E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miraka: Më 15 janar nis ndarja e fondeve

12/01/2009  Ish-të përndjekurit

Më datë 15 janar fillon ndarja e fondit për ish-të përndjekurit. Listat e bëra publike nuk janë përfundimtare, sipas kreut të Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, pasi ende ka afat për ata që nuk kanë dorëzuar dokumentet deri më tani. Është kërkuar një shtyrje e afatit, edhe pse në fund të vitit 2008 është mbyllur cikli i dorëzimit të dokumenteve, në mënyrë që të gjithë ata persona që e gjejnë veten në ligjin e miratuar, të kenë mundësi të përfitojnë prej tij dëmshpërblimin financiar. Aktualisht janë 10 miliardë lekë të vjetra në dispozicion të ish-të përndjekurve si fond i destinuar prej vitit 2008. Ndërkaq Qeveria ka planifikuar për vitin 2009 rreth 2 miliardë lekë të vjetra, të cilat do të shërbejnë për dëmshpërblimin e të gjithë ish-të përndjekurve. Kjo pasi do të ketë një tjetër listë që do të miratohet dhe do të jetë ajo përfundimtarja. Kreu i Institutit siguron se nuk do të ketë asnjë kriter tjetër përzgjedhjeje veç atyre që janë përfshirë tashmë në ligj. Të gjithë ata persona që kanë emrat dhe dosjet e rregullta do të marrin atë që ju takon, pa ndonjë përzgjedhje apo preferencë. Dosjet e verifikuara do të dëmshpërblehen sipas ligjit, gjatë 8 viteve të ardhshme. Qeveria ka planifikuar që gjatë këtij viti të ketë edhe një shtesë të fondit, që do të jetë rreth 10 për qind e parave që do të përftohen nga privatizimi i disa kompanive shtetërore që janë në shitje, si OSSH-ja, INSIG-u, apo aksionet e AMC-së. Sipas parashikimeve të ministrit të Financave, Ridvan Bode, nga privatizimet e mbetura pritet që të shtohen në buxhetin e 2009-s mbi 200 milionë euro. Sipas ligjit për dëmshpërblimin e kësaj kategorie, nga momenti i nisjes, procesi pritet të zgjasë deri në 8 vjet, deri në tërheqjen e parave nga të gjithë personat. Aktualisht janë përgatitur dosjet për rreth 6 mijë persona, ndërsa në total sipas relacionit zyrtar janë rreth 11 700 persona që përfitojnë. Ata janë të ndarë sipas kategorive, ish-të dënuarit që kanë bërë burg do të përfitojnë 20 mijë lekë të vjetra për çdo ditë burgu, të internuarit përfitojnë 10 mijë lekë për çdo ditë. Edhe për të pushkatuarit që nga gushti i vitit 1943, që janë dënuar pa gjyq, e kanë marrë gjyqin në vitet ’90 duhet të jenë pjesë e dëmshpërblimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›