Kapet vrasësi në Tiranë, maskohej si biznesmen
TIRANE - Arrestohet i dënuari për vrasje, i arratisur nga burgu në vitin 1997, që maskohej në kryeqytet si biznesmen. Operacioni i koduar "Mangalem", i Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me atë të Beratit, ka prangosur në një lokal në Tiranë Arben Shehun, i kërkuar prej 12 vitesh për vrasje. Në një kohë kur kishin kaluar 17 vjet nga kryerja e krimit në Berat dhe 5 vite më vonë ishte arratisur nga burgu, Shehu shpresonte se ishte harruar nga policia. Madje për t'iu shmangur prangave ai prej vitesh ishte vetëquajtur biznesmen dhe duke përfituar nga miqësitë e tij në Tiranë, kishte përfituar statusin e "sipërmarrësit" dhe për shumë qytetar njihej si pronar lokalesh. Në të vërtetë mësohet se ai ka qenë miku i pronarëve, të cilët siç duket ia kanë bërë këtë favor, thjesht për ta ndihmuar që policia të mos e identifikonte si të kërkuar. Burime nga policia thanë se arrestimi i 38-vjeçarit nga Berati, ka ardhur pas një hetimi disa javor dhe bashkëpunimit të Policisë së Tiranës me policinë e Beratit. Arben Shehu, figuron në listat e Interpolit si person i shpallur në kërkim që prej vitit 1997, kur ishte arratisur nga burgu. Ai është i dënuar me 21 vite burg për vrasje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Në bazë të vendimit Nr.318 të Gjykatës së Lartë, Arben Shehu, rezulton të jetë i dënuar me 21 vjet burg. Ai akuzohet për vrasje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje të Bandill Kodhelit, ngjarje e ndodhur më 21 maj të vitit 1992. Gjykata e Lartë e ka deklaruar fajtor Arben Shehun, duke lënë kështu në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Vlorës. Sipas vendimit të gjykatës mësohet se më 21 maj 1992 ka gjetur vdekjen Bandill Kodheli. Ky i fundit gjatë asaj dite ishte grindur me Dine Shehun, i cili është xhaxhai i të dënuarit Arben Shehu, duke e lënë pa ndjenja përpara një lokali. Xhaxhai i Shehut është gjetur nga djali i tij, Mersin Shehu dhe vëllai i tij. Pasi e ka çuar në spital, ka shkuar në shtëpinë e Arbenit, ku ka takuar këtë të fundit dhe i ka treguar për ngjarjen. Arbeni pasi ka marrë një thikë me vete, së bashku me xhaxhain dhe kushëririn e tij Mersin Shehu, janë nisur drejt lokalit ku ishte Bandill Kodheli. Rrugës kanë takuar edhe vëllain e Arbenit, Edmond Shehu, i cili gjithashtu ka marrë pjesë në krim. Fillimisht ka qenë Edmond Shehu ai që ka goditur me tullë Kodhelin, ai është kundërpërgjigjur duke e qëlluar me bastun druri. Në këtë moment Arbeni Shehu e ka qëlluar me karrige, duke u mbajtur nga Mersin Shehu që të mos lëvizte. Më pas është qëlluar me një bajonetë nga Edmond Shehu dhe në fund është goditur me thikë nga Arbeni, goditje që i ka sjellë vdekjen. e.d