E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi rrëzon çmimin e karburanteve

13/01/2009  Një fuçi naftë në tregun ndërkombëtar është shitur me më pak se 40 dollarë

Ulet edhe 5 lekë çmimi për një litër naftë në pikat e tregtimit me pakicë

Viti 2009 ka sjellë çmime më të lira të karburanteve. Gjatë ditës së djeshme në pikat e tregtimit me pakicë është shënuar një tjetër ulje me 5 lekë për litër. Kështu nafta u ka kushtuar drejtuesve të automjeteve në kryeqytet 105 lekë për litër, benzina 105 lekë për litër dhe nafta e cilësisë së dytë është shitur 100 lekë për litër. Një prej faktorëve që ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë rënie është hetimi i nisur nga Autoriteti i Konkurrencës.

Situata

Çmimet e karburanteve në pikat e tregtimit në Tiranë e kanë pësuar uljen më të fundit prej 5 lekë për litër që më 31 dhjetor 2008. Por duke pasur parasysh që çmimi i një fuçie nafte në tregun ndërkombëtar ka rënë nën 40 dollarë sërish vlerësohet se çmimet në vendin tonë janë më të larta. Sipas llogaritjeve të bëra nga ekspertët, çmimi i karburanteve duhej të kishte kapur nivelin nën 100 lekë për litër që para dy muajsh. Rezultatet e para të hetimit të Autoritetit të Konkurrencës treguan për abuzim nga ana e importuesve, të cilët sipas hetimit bashkëpunojnë me tregtarët e pakicës për të fiksuar çmimet e larta të naftës dhe benzinës. Kjo rëndon veçse mbi xhepat e konsumatorëve dhe bizneseve që përdorin përditë karburantet për konsum. Gjithsesi, Autoriteti i Konkurrencës po vijon seancat dëgjimore me importuesit kryesorë të këtij tregu. Në përfundim të gjithë fazës së hetimit, Autoriteti do të marrë vendimet e tij. Një prej sanksioneve do të jetë gjoba, që varion nga 2-10 për qind e xhiros vjetore të subjektit.

Çmimet

Rënia e çmimeve të karburanteve është reflektuar më me vonesë në pikat e tregtimit me pakicë. Sipas vëzhgimit të bërë në treg, gjatë dy muajve të fundit çmimet e karburanteve janë ulur rreth 30 lekë për litër. Po kjo rënie e çmimeve nuk ka qenë në të njëjtin nivel me uljet në bursat ndërkombëtare. Çmimi i një fuçie nafte në tregun ndërkombëtar ka vijuar rënien që prej muajit korrik, kur shënoi edhe çmimin më të lartë prej 147 dollarë për fuçi, duke rënë muajt e fundit të vitit që lamë pas nga 64 dollarë para dy muajsh në 40 dollarë. Ndërkaq, sipas të dhënave zyrtare, gjashtë muajt e fundit të 2008-s çmimet e karburanteve në vend ranë rreth 12 herë dhe ndryshimi mesatar i çmimeve ka qenë afërsisht 45 lekë për litër.

Prodhimi

Kuotat aktuale të naftës janë parë me shumë shqetësim nga Organizata e Vendeve Eksportuese të naftës. OPEC-u konfirmoi se në muajin shkurt do të organizohet një takim i jashtëzakonshëm në Kuvajt për një tjetër ulje të prodhimit. “Ky takim i OPEK-ut është parashikuar të zhvillohet muajin e ardhshëm, por nuk është fiksuar data”, - ka deklaruar Khatibi. Çmimi i naftës njohu një ulje të madhe muajt e fundit. Arsyet e një ngritjeje të lehtë të çmimit të naftës ishin të lidhura me tensionet në Lindjen e Mesme, ndërkohë që Izraeli vazhdon ofensivën në Rripin e Gazës. Në muajin dhjetor të vitit të kaluar vendet anëtare të OPEC-ut vendosën reduktimin e prodhimit të naftës në 2,2 milionë fuçi, për shkak të çmimeve gjithnjë në rënie në bursa.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›