E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet kreu i Këshillit Bashkiak

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Vlorës degjeneroi dje me debate të ashpra, fyerje e akuza të ndërsjella e më pas në shkarkimin e kreut të këtij këshilli, Arben Sinani. Debati nisi  për shkak të një projektvendimi të propozuar nga Bashkia e Vlorës për miratimin e 260 milionë lekëve shtesë, për 9 projekte, të cilat nuk i ka nisur ende. Këshilltarët e PD, PDI, LSI, PR dhe PAD i kërkuan bashkisë dhe kryetarit Gjika transparencë. Sipas tyre, projektvendimi në fjalë ishte totalisht i pamotivuar, i pajustifikuar nga pikëpamja ligjore, teknike dhe financiare. Më pas ata i kërkuan kryetarit të bashkisë të motivonte se pse 92 për qind e investimeve të parashikuara për vitin 2009 ende nuk kanë nisur. Menjëherë pas kësaj këshilltarët e djathtë dolën nga salla e mbledhjes, duke kërkuar të mos të keqpërdoret "numri i të majtëve" në këshill, por të japin transparencën dhe sqarimet ligjore, teknike dhe financiare për çdo projektvendim. Pas kësaj sallën e la edhe kryetari i Këshillit të Bashkisë Arben Sinani, përfaqësues i LSI-së. Ai iu kërkoi këshilltarëve të mos bëheshin pjesë e maskaradës dhe show-t të Bashkisë së Vlorës, e cila vjedh hapur taksat e qytetarëve. Debatet në sallë vijuan edhe pasi përfaqësuesit e djathtë u larguan. Gjika i akuzoi ata se ishin urdhëruar politikisht. Pas largimit të tyre, seanca u drejtua nga këshilltari më i vjetër, Gafur Shameti pasi të majtët kërkuan vazhdimin e mbledhjes me çdo kusht. Për efekt moshe dhe pamundësie ai shpjegoi se nuk e mbante dot drejtimin e seancës, duke pohuar edhe faktin se i përkiste një partie të vogël, demokristiane. Më tej, mbledhja u drejtua nga kryetari i grupit të këshilltarëve të PS-së, Kujtim Sulce. 24 anëtarët e mbetur në sallë miratuan kështu të 9 pikat e rendit të ditës, e pas kësaj 17 këshilltarët e majtë propozuan shkarkimin e kryetarit të këshillit Arben Sinani. Votimi u bë i fshehtë dhe me 23 vota pro e një kundër ai u shkarkua. Vota kundër mësohet se ishte e këshilltarit të PBDNJ-së, i cili u kërkoj kolegëve të tij mos të nxitoheshin sepse kishin të bënim me një çështje delikate. Por mendimi i tij nuk u mor parasysh nga shumica socialiste, të cilët e argumentuan shkarkimin edhe për shkak të ndryshimeve politike. Gjatë këtij debati u kthyer në sallë kryetari i saposhkarkuar i këshillit, Sinani i cili e konsideroi vendimin e marrë nga të majtët si absurd dhe të pamotivuar në ligj. Propozimi që posti i kryetarit të Këshillit Bashkiak të merrej nga Kujtim Sulce, u votua sërish me 23 vota pro dhe një kundër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›