E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi, si u vodhën paratë e Gërdecit

 

Trazhgim Sokolaj

Nëntë persona të cilët vlerësuan dëmet në banesat e Gërdecit pas shpërthimit në fabrikën e armëve, akuzohen se i kanë "vjedhur shtetit" një shumë financiare prej 207 milionë lekësh. Vjedhja është realizuar gjatë matjes së dëmeve në banesat e zonës së prekur nga tragjedia, pas shpërthimit të 15 marsit 2008. Nëntë të pandehurit për akuzën "shpërdorim detyre" janë hetuar nga prokuroria e Tiranës për më tepër së një vit. Organi i akuzës ka mbyllur hetimet më 22 shtator, duke depozituar dosjen penale ndaj tyre në Gjykatë. Sipas fakteve të grumbulluara gjatë hetimit, nëntë të akuzuarit kanë mbivlerësuar dëmet në të paktën 24 banesa të zonës. Në këtë mënyrë, Qeverisë dhe pushtetit lokal i është dashur të akordojë fonde ndihme për banorët e zonës, shumë më tepër sesa vlera reale e dëmit të shkaktuar. Skandali është zbuluar nga Bashkia e Vorës, e cila mbulon zonën administrative ku ndodhi tragjedia, e cila dëmtoi mëse 5 mijë banesa në Gërdec dhe fshatrat përreth. Pas kësaj, Bashkia Vorë denoncoi abuzimin duke vënë në lëvizje policinë dhe Prokurorinë. Nga 24 banesa në të cilat është abuzuar gjatë vlerësimit nga ekspertët e pandehur, prokuroria mori në ekspertim vetëm disa prej tyre. Ekspertët e caktuar nga prokuroria kanë verifikuar banesat nga e para duke arritur në përfundimin se të pandehurit kishin fryrë fiktivisht faturat me qëllime përfitimi financiar.
Vjedhja e parave
Dosja penale nr.1869 është depozituar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa pritet të shqyrtohet nga gjyqtari Gerd Hoxha. Të pandehur janë: Blerta Hodaj, Ermira Mezini, Esmeralda Halili, Favjola Care, Isa Picari, Klevis Bedini, Mustafa Gerdeci, Myslym Ndroqi, Roela Gjeta dhe Shefki Haxhiu. Në dosjen e depozituar në gjykatë, prokuroria ka dokumentuar se të ndarë në dy grupe, këta të pandehur kanë vlerësuar se banesa e Hamit Kurtit ishte dëmtuar plotësisht nga shpërthimi, para të cilit ishin të ndërtuara dy kate. Sipas akuzës, nga ekspertimi ka rezultuar se kati i dytë nuk ka qenë i ndërtuar në momentin e tragjedisë. E njëjta skemë abuzimi është përdorur edhe në banesën e Rigon Durdajt, e cila është faturuar si e dëmtuar plotësisht ndërkohë që ekspertiza dhe fotot e objektit, administruar në dosje, tregojnë se kati i parë nuk është dëmtuar fare. Në banesën e Isa Picarit, fatura është bërë "plotësisht e shkatërruar në dy kate" ndërkohë në momentin e shpërthimit kati i dytë nuk ka qenë i ndërtuar. Tek banesa e Zani Picarit, të akuzuarit kanë përshkruar se objekti ishte "thellësisht i dëmtuar" kur fotot e ekspertëve tregojnë se nga katër kate, nuk është dëmtuar asnjëri. Po kështu në banesën e Rexhep Picarit, përshkruhet se është "plotësisht e shkatërruar" kur fotot tregojnë se ka vetëm plasaritje të lehta të murit. Në shtëpinë e Latif Gërdecit, sipas akuzës, është bërë faturë për "shkatërrim të plotë" kur në të vërtetë kati i parë nuk ka dëmtime ndërsa kati i dytë nuk ka qenë i ndërtuar në momentin që ka ndodhur shpërthimi.

Diferenca në vlerësimin e dëmeve

1. Banesa e Isa Picari
Vlerësimi i parë, dëmi: 1.549.699 lekë
Vlerësimi i prokurorisë: 1.825.792 lekë

2. Banesa e Hamit Kurti
Vlerësimi i parë, dëmi: 7.197.984 lekë
Vlerësimi i Prokurorisë: 11.465.045 lekë

3. Banesa e Arben Picari
Vlerësimi i parë, dëmi: 470.975 lekë
Vlerësimi i prokurorisë: 986.028 lekë

4. Banesa e Zani Picari
Vlerësimi i parë, dëmi: 2.368.338 lekë
Vlerësimi i prokurorisë: 2.606.564 lekë

5. Banesa e Rexhep Picari
Vlerësimi i parë, dëmi: 1.057.161 lekë
Vlerësimi i prokurorisë: 1.314.212 lekë

6.Banesa e Latif Gërdeci
Vlerësimi i parë, dëmi: 1.891.370 lekë
Vlerësimi i prokurorisë: 4.373.775 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›