin tragjik i Nako Spiros më tronditi shumë, por edhe këtë e pashë më shumë si faj të jugosllavëve e Koçi Xoxes. Isha shumë e re. Por, ndofta në subkoshiencë vepronte edhe instinkti i vetëmbrojtjes. Veç pas vdekjes së Stalinit, sidomos pas Kongresit të XX (megjithëse edhe ai zbuloi vetëm ajsbergun), nuk mund të vazhdohej me iluzione, me justifikime. Rëndësia historike e referatit mbi Stalinin ishte se tani këto i thoshte vetë partia e tij, s’ishin më “shpifjet e armiqve imperialistë”.
Po pse Enver Hoxha doli kundra këtij Kongresi dhe e quajti Hrushovin, PK të BS dhe gjithë partitë e tjera se tradhtuan marksizëm-leninizmin? Të gjitha ato që thoshte ishin demagogji. Qëllimi ishte të mbronte kolltukun e tij diktatorial, sepse mendonte që kjo rrugë anti-staliniste, reformatore, disi liberale e demokratike, e bashkekzistencës paqësore me Perëndimin dhe evitimit të luftës atomike që kërcënonte njerëzimin, rrezikonte diktaturën e tij komuniste. ç’e keqe i vinte botës, e aq më tepër popullit shqiptar?
Atëherë filloi tragjedia ime. Më dukeshin shumë të drejta, por mendoja si është e mundur që nuk e kuptojnë Enver Hoxha dhe shokët e tjerë. Mos e kam gabim? Por, kryesorja ishte si të ruhesha, si mos më shpëtonte ndonjë fjalë, etj. Sepse, këtu nuk ishte çështja që do ta pësoja vetëm unë. Njerëzit e mi më të dashur, burri im i dytë, të katër fëmijët, të pestë vëllezërit e mi e familjet e tyre, të afërmit e tim shoqi do t’i hidhja me duart e mia në ferr. Unë pyes a ka grua, a ka nënë që mund ta bëjë këtë? Unë nuk guxova. Unë mendoja se Enveri më në fund do ta pranonte këtë vijë. Unë nuk isha kundër socializmit, mendoja që vetëm duhet të bëheshin korrigjimet e drejta.
Dënimi im ishte absurd. Në fakt, unë isha kundra, por nuk dhashë asnjë fakt që të më akuzonin për këtë gjë. Më dënuan pse i the atasheut sovjetik në Pekin, kritikat që udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze u bënin “revizionistëve tradhtarë hrushovianë”. E para, në takim nuk isha vetëm unë, por edhe Gogo Nushi dhe anëtarët e tjerë të delegacionit. Qëllimi ishte që t’u propozonim sovjetikëve që të bindnin kinezët për të vajtur në mbledhjen e Partive Komuniste në Bukuresht, ose të shtyhej mbledhja (nuk kishim kohë të pyesnim Qendrën, sepse ambasada jonë në Pekin lidhej me Tiranën nëpërmjet ambasadës në Moskë). Ky ishte “gabimi im fatal”, që u bë ortek i madh. Kurse pas 22 vjetësh, në Librin “Titistët”, Enver Hoxha shkruan edhe një faqe për mua, ku thotë se Liri Belishova u dënua si agjente e Hrushovit. Ku bazohej? Harroi që isha dënuar për gabime politike? Për t’i dhënë ngjyrë agjenturore, edhe takimin me atasheun sovjetik e paraqet sikur paskam qenë vetëm unë dhe e paskam bërë jo në Ambasadën Shqiptare, por duke vajtur në Ambasadën Sovjetike. Po si nuk pati një njeri nga ish-shokët e mi që t’i thoshte; more Enver po në Plenum kemi thënë ndryshe. Natyrisht, u inatosa për këtë “moral” të “udhëheqësit të lavdishëm”, por nuk u shqetësova aspak. Sepse, po e them edhe këtu me përgjegjësinë më të plotë, që jo vetëm as që diskutohet kam qenë apo jo agjente e sovjetikëve, por nuk kam bërë sikur një bisedim pa urdhrin ose dijeninë e tij.
Kur e mendoj jetën time, shoh se gjithmonë kam qenë e dominuar nga dashuria për Shqipërinë dhe për popullin e saj. Brezi im u rrit me traditat e rilindësve, patriotike e demokratike, që atëherë ishin shumë të gjalla dhe të freskëta. U edukova kështu në familjen time; babai im ishte delegat i Mallakastrës në Kongresin e Lushnjës dhe komandant çete në Luftën e Vlorës, kurse nëna ime kishte mësuar shqipen nga xhaxhai i saj patriot, fshehurazi, në tavan, në Stamboll dhe deri sa vdiq i dinte këngët patriotike të Rilindjes dhe vjersha të Naimit. Na kanë edukuar mësuesit tanë patriotë dhe të mrekullueshëm në shkollën fillore dhe në Institutin “Nana Mbretneshë”.
Këto na lidhën me komunizmin, duke menduar gabimisht se kjo ishte rruga më e drejtë për lirinë e Shqipërisë dhe përparimin e saj. Por, po këto më ndihmuan që të mbaj qëndrime të drejta në momente të rëndësishme. Dhe, që më vonë të ndahem nga komunizmi. Nuk është e mundur, po ta duash me të vërtetë atdheun dhe popullin tënd, të kesh atë minimum ndjenjash humaniste dhe demokratike që janë instiktive te çdo njeri normal, dhe të vazhdosh të mbrosh diktaturën komuniste dhe Enverin, ose t’i zbutësh krimet dhe përgjegjësitë etj.
çfarë konsideroj se kam bërë mirë për popullin tim:
1) Kam luftuar me përkushtim dhe vetëmohim të jashtëzakonshëm kundër okupatorëve fashistë, pa kursyer as jetën, pale të dëshpërohesha për humbjen e syrit. Fakti që unë, në një moshë shumë të re u bëra anëtare e Kq të RKT, anëtare e Komitetit provizor që u ngarkua të drejtonte organizatat e partisë dhe gjithë organizatat e tjera gjatë terrorit të dimrit ‘43-’44, që pastaj më bënë sekretare politike të Kq të RK, të Tiranës dhe anëtare e Kq të Partisë, pastaj anëtare e Kq të RKSH dhe e Sekretariatit të Rinisë Antifashiste, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Gruas Antifashiste, kandidate të KQ të Partisë, tregon sesa u vlerësua lufta ime.
2) Unë mbajta një qëndrim shumë të drejtë për mbrojtjen e pavarësisë dhe interesave të Shqipërisë nga shovinistët jugosllavë. Natyrisht, merita kryesore i takon Nako Spiros. Por, sa e rëndë ishte atëherë situata, mjafton të përmendim se vetëm 15 ditë pas vrasjes së Nakos, Byroja Politike vendosi të bënte de facto, “bashkimin” (gëlltitjen) e Shqipërisë me Jugosllavinë, në të gjitha fushat, por shpallja të bëhej kur të ishin konjukturat ndërkombëtare më të përshtatshme. Jo, këto dhe plenumi i VIII nuk janë gabime. Janë tradhti kombëtare.
3) Unë mbajta një qëndrim shumë të drejtë më 1960 ndaj konfliktit në lëvizjen komuniste ndërkombëtare midis dy rrugëve: asaj staliniste dhe asaj anti-staliniste e reformatore. Enver Hoxha, atëherë me demagogji të shfrenuar e paraqiti çështjen sikur po mbronte pavarësinë e Shqipërisë. Shqipëria kishte qenë shumë më e varur nga BS në kohën e Stalinit sesa në kohën e Hrushovit, që bëri diçka edhe për të përmirësuar lidhjet e BS me vendet e tjera socialiste. Enver Hoxha, siç e thashë edhe më lart, kishte frikë se rruga anti-staliniste e reformatore kërkonte zbutjen e represioneve, kurse ai e donte sa më të egër diktaturën e tij, siç edhe u vërtetua. Në fakt, ai nuk e mbrojti aspak pavarësinë e Shqipërisë, por e rrezikoi shumë duke u armiqësuar me të gjithë botën (në fillim me imperializmin, me atë amerikan në krye, pastaj me revizionizmin, me në krye BS-në, pastaj edhe me Kinën tradhtare). Le të kujtojmë këtu propagandën e shfrenuar, provokacionet në OKB, etj. Dhe kështu, për t’u mbrojtur nga të gjithë këta armiq, kreditë e Kinës dhe akumulimi nga puna e madhe që bënte populli, pjesa më e konsiderueshme nuk përdorej për të përmirësuar jetën, por për të hapur tunele në kushedi sa male, bunkerë në katër anët e Shqipërisë, armë e fishekë që do t’i mjaftonin mbase gjithë Evropës.
Enveri të gjithë këtë “luftë të madhe” e bënte gjoja për të mbrojtur marksizëm-leninizmin, se “të gjithë e kishin tradhtuar”! çdo udhëheqës normal i një vendi të vogël do të mendohej për problemet që po lindnin nga socializmi real dhe masat që duheshin marrë, do të mendonte që gjithë këta udhëheqës të partive të tjera, pse mendojnë dhe vendosin kështu. Kurse ai e shpalli Shqipërinë qendrën e revolucionit proletar botëror, pra edhe veten udhëheqësin e këtij revolucioni! Absurde, qesharake, sikur të mos ishte tragjike. Sepse për 30 vjet, ndërsa në vendet e tjera socialiste u lehtësua disi jeta, në Shqipëri ndodhi e kundërta. Enveri, në ekstremizmat e tij ja kaloi edhe Stalinit.
4) Kam mbajtur, bashkë dhe me miq të tjerë të OBVL, qëndrim të drejtë ndaj proceseve demokratike. Kemi kontribuar me aq sa kemi pasur fuqi. I kemi dënuar haptas krimet e diktaturës enveriste. Kemi kërkuar dhe falje. Këto të katërta i quaj merita të mia.
Përgjegjës para popullit shqiptar, për gjithçka pësoi nga PKSH – PPSH, janë të gjithë anëtarët e saj, dhe aq më tepër ata që kanë qenë në udhëheqje, veçanërisht ata që kanë përgjegjësi personale për krimet.
Megjithëse unë personalisht nuk jam përgjegjëse për krime, megjithëse vetë dhe gjithë familjarët e mi vuajtën për 30 vjet, kam kërkuar falje dhe përfitoj nga rasti të kërkoj përsëri ndjesë. Ju kërkoj falje viktimave të diktaturës dhe familjarëve të tyre për gjithçka kanë vuajtur. I kërkoj falje gjithë popullit që nuk i realizuam ato që premtuam gjatë luftës, që e shmangëm për 50 vjet nga rruga e drejtë e zhvillimit, për varfërinë dhe sakrificat e tij, për represionet e shkeljen e të gjitha të drejta. Dhe, ju kërkoj ndjesë njerëzve të mi të dashur që vuajtën shumë për shkakun tim, megjithëse unë isha fajtore pa faj. I kërkoj në radhë të parë ndjesë Dritës sime, që e linda po që nuk munda t’i siguroj sikur një ditë jetë normale, pale lumturi.
Sot pas kaq vjetësh në demokraci, a ndjeheni e shpërblyer për vuajtjet tuaja?
Shpërblimi më i madh është që diktatura enveriste u përmbys dhe Shqipëria është vënë në rrugë të mbarë, që Kosova martire u çlirua dhe që shqiptarët e tjerë në Ballkan gëzojnë sot më shumë liri sa asnjëherë tjetër gjatë historisë.
Materialisht, si e përndjekur, unë personalisht nuk kam marrë asgjë. Por, i ndjeri burri im dhe dy vëllezërit, Bardhyl dhe Agron Belishova që kanë qenë në burg, janë dëmshpërblyer edhe sipas Ligjit të parë dhe sidomos po dëmshpërblehen me Ligjin e fundit, që është shumë i drejtë. Unë marr pension shumë të mirë si invalide e Luftës Nç, djalin e kam gjykatës, kemi përfituar edhe nga pronat që na ka lënë babai. Jetoj shumë mirë, më mirë se kur isha anëtare e Byrosë Politike.
Po kryesorja, fitova lirinë, unë dhe të gjithë. Tani takohem me të gjithë të afërmit dhe miqtë e mi. Po a mund të përfytyroni ç’do të thotë të jetosh për 30 vjet e izoluar sikur të kishe kolerën? Të duroje gjithë atë propagandë, armike e popullit, armike e partisë (i numëronin që nga Anastas Lulua e deri tek Liri Belishova), të dëgjoje tezën e institutit të Marksizëm-Leninizmit se Titistët përdorën Koçi Xoxen kundër Shqipërisë, kurse hrushovianët Liri Belishovën. Po ç’bëri Liri Belishova more zot, ç’fjalë ose veprim i saj ishte kundër Shqipërisë, more edhe kundër PPSH-së?
Qëndrimi i të burgosurve, të internuarve dhe i familjarëve të tyre ka qenë me të vërtetë fisnik. Jo vetëm asnjë vrasje për hakmarrje, por asnjë pëllëmbë, asnjë fyerje, pas gjithë atyre mizorive që pësuan. Mendoj se kjo ka shumë rëndësi, sidomos po të kujtojmë sesa mizorë u treguan pa të drejtë komunistët kur morën pushtetin.
E quaj shumë fisnik qëndrimin e të persekutuarve që s’kanë qenë komunistë ndaj neve të persekutuarve që kemi qenë komunistë. Ditën të bëjnë dallimin, të vlerësojnë qëndrimin tonë dhe mos na përziejnë me përgjegjësit e vërtetë, të çmojnë vuajtjet tona të përbashkëta. Kam shumë miq, duke filluar nga i ndjeri Pjetër Arbnori, etj.
E çmoj shumë të rëndësishëm qëndrimin e Partisë Demokratike ndaj nesh. Ata dënuan Enver Hoxhën dhe përgjegjësit e vërtetë, por vlerësuan ata komunistë patriotë që luftuan për çlirimin e atdheut nga okupatorët, që punuan me nder për të mirën e popullit, që megjithëse patën iluzione komuniste nuk janë përgjegjës për krime, përkundrazi vuajtën edhe vetë nga diktatura, i përkrahën proceset demokratike dhe i dënuan e i dënojnë krimet dhe mbrapshtitë e diktaturës enveriste.
Nuk besoj se do të keqkuptohem. Ka mjaft socialistë, madje edhe udhëheqës të kësaj partie, që mbajnë qëndrim të drejtë ndaj nesh. Po pa hyrë në hollësira, e quaj të nevojshme të them se i përkiste kësaj partie që të bënte analizën e thellë të diktaturës dhe të Enver Hoxhës, dhe jo të mjaftohej me “distancohemi nga diktatura”. I takonte kësaj partie që të dënonte krimet dhe dënimet e padrejta, duke filluar që nga ato që u bënë gjatë Luftës: Anastas Lulos, Mustafa Gjinishit, Ymer Dëshnicës, Sejfulla Malshovës, Nako Spiros, etj, të të gjithëve ne, ish- komunistë dhe ish-udhëheqës të asaj partie. Edhe një gjë: tetë vjet sa qe Partia Socialiste në pushtet nuk u bë asgjë për të përndjekurit politikë, edhe vetë projektligji u bllokua.
Zonja Belishova janë bërë shumë diskutime: a duhet të hapen dosjet e Sigurimit dhe përse janë vonuar?
Jemi shumë të vonuar. Dosjet në vendet e tjera ish-socialiste janë hapur që në fillim të viteve ’90, menjëherë posa u përmbysën diktaturat komuniste.
Unë mendoj në radhë të parë, që të gjithë të burgosurit dhe të internuarit, duhet me ligj të kenë të drejtë të shikojnë dosjet që ka pasur Sigurimi për ta. Kjo është e drejta e tyre e pamohueshme. Dhe, këtë e kanë bërë vendet e tjera.
Hapja e dosjeve të atyre që kanë qenë agjentë të Sigurimit do të krijojë probleme serioze, sepse Sigurimi e kishte përhapur jashtëzakonisht rrjetin e tij. Por, është një operacion i domosdoshëm dhe duhet bërë. Pse ne duhet të bëjmë ndryshe nga vendet e tjera? Mendoj se ka njerëz që janë rekrutuar me presione dhe kërcënime të jashtëzakonshme, dhe hapja e dosjeve është një dënim i rëndë për ta. Por, le të krijohen me ligj mundësitë që të shpjegohen dhe të mbrohen.
çështja që ka ngjallur kundërshtimin e Partisë Socialiste dhe të disa të tjerëve është pastrimi i aparatit shtetëror, sepse thonë që preket Kushtetuta, etj. Të them të drejtën, nuk e kuptoj këtë gjë. Vendet e tjera, që janë anëtare të BE-së, e kanë zgjidhur dhe mund të merret shumë mirë eksperienca e tyre. Por, është e domosdoshme që aparati shtetëror të pastrohet nga ata që janë përgjegjës për krime. Nuk mund të durohet që deri në Gjykatën Kushtetuese të ketë njerëz që kanë dhënë vendime me vdekje për politikë, etj. Jemi shumë vonë.
Le të kthehemi prapë tek ju, keni qenë anëtare e Byrosë Politike dhe më pas përfunduat në internim. E kishit menduar ndonjëherë këtë persekutim që do t’ju bëhej?
Tashmë dihet nga të gjithë se një komunist mund të dënohej, madje edhe të pushkatohej për asgjë. Por, ju e kuptoni se çfarë mund të mendoja unë, sidomos pas vrasjes tragjike të Nako Spiros. Sidoqoftë, siç thashë më lart periudha më e vështirë ishte ajo pas Kongresit të XX, ku jam ruajtur me të gjitha fuqitë për të mos dhënë rast ndëshkimi. Kur u ktheva në Tiranë takova një ditë në rrugë Nefo Myftiun, e cila më tha: “ç’të të them unë moj Liri ty që vuajte 30 vjet. Por ta dish, edhe neve nuk e kemi vënë kokën mbi jastëk, por si mbi tel me gjemba. M’u duk sikur më pa me inat Enveri, m’u duk sikur Nexhmija tha këtë fjalë me nënkuptim, etj”.
Zonjë Belishova, a mund të na thoni mendimin tuaj, si po shkon Shqipëria jonë?
Po të thosha që nuk mendoj për këto probleme, nuk do të thosha të vërtetën, sepse siç e thashë më lart, gjithë jeta ime është dominuar nga dashuria dhe prokupacioni për atdheun dhe popullin tim. Por, e kam shumë të vështirë të shprehem… Sepse, kam parasysh përgjegjësinë time morale, e cila dhe më ka bërë që kur u ktheva në Tiranë të vendos edhe me miq të tjerë të mos marr pjesë aktive në jetën politike.
Sidoqoftë, unë jam dakord me Ismail Kadarenë: me gjithë problemet, gabimet, etj, e rëndësishme është që Shqipëria është futur në rrugën e drejtë të zhvillimit demokratik, të integrimit euroatlantik. Për herë të parë Shqipëria, duke qenë anëtare e NATOS-s, ka garantuar lirinë e pavarësinë e saj, kurse gjatë gjithë historisë ne kemi qenë pre e agresioneve të ndryshme, kemi vuajtur nga okupacionet, sepse kemi qenë një popull i vogël. Gjithashtu, futja e Shqipërisë në BE krijon shumë favore për zhvillimin e saj demokratik, ekonomik, etj.
Sot ka shumë probleme, shumë të meta, vjedhje, korrupsion, etj. Por, këto në asnjë mënyrë nuk duhet të ngjallin dëshpërim e pesimizëm që paralizojnë forcat. Jo vetëm mësojmë nga filozofët, nga historia, por edhe nga eksperienca jonë në botë; nuk ka asgjë perfekte dhe zhvillimi është lufta e të kundërtave. Problemet nuk mbarojnë kurrë; sa zgjidhet një pjesë, lindin të tjera. Rëndësi ka si luftohet për t’i zgjidhur në radhë të parë nga truri i kombit, por edhe nga të gjithë qytetarët.
Mendoj se me shumë rëndësi për Shqipërinë është dekomunistizimi dhe kultura demokratike. Shkollat dhe universitetet ku edukohen qytetarët e ardhshëm, për mua kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Gjithë këto universitete janë dhe qendra shumë të rëndësishme ku mund të studiohen problemet, të bëhen propozime etj. Atyre u takon të jenë këshilltarët kolektivë të shtetit, të shoqërisë.
Diktatura është një qeverisje e kollajshme, si sahati me rërë. Kurse demokracia është e komplikuar si sahati zviceran, gjithë rrotka dhe vegla, ku çdo gjë duhet të punojë mirë dhe në harmoni.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›